E Diel, 1 Nëntor 2026

Apeli shtyn gjykimin e Bashës, dorëhiqen 2 gjyqtarë

Apeli shtyn gjyqin ndaj ministrit të Jashtëm Lulzim Basha ku do të shqyrtohej kërkesa e prokurorisë për të shpallur të paligjshëm vendimin e gjykatës së Tiranës. Dy nga gjyqtarët e trupit gjykues dhanë dorëheqjen 

TIRANE- Gjykata e Apelit në Tiranë shtyn seancën gjyqësore ndaj Lulzim Bashës. Dy prej anëtarëve të trupit gjykues, konkretisht Dalip Bushi dhe Tom Ndreca kanë dhënë dorëheqjen pasi kanë qenë pjesë në procesin gjyqësor ndaj Andi Tomës dhe Armand Telitit.

Gjykata e Apelit duhej të niste sot gjykimin e ligjshmërisë së vendimit të gjyqtares së Shkallës së parë, Fatmira Hajdari, e cila vendosi ta zhveshë ministrin e Jashtëm nga akuzat e "shpërdorimit të detyrës", duke i cilësuar veprimet e prokurorisë si të paligjshme.

Lulzim Basha, aktualisht në postin e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë akuzohet për abuzime me fondet e lëvruara për ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash, teksa kryente funksionin e ministrit të Transportit.

Pak ditë më parë gjyqtarja e Gjykatës së Shkallës së Parë Fatmira Hajdari, e cilësoi të paligjshme veprimet e Prokurorisë së Përgjithshme për ngritjen dhe komunikimit të akuzës nëpërmjet postës për ish-kreun e Transporteve, Lulzim Basha. Duke e cilësuar të paligjshëm vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, prokuroria kërkon shfuqizimin e tij dhe dërgimin e të gjitha akteve në Gjykatën e Lartë, si organi kompetent që mund të shqyrtojë të gjitha kërkesat e të pandehurve, sikurse parashikohet në nenin 141 të Kushtetutës, siç janë deputetët, ministrat etj.

Sipas organit qendror të akuzës, Lulzim Basha, gjatë kohës që mbante postin e Ministrit të Transporteve, në bashkëpunim me vartësin e tij Andi Toma, ish-drejtor juridik në këtë dikaster, kanë abuzuar me fondet e lëvruara për ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 230 milionë eurosh. Gjykata e Lartë do të nisë shqyrtimin e dosjes së themelit me 30 janar.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›