Apeli vendos: Logoja e Partizanit i mbetet Xhanit!
Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës, që hidhte poshtë pretendimin e Ministrisë së Mbrojtjes për kthimin e stemës, si pronë intelektuale
Ka marrë fund procesi i stërgjatur gjyqësor, që kishte të bënte me logon e Partizanit, ku kishte një betejë mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe shoqërisë tregtare Partizani sh.a, me administrator Albert Xhanin.
Gjykata e Apelit dje ka lënë në fuqi vendimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës në lidhje me padinë e bërë nga Ministria e Mbrojtjes për kthimin e stemës, si pronë intelektuale. Në gjykatën e shkallës së parë fitues ka dalë shoqëria e administruar nga Albert Xhani, të cilës iu la stema e skuadrës së futbollit, Partizani.
Ndonëse vendimi i djeshëm ka sjellë pakënaqësi të madhe në radhët e tifozërisë, e rëndësishme është se nuk ka shtyrje pa fund dhe tashmë palët e përfshira në proces do të vendosin se çfarë do të bëjnë në të ardhmen. Albert Xhani gjithmonë i ka qëndruar besnik thënies: Partizani është imi dhe askush nuk ma merr. Kjo shprehje e tij po rezulton e vërtetë.
Por, në kahun tjetër thuhet se Ministria e Mbrojtjes nuk ka qenë shumë e interesuar për këtë proces, pasi ka edhe planin B për vijimin e punës, kur dihet se në sezonin e fundit Partizani ka qenë dhe vijon të jetë në administrimin e saj.
Topi i mbetet FSHF-së Pa dyshim që ky vendim e përshtjellon shumë të ardhmen e Partizanit, pasi më 4 shtator 2011 u mblodh Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, i cili, me një vendim të prerë, i dha të drejtë Ministrisë së Mbrojtjes që ta regjistronte Partizanin në aktivitetin futbollistik, në Kategorinë e Dytë.
Para disa ditësh federata ka bërë të ditur emrat e klubeve, që janë licencuar për sezonin e ri, ku Partizani nuk ishte në grupin e skuadrave problematike. I pyetur rreth këtij fakti, sekretari i FSHF-së, Eduard Prodani, për Sportin shqiptar u shpreh:
Pa dyshim që është licencuar ai Partizan, që ishte në aktivitet edhe në sezonin e fundit. Për këtë ka një vendim të KE-së në shtator të 2011-ës, kështu që përderisa nuk ka një vendim të dytë që ta anulojë atë, i bie që edhe në sezonin 2012-2013 në aktivitet do të përfaqësohet Partizani i administruar nga Ministria e Mbrojtjes.
Në plan të parë duket se vendimi i djeshëm i Apelit nuk interferon në të ardhmen e Partizanit, që, sipas logjikës së mësipërme, i bie që të kuqtë të varen nga vullneti që do të ketë Ministria e Mbrojtjes.
Por ky vullnet varet edhe nga federata, që në rast se e ndryshon vendimin e 4 shtatorit të 2011-ës të marrë nga KE-ja, situata mund të kthehet në kahun tjetër. Pra, për momentin topi Partizani është në derën e FSHF-së, e cila ka të drejtën për të vendosur se cilin Partizan do të mbajë.
Më 4 qershor ministria e ka regjistruar në QKR shoqërinë e re, që përmban skuadrën e Partizanit, por një javë më vonë QKR-ja ka dalë me një vendim, ku e çregjistron emërtesën e shoqërisë, por jo vetë shoqërinë, kështu që duhet bërë një aplikim i ri për emrin.
Thaka sot në ministri Administratori i Partizanit të tanishëm, i deleguar nga Ministria e Mbrojtjes, Gjergji Thaka, sot pritet të ketë një takim në dikasterin ushtarak. Ky takim ishte programuar përpara, pasi ishte thënë që pas përfundimit të seancës gjyqësore në Apel, do të vendosej se cila do të ishte strategjia që do të ndiqej.
Ishte thënë se ministria i ka menduar të dy variantet e përfundimit të gjyqit në Apel. Pa dyshim qw sot mendohet që administratorit Thaka do ti komunikohet se cila do të jetë e ardhmja e Partizanit.
