E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI kundër thirrjes së PS për bashkëpunim me PD

Xhufi: Qeveria të japë kartat falas, nuk ndahemi nga qëndrimi ynë
Levizja Socialiste për Integrim nuk sheh asgjë të frytshme në gatishmërinë e kryesocialistit Edi Rama, për të biseduar me kreun e mazhorancës Sali Berishën. Kreu i grupit parlamentar te LSI-së Pëllumb Xhufi tha se me Berishën nuk funksionojnë negociatat, por manifestimet dhe protestat. "Deklarata e zotit Rama për tu ulur përsëri me Berishën për të biseduar për çështjen e kartave të identitetit është vërtetë shqetësuese, sepse ne mendojmë se nuk ka asnjë motiv për tu ulur dhe për të biseduar. Nga momenti që dhe zgjidhja është identifikuar dhe nga Partia Socialiste shpërndarja falas e kartave të identitetit dhe unë nuk kuptoj perse do të ulen bashkë, çfarë zgjidhje tjetër do të gjejnë përveç kësaj zgjidhjeje. Tani ka vetëm një rrugë, rruga e vendosmërisë dhe vetëm kjo rrugë do ta detyronte zotin Berisha të ndryshonte", tha Pëllumb Xhufi, kryetar i grupit parlamentar te LSI-së. Shtyrja e zgjedhjeve do ti shërbente vetëm mazhorancës dhe është në dëm të interesave të opozitës tha Xhufi. "Ata që janë të interesuar ta shtyjnë janë sigurisht qeveria që është në pushtet, që nuk ka realizuar parakushtet për bërjen e zgjedhjeve dhe që mesa duket nuk ka ezauruar të gjitha hilet që po punon dhe tani për të manipuluar dhe kësaj radhë zgjedhjet", vijoi Xhufi. Megjithatë ende nuk ka një vendim në Lëvizjen Socialiste për Integrim, nëse në rast protestash do ti bashkohen Partisë Socialiste apo jo.  Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Pëllumb Xhufi ka shprehur edhe një herë qëndrimin e LSI, që kartat e identitetit të shpërndahen falas.Kemi denoncuar të gjitha tentativat e Kryeministrit, zotit Berisha, për ti trajtuar kartat e identitetit si një benefit, të cilin ai ua akordon çdo javë, grupeve të ndryshme shoqërore, u shpreh Xhufi. Ai shprehu bindjen se në qoftë se ato nuk shpërndahen falas, atëherë rrezikohet që shtresa të gjera të popullsisë të mos pajisen me karta identiteti. Xhufi nënvizoi se karta e identitetit është elementi kryesor për të realizuar obligimin dhe detyrën kushtetuese të çdo qytetari për të votuar. Përsa i përket konfliktit të fundit dhe daljes nga Parlamenti të opozitës, Xhufi u shpreh se ne gjykojmë që ky segment i fundit, që po duket konfliktual i një vazhde të gjerë dhe të gjatë, që është karakterizuar nga ujdi të paprincipta dhe të dëmshme për kryerjen e reformës zgjedhore, natyrisht është tepër i vonë për të ndryshuar gjëra esenciale, duke filluar nga Kodi Zgjedhor. Sipas tij, duket se realisht procesi është jashtëzakonisht i kërcënuar, prandaj qëndrimi ynë është i patundur. Xhufi theksoi se kartat e identitetit duhet të bëhen pronë e çdo qytetari të aftë për të votuar. Kartat e identitetit kanë vërtetë një funksion plurivavalent, por dhënë në momentin pikërisht në prag të zgjedhjeve, ato konsiderohen, në radhë të parë, si dokumenta identifikimi për zgjedhjet dhe si të tilla u duhen krijuar kushte, jo grupeve të veçanta, por gjithë qytetarëve shqiptarë për ti pasur, tha Xhufi. Ai deklaroi se nëse qeveria nuk lëviz nga qëndrimi i saj për të manipuluar edhe kësaj radhe zgjedhjet, nën kupolën dhe nën shfaqjen e realizimit të obligimit për pajisjen me karta identiteti,mund të ketë dhe masa ekstreme.

Last Updated on Saturday, 18 April 2009 16:44

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›