Bushati: Me mua të paktën Shpresat luajnë në sulm
Leonard Karaj
Trajneri i Shpresave Artan Bushati thekson se skuadra e tij nuk ka marrë rezultatet e dëshiruara por ka prodhuar më shumë lojë edhe se Kombëtarja A.Duke analizuar lojën e ekipit në ndeshjen ndaj Austrisë tekniku shkodran ka pohuar se ai ka tentuar të revolucionarizojë mënyrën taktike të skuadrës së tij duke prodhuar më shumë lojë, paçka se kjo nuk i është kthyer me të njëjtën monedhë, në rezultate. “Unë jam mundur gjatë këtyre viteve që të fus një lloj filozofie krejt tjetër në skuadër, që nuk ka ekzistuar në futbollin tonë. Ne jemi cilësuar gjithmonë si skuadra të vogla ndaj kemi luajtur përgjithësisht në mbrojtje duke mos prodhuar lojë dhe duke mos sulmuar shumë. Unë kam tentuar që ta heq një herë e mirë këtë ide duke hedhur në fushë ekipe me tipare ofensive. Nuk kam marrë rezultatet e kërkuara por kam prodhuar të paktën lojë”, ka pohuar Bushati. Ndërsa përsa i përket ndeshjes me Austrinë ai e vuri theksin tek përgatitja e keqe fizike e lojtarëve të skuadrës së tij. “Na mungon përgatitja fizike. Kjo gjë u pa mirë edhe në ndeshjen ndaj Austrisë. Thuajse të gjithë lojtarët, por sidomos ata që militojnë në kampionatin tona kanë mungesë të theksuar të përgatitjes fizike”, ka vazhduar Bushati. Skuadra Shpresa zhvilloi ditën e premte një nga takimet më të bukura të saj për këto eliminatore por në pjesën e dytë lëshoi shumë duke e mbyllur takimin në barazim 2-2. “Në pjesën e parë luajtëm mirë, ndërsa në të dytën niveli i lojës sonë ra disi dhe kjo erdhi nga ajo çka u thashë më lart, përgatitja fizike dhe gabimet trashanike që bëjmë në mbrojtje”, ka pohuar tekniku i U-21. Të martën Shpresat do të luajnë takimin e parafundit në grup ndaj Bjellorusisë, ndaj së cilës humbëm 4-2 një muaj më parë. “Në ndeshjen e parë me ta ne luajtëm mirë por bëmë gabime në mbrojtje dhe ata na ndëshkuan menjëherë. Këtë herë do të mundohemi që të jemi më konçizë në mbrojtje dhe më efikas në sulm. Nuk besoj se do ta kenë të lehtë të bëjnë rezultat me ne këtë herë”, ka përfunduar Artan Bushti.