E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apelon Topi: Qytetarë, merrni kartat e identitetit



Presidenti reagon, duke larguar çdo pesimizëm

Mbledhja e partive, nuk është e domosdoshme

“Të dashur bashkatdhetarë! Shkoni aplikoni!”, - ishte reagimi i djeshëm i Presidentit të Republikës, Bamir Topi, mbi procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. Kreu i shtetit shqiptar nuk është pajtuar me partitë e opozitës për sa i përket ecurisë së këtij procesi. Ai tha se deri në këto momente nuk ka asnjë gjë për t’u shqetësuar, si dhe u bëri thirrje qytetarëve të shkojnë të aplikojnë. “Unë besoj, - tha Topi, - që ka vend për angazhim, për preokupim, por nuk besoj që ka vend për pesimizëm”. Presidenti apeloi më tej se qytetarët duhet të aplikojnë për t’i shërbyer procesit, sepse sipas tij, qytetarët i bëjnë nder vetes së tyre. “Kështu që unë i bëj thirrje edhe një herë dhe nuk do ta teproj duke bërë këtë thirrje. Të dashur bashkatdhetarë! Shkoni aplikoni! Aplikoni, sepse nuk është thjesht në funksion të zgjedhjeve, por për shumë, për shumë aksese që ju keni në administratë e mbi të gjitha për të respektuar vetveten. Secili duhet të identifikohet”, - deklaroi Topi.

Qëndrimi i kreut të shtetit u ndal edhe tek partitë politike, duke i dhënë një “shuplakë” Partisë Socialiste dhe qëndrimit të saj. Pa përmendur emra partish, Topi tha se partitë duhet të bëjnë thirrje për qytetarët, veçanërisht për militantët e tyre që të marrin kartat, në mënyrë që 28 qershori të jetë një ditë feste. “Të gjithë duhet të sintonizohen në shqetësimin, të gjithë të kenë një zë, të gjithë t’u bëjnë thirrje përkrahësve të tyre, asaj pjese të popullsisë, që mund të jetë indiferente ndaj partive politike, t’u bëjnë thirrje që të shkojnë të aplikojnë dhe të gjithë së bashku të kontribuojmë që zgjedhjet e 28 qershorit të jenë një ditë feste për Shqipërinë për demokracinë”, - bëri thirrje Presidenti.

Mediat pyetën Presidentin në rast se do ta konsideronte një kërkesë të ardhur nga opozita për të mbledhur tryezën e partive politike, e kërkuar për shkak, sipas tyre, të dështimit të procesit të shpërndarjes së kartave të identitetit. Me një përgjigje të drejtpërdrejtë, Topi tha se nuk ka vend për një shqetësim të tillë, madje shtoi se reagimi në media, angazhimi i deritanishëm i administratës, është në kohezion të plotë me kushtet. “Unë mendoj, – shtoi Topi, - që ende partitë politike, administrata duhet të gjejnë angazhimin dhe unë besoj që është angazhimi, për të ardhur pastaj pa diskutim në një kohezion të të gjithë forcave politike. Besoj që të gjithë kanë mundësinë, shansin që të angazhohen dhe të prononcohen”. Ai veçanërisht iu drejtua liderëve politikë, që të prononcohen në atë që është e rëndësishme, që sipas kreut të shtetit, është procesi. “Është gjëja më e thjeshtë që mund të bëjë një politikan, të prononcohet në funksion të asaj që është e rëndësishme. Dhe ju besoj, që do të kontribuoni që ta mbani gjallë dhe për të bërë thirrjet e duhura, se pa median, që është interlokutori më i rëndësishëm publik, nuk realizohet gjë”, - tha kreu i shtetit. Qëndrimi i Presidentit u mbajt pas përfundimit të veprimtarisë kulturore të organizuar dje nga Komuniteti Mysliman Shqiptar me rastin e ditëlindjes së Profetit Muhamed.

Ditëlindja e Profetit Muhamed, Topi, Berisha, Topalli urojnë besimtarët

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përkujtoi dje ditëlindjen e profetit Muhamed, duke organizuar një koncert festiv me titull “Profeti Muhamed - Krenaria e Njerëzimit”. Të pranishëm në këtë program festiv, morën pjesë shumë personalitete shqiptare, mes tyre Presidenti Bamir Topi dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Njëkohësisht Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur të gjithë besimtarët dhe i ka uruar ata për këtë ditë. Në fjalën e rastit, Presidenti Topi deklaroi se kjo ditë shërben për të treguar vlerat e besimtarëve shqiptarë. “Janë pikërisht këto vlera unikale shpirtërore të tolerancës dhe harmonisë ndërfetare që e karakterizojnë kombin shqiptar në arenën ndërkombëtare, për të cilat ne jemi krenarë. Besimi i vërtetë nuk i ndan njerëzit, por i bashkon ata, qoftë edhe duke pranuar ndryshimet, sepse liria e besimit dhe e ushtrimit të fesë është pasuri për të gjithë, është garanci themelore për çdo formë apo shprehje të lirisë në kuptimin më të gjerë të saj. Tradita islame në Shqipëri është edhe traditë e respektit dhe dashurisë ndaj tjetrit”, - tha Topi. Ndërsa në përshëndetjen e tij, kreu i qeverisë, Sali Berisha, tha se kjo ditë shërben për dashurinë mes njerëzve. “Ndonëse sot nuk jam i pranishëm në sallën ku ju festoni, fizikisht dhe shpirtërisht unë ndihem aty me ju, duke ndarë së bashku me ju gëzimin dhe solemnitetit e kësaj dite festive për besimtarët myslimanë, por edhe për të gjithë qytetarët shqiptarë. Zhvillimi i kësaj veprimtarie, tashmë si vend i NATO-s dhe në proces integrimi për në BE, kur Kosova është e lirë dhe e pavarur, kur faktori shqiptar në Ballkan, Evropë e më gjerë, është formësuar e konsoliduar si kurrë ndonjëherë në historinë shumëshekullore të këtij kombi të lashtë, më jep rastin të theksoj edhe një herë krenarinë e çdo shqiptari për ruajtjen e këtyre vlerave të çmuara të popullit tonë të harmonisë, tolerancës”, - përshëndeti Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›