E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata lë të lirë 10 hakerat televizivë

 

Armand Bajrami

Gjykata e Tiranës liroi dje nga paraburgimi dhjetë nga të arrestuarit për pirateri me programet televizive që ofrojnë paketat dixhitale. Nëntë nga të arrestuarit, lanë qelitë për të qëndruar në “arrest shtëpie” ndërsa dy të tjerë u lanë në masën “detyrim paraqitje”. Njëri pas tjetrit, 16 personat e arrestuar të premten nga operacioni “Modem”, u paraqitën dje në Gjykatën e kryeqytetit, për vlerësimin e masave të sigurimit personal.Gjyqtari Martin Deda caktoi për pesë prej të akuzuarve masën e sigurisë “arrest me burg”, për nëntë të tjerë masën e “arrestit shtëpiak” ndërsa dy persona u lanë në masën “detyrim paraqitjeje”. Vepra penale “mashtrim kompjuterik”, për të cilën akuzohen të arrestuarit e aksionit “Modem”, është futur në Kodin Penal të Shqipërisë me ndryshimet që ndodhën në ligj në fillim të këtij viti. Në ora 10:00 personi i parë i grupit hyri në sallën e gjyqit. Më pas vijuan të arrestuarit e tjerë, ndërsa shpallja e vendimit për të arrestuarin e fundit është bërë në ora 15:00. Burime pranë Gjykatës së Tiranës, thanë se të pandehurit nuk kanë shfaqur pretendime në sallën e gjyqit. Prokuroria, duke iu referuar provave të siguruara gjatë hetimit, i kërkoi gjykatës, arrest me burg për 11 prej të pandehurve dhe “arrest shtëpie” për 5 të tjerë. Avokatët mbrojtës mësohet se kanë kërkuar masa më të lehta sigurie për klientët e tyre. Në vendimin e shpallur në 15:00, gjykata u shpreh për të lënë në qeli deri në përfundim të hetimeve, Spiro Zgurin, 48 vjeç; Dhimitraq Papën, 55 vjeç; Saimir Kuniqin, 55 vjeç; Sokol Shalcën, 48 vjeç dhe Marin Palushin 36 vjeç. Në masën e sigurisë “arrest shtëpie” u lanë nga gjykata: Artan Priftuli, 44 vjeç; Fatmir Çupi, 32 vjeç; Ilir Dylja, 38 vjeç; Eduart Koka, 42 vjeç, Alfred Kadiu, 30 vjeç;  Eldi Vorpsi, 23 vjeç, Edison Shema, 32 vjeç; Sokol Kadare, 38 vjeç dhe Saimir Likollari, 31 vjeç. Togat e zeza vendosën caktimin e masës “detyrim paraqitjeje” për Ilir Nushin, 32 vjeç dhe Xhaferr Gixharin, 23 vjeç. Akuza e ngritur ndaj të arrestuarve të operacionit “Modem” është “mashtrimi kompjuterik”. Prokuroria tha dje në gjykatë se të arrestuarit zotërojnë njohuri të thelluara kompjuterike, të cilat i kanë shfrytëzuar për të vepruar në formën e një grupi “haker”-ash të mirëorganizuar. Ata klononin kodet e kartat e abonimeve në platformat dixhitale televizive dhe më pas rishpërndanin sinjalin e shumëfishuar kundrejt pagesës më të ulët sesa vetë kompanitë nga të cilat vidhnin sinjalin televiziv. Veprimtaria e jashtëligjshme, veç kryeqytetit, ishte shtrirë edhe në rrethe të tjera të vendit, në Shkodër, Durrës, Fier, Vlorë, Berat dhe Korçë.

Masat e sigurisë

1.Spiro Zguri     arrest me burg
2.Dhimitraq Papa     arrest me burg
3.Saimir Kuniqi    arrest me burg 
4.Sokol Shalca     arrest me burg
5.Marin Palushi    arrest me burg
6.Artan Priftuli     arrest shtëpie
7.Fatmir Çupi    arrest shtëpie
8.Ilir Dylja     arrest shtëpie
9.Eduart Koka    arrest shtëpie
10.Alfred Kadiu    arrest shtëpie
11.Eldi Vorpsi     arrest shtëpie 
12.Edison Shema    arrest shtëpie
13.Sokol Kadare    arrest shtëpie
14.Saimir Likollari    arrest shtëpie
15.Ilir Nushi    detyrim paraqitje
16.Xhaferr Gixharri     detyrim paraqitjeje

Avokatët: Gjykata gaboi me vendim kolektiv, liria është personale
“Aparatet u shitën te Shkolla e Kuqe, 16 veta në arrest për të njëjtin krim”

