Suedia: Kuvendi s’mund të trajtojë çështje të gjykatave
Kryetari i Parlamentit të Suedisë, Westerberg, vlerësoi dje gjatë një takimi me kryeparlamentaren Topalli, zgjedhjet e 28 qershorit në vendin tonë. “Shqipëria realizoi zgjedhje shumë të mira, sikurse i vlerësuan edhe ndërkombëtarët. Kur njihen rezultatet, Parlamenti fillon punën për të trajtuar çështjet e qytetarëve, dhe nuk i takon Parlamentit të trajtojë çështje që tashmë kanë marrë gjykimin nga Drejtësia”, tha Westerberg. “Ne mbështesim integrimin tuaj dhe shpresojmë që shumë shpejt të jeni anëtarë në BE. Ne ju urojmë sukses në negociatat e anëtarësimit dhe në reformat tuaja, të cilat janë të guximshme, por të nevojshme për këtë anëtarësim. Anëtarësimi është në të mirë, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Evropës e të gjithëve ne”, vijoi më tej kreu i Parlamentit suedez. Nga ana e saj, Topalli vlerësoi vizitën në Suedi dhe shprehu besimin për mbështetjen e këtij vendi si anëtar i rëndësishëm i BE, në pritshmërinë e gjithë shqiptarëve për heqjen e vizave. Trajtimi i kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim u bë gjatë presidencës suedeze dhe po gjatë kësaj presidence, më 16 nëntor 2009, iu kërkua Komisionit përgatitja e opinionit për Shqipërinë. Kjo solli që vetëm një muaj më pas, më 16 dhjetor 2009, t’i dorëzohet Shqipërisë pyetësori nga Komisioni Evropian. “Këto data janë të një rëndësie të veçantë për Shqipërinë. Dhe për këtë i jemi shumë mirënjohës Presidencës së Suedisë”, tha Topalli.