Miqësorja e luksit, Brazili mund Anglinë
Ka mjaftuar një gol i futbollistit të Vilarealit, Nilmar që Brazili të dalë i fituar nga supersfida miqësore e djeshme ndaj Anglisë së Fabio Kapelos. Pas një pjese të parë plot raste nga të dyja palët, por me një epërsi të lehtë të “selesaos”, dy minuta pas fillimit të pjesës së dytë skuadra e drejtuar nga Karlos Dunga ka kaluar në avantazh. Takimi i luajtur në stadiumin “Khalifa International Stadium”, në Doha të Katarit ka qenë më shumë një publicitet për të dyja skuadrat sesa një ndeshje futbolli. Gjithsesi, nuk ka qenë komplet e tillë për dy trajnerët të cilët prisnin përgjigjet nga loja e disa lojtarëve të tyre që ishin aktivizuar më pak gjatë kualifikimeve. Më shumë lëvizje janë parë tek Anglia e Fabio Kapelos, i cili pati grumbulluar edhe tre futbollistë të rinj për këtë takim: Tom Hudleston, Ashli Jong dhe Xhoe Hart. Ndërsa mungonin lojtarët kyç të kësaj skuadre, kjo për arsye dëmtimi si Frenk Lampard, Stiven Zherrad, Xhon Terri si dhe Devid Bekam. Ky i fundit ka preferuar të luajë play-offin e MSL (Kampionati amerikan) me Los Anxhelos Galaksi përkundrejt ndeshjes ndaj Barzilit duke i marrë leje trajnerit për këtë miqësore luksi. Ndërsa ka provuar një mbrojtje krejt italiane Karlos Dunga me Brazilin e tij teks aka aktivizuar që nga minuta e parë Majkon (Inter), Lusio (Inter) dhe Tiago Silva (Inter). Nga kampionati italian, trajneri i Brazilit pati grumbulluar për këtë ndeshje edhe Julio Sezar (Inter), Filipe Melo (Juventus), si dhe Hulio Baptista e Doni (Roma).