TIRANE – Mbrojtësit ligjorë të personave që u arrestuan gjatë aksionit “Modem”, e konsiderojnë të parregullt mënyrën e ndjekur nga Gjykata e Tiranës për masat e arrestit ndaj të dyshuarve. Duke iu referuar parimit kushtetues, se liria është personale dhe jo kolektive, avokatët e të pandehurve për piraterinë e programeve dixhitale në TV, thonë se gjykata i ka fajësuar 16 të pandehurit për kryerjen e të njëjtit krim. Vetëm dy nga të arrestuarit janë nga Tirana ndërsa të tjerët banojnë në rrethet Shkodër, Durrës, Fier, Berat, Korçë dhe Vlorë. Gazeta “Panorama” siguroi dje vendimet e Gjykatës së Tiranës për caktimin e masave të sigurimit, për dy nga të arrestuarit e operacionit “Modem”: Spiro Zguri dhe Dhimitraq Papaj. Vendimet edhe pse bëjnë fjalë për persona të ndryshëm, paraqesin në fakt të njëjtën ngjarje. Vetë dokumentet e vendimeve të gjykatës, përmbajnë numra të ndryshëm akti: 368 për Spiro Zgurin dhe 371 për Dhimitraq Papajn. Pavarësisht faktit se bëhet fjalë për persona të ndryshëm, që kanë pasur role të ndryshme në veprën penale në hetim, gjykata në vendimin e saj, i fajëson ata, për të njëjtën ngjarje, të ndodhur në kohën dhe vendin e njëjtë. “Më 14 shkurt 2009, në ambientet e dyqanit të ndodhur afër “Shkollës së Kuqe”, personi në hetim Spiro Zguri pasi ka shitur aparatin “Dreambox”, rreth dy muaj më parë, sipas një mekanizmi të cilin do ta detajoj më poshtë, ofrohet shikimi i programeve, ekskluzivitetin e të cilëve e ka në paketat e saj vetëm kompania e dëmtuar. Personit në hetim, pasi i është shkuar në ambientin ku ushtron aktivitetin e paligjshëm, i është kërkuar të rregullojë aparatin sa më lart gjë të cilën pasi e ka kontrolluar e ka gjetur të rregullt. Nga ky veprim i kundraligjshëm ka përfituar vetëm 230 euro. Ndërkohë që si rezultat i përgjimeve telefonike, rezulton se vijon këtë aktivitet me intensitet”, thuhet në vendimin e gjykatës datë 16 prill 2009, për masën “arrest me burg” ndaj të akuzuarit Spiro Zguri. E njëjta ngjarje që i është faturuar këtij personi, të njëjtat veprime dhe në të njëjtat rrethana, i faturohen në vendimin tjetër të gjykatës, po të datës 16 prill 2009, të arrestuarit Dhimitraq Papa. Edhe për këtë person, në vendimin e gjykatës, thuhet shprehimisht se më 14 shkurt 2009, pasi i është shkuar në ambientin ku ushtron aktivitetin tek “Shkolla e Kuqe”, ka verifikuar aparatin që kishte shitur dy muaj më parë të cilin pasi e ka kontrolluar e ka gjetur të rregullt. Edhe ky person, sipas vendimit të gjykatës, ka përfituar 230 euro ndërkohë që sipas përgjimeve telefonike rezulton se vijon aktivitetin me intensitet.           tr.so

Prokuroria zbardh akt-akuzën
“Pirateria televizive, u provua në 11 raste”

TIRANE – Abuzimi me kartat e paketave televizive nga ana e 16 të pandehurve, të arrestuar në operacionin “Modem”, është faktuar në 11 raste. Prokuroria e kryeqytetit pohoi dje se paraqiti para gjykatësit të gatshëm të kësaj jave provat e plota për 11 raste të abuzimit me kartat e dekoduara, ndërkohë 16 raste të tjera ndodhen në proces verifikimi nga organet hetimore. Gjithashtu prokuroria pohoi se rreth 50 kompjuterët e sekuestruar do të këqyren në ditët në vazhdim, ndërsa dyshohet se në to gjenden prova të tjera në ngarkim të të pandehurve, që kanë të bëjnë me programet me të cilët shpërndahej nëpërmjet internetit sinjali i paketave televizive. Gjithashtu prokuroria pohoi se tashmë ka zbardhur skemën mbi të cilën funksiononte grupi i personave të arrestuar. Nëpërmjet disa pajisjeve të quajtura “Drin-box”, të arrestuarit iu hiqnin kodin kartave të rregullta që përmbanin paketa televizive të kompanive të ndryshme që operojnë në Shqipëri. Më pas nëpërmjet linjës së internetit e shpërndanin sinjalin nëpër përdorues të shumtë, që në mjaft raste shkon edhe në 50. Prokuroria pohon se këta përdorues i kishin blerë aparatet dhe të drejtën e përdorimit prej të pandehurve në shuma që në maksimum shkojnë në 230 euro, ndërsa nëse do të bënin blerje të rregullta, çmimi është disa herë më i lartë.              f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›