E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viktima bleu truallin në Shkozet

 

SHKOZET/ OERD ULQINI

Një palë letra nga një punëtor i ish-Ndërmarrjes Bujqësore, pa asnjë fuqi ligjore, ishin prova e familjes Karabrahimi për sipërfaqen e tokës në Shkozet.Kundrejt tyre, gjykata e Durrësit favorizoi Kujtim Hasanajn, i cili në pamundësi për të shijuar pronën, u hakmor me armë, duke shënuar dy viktima. Ngjarja e rëndë e së dielës, e cila nuk u shmang dot nga vendimi i gjykatës, ka sjellë në zonë frikën e hakmarrjes. Policia e Durrësit ka rrethuar dje shtëpinë e familjes së autorit, duke mos lejuar askënd t’i afrohej. Ndërsa viktimat, Shaban Karabrahimi dhe Sadik Lazri, i cili humbi jetën rastësisht nga plumbat, u përcollën për në Dibër për t’u dhënë lamtumirën e fundit. Të paktë fqinj të dy familjeve, të cilët kalonin dje në lagjen pranë rrethrrotullimit të Shkozetit tregojnë se dy ditë para krimit, zyra e Përmbarimit kishte shkuar në të zonë. Ajo kishte ekzekutuar me shembje vendimin e formës së prerë të Gjykatës, i cili ia njihte pronësinë e truallit familjes Hasanaj. Si rrjedhojë është rrafshuar në emër të ligjit objekti prej 500 metrash katrorë, në të cilin veç stallës së bagëtive ndodhej edhe një dhomë banimi. Drejtësia e ka çuar deri në fund punën, duke ia lënë truallin të lirë familjes që zotëronte dokumentacionin e besueshëm. Në atë shesh janë akoma të dukshme gjurmët që la fadroma për prishjen e godinës. Deri përpara vendimit të Gjykatës ky truall dhe objekti i amortizuar nga vitet përdoreshin nga familja dibrane Karabrahimi, e vendosur në këtë zonë në vitin 2003. Fqinjët tregojnë se edhe familja Karabrahimi e kishte blerë këtë sipërfaqe, por kjo blerje është kryer vetëm me një deklaratë dore, e cila për Gjykatën nuk ka fuqi ligjore. Ky truall ishte dikur pjesë e ish-ndërmarrjes bujqësore, por me zmadhimin e vijës së verdhë të Durrësit ai u shndërrua në një territor urban. Në pak vite vlera e këtij trualli që dikur quhej fshat u shumëfishua. Dibranët e kishin blerë sipërfaqen nga një punonjës i ish-kooperativës bujqësore, ndërkohë që familja Hasanaj, e mbërritur thuajse në të njëjtën kohë në Shkozet kishte kryer të gjitha procedurat e duhura për privatizim. Pas një gjyqi maratonë Gjykata i jep të drejtë familjes së Kujtim Hasanajt, por kërcënimet e palës tjetër pretenduese se “nuk do ta gëzoni këtë truall!”, degraduan në sherr. Gjakrat u ndezën në atë farë mase, sa pavarësisht se kishte në dorë vendimin në favor të Gjykatës Kujtim Hasanaj ekzekuton Shaban Karabrahimin, plagos vëllain e tij Iliridan dhe i merr jetën gabimisht një qytetari tjetër, 28-vjeçarit Sadik Lazri. Një ditë pas vrasjes së dy shtetasve në periferi të Durrësit, policia ka marrë në ruajtje shtëpinë e të arrestuarit Kujtim Hasanaj, e cila ndodhet ngjitur me truallin. Mësohet se efektivat blu tashmë e konsiderojnë këtë objekt si prioritar për t’u ruajtur nga patrulla 24 orë pa ndërprerje. Kjo është një masë paraprake, për të mos lejuar që asnjë person t’i afrohet shtëpisë për të marrë hak. Ndërkohë i arrestuari Kujtim Hasanaj pritet të përballet të martën me masën e sigurisë në Gjykatën e Faktit. Deri më tani përpara hetuesve ai ka pohuar krimin, por nuk ka dhënë asnjë shpjegim të mëtejshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›