Konini: Kriza nuk na prek, do rrisim me 25 % kredinë për fermerin
Unioni i Kursim-Kreditit rrit me 25% portofolin e kredisë
Sigurimi i financimeve, garanci për shtimin e numrit të kredive
Fermerët shqiptarë, që kërkojnë financime nga institucionet financiare të mikrokredisë, për vitin 2009 do të kenë një mbështetje më të madhe sa një vit më parë. Shoqëritë e Kursim-Kredive japin garancinë se nuk do të preken nga kriza, pasi ato kanë likuiditet dhe kanë gjetur financime jo vetëm për vitin 2009. Ky union i SHKK-ve do të rrisë për vitin 2009 me rreth 20-25 për qind portofolin e kredisë, duke shtuar kështu numrin e fermerëve që do të marrin kredi dhe të zhvillojnë aktivitetin e tyre. Në datën 17 prill 2009, në Budva zhvilloi punimet Asambleja e 8-të e Përgjithshme e Unionit Shqiptar Kursim Kredi, me përfaqësues të 103 shoqërive kursim-kredish, anëtare të tij. Analiza njëvjeçare e aktivitetit financiar të Unionit dhe objektivat e plan-biznesit të 2009, ishin në qendër të prezantimeve dhe diskutimeve që u mbajtën gjatë punimeve të kësaj asambleje. Zana Konini, kryetare e bordit drejtues të Unionit të Kursim-Kreditit, në një prononcim dhënë për gazetën “standard”, tha se megjithëse viti 2008 mund të jetë konsideruar si vit i vështirë, unioni e mbylli duke realizuar objektivat që kishte. “Për vitin 2009, ne pretendojmë të rrisim me 20-25 për qind të gjithë treguesit statistikorë dhe financiarë të institucionit, do të forcojmë disiplinën financiare për ruajtjen e një cilësie të mirë të portofolit, duke futur produkte të reja. Ne do të insistojmë në konsolidimin e SHKK-ve nëpërmjet bashkimit të tyre, duke përmbushur detyrimet dhe kërkesat e autoritetit tonë mbikëqyrës, Bankës së Shqipërisë, të jemi në gjendje të përgjigjemi sa më mirë nevoja të anëtarëve me qëllim zhvillimin e fermës dhe përmirësimin e jetesës në zonën rurale”, - është shprehur Konini. Nga ana tjetër, ai siguron se shoqëritë e kursim-kreditit nuk do të ndjejnë efektet që përcjell kriza financiare botërore, duke garantuar kështu mbështetjen me kredi për fermerët dhe banorë të tjerë në zona rurale.
“Një nga elementët ku mund të ndihet kriza financiare, është mungesa e burimeve financiare, por ne tashmë i kemi siguruar burimet e financimit megjithatë, asambleja përcaktoi detyrat dhe objektivat e veta në përzgjedhjen e klientët, për të zhvilluar aktivitetin e vet, me një disiplinë akoma më rigoroze financiare, në mënyrë që të mos kemi probleme për sa i përket portofolit”, - tha Konini. Sipas saj, fakti qe SHKK-të punojnë me fermerin e vogël shqiptar, i cili prodhon mallra bujqësore të konsumit të përditshëm, i bën të besojnë se kërkesa në treg do të vazhdojë të jetë për këto produkte dhe biznesi i anëtarëve të tyre do të vazhdojë të zhvillohet për vitin 2009. Por sipas saj, garancia më e madhe, se kriza nuk do të prek këto shoqëri, është sigurimi i financimit. “Unioni i Kursim-Kredit ka likuiditet dhe burimet e financimit janë të padiskutueshme dhe ne i kemi siguruar jo vetëm për 2009, por edhe më tej”, - theksoi Konini. Një fakt që tregon se institucionet e mikrofinancës janë të besueshëm dhe kanë një marrëdhënie korrekte mes tyre dhe klientëve, është treguesi i nivelit të kredive të këqija. Sipas Koninit, për vitin 2009, niveli i kredisë së keqe ka qenë 1.45 për qind.
Unioni, kapitali arrin në 1.2 miliard lekë
Unioni Shqiptar Kursim-Kredi si një institucion mikrofinance i licencuar nga Banka e Shqipërisë, vazhdon të ketë si synim të tij kreditimin e fermerëve për zhvillimin e zonës rurale. 17 vjetët e mikrokredisë rurale dëshmojnë për përkrahjen dhënë mijëra fermave fshatare, duke ofruar shërbime financiare të nevojshme për konsolidimin dhe zhvillimin e biznesit të tyre, krijimin e vendeve të punës, përmirësimin e kushteve të jetesës dhe zhvillimin e vazhdueshëm të zonës rurale. Ai e realizon këtë objektiv në bashkëpunim të ngushtë me partnerët e tij, qeverinë shqiptare, Bankën Botërore, Koperacionin Spanjoll, FIDES, Rabobank. Vetëm në fund të vitit 2008, Unionit SHKK iu akordua një linjë kredie prej 10 milionë eurosh nga Kooperacioni Spanjoll.
Aktualisht, Grupi Union SHKK shtrihet në 16 rrethe të vendit, në 850 fshatra të tij dhe numëron 25.000 anëtarë. Ky institucion zotëron një portofol kredie dhe depozitash përkatësisht në shumat 3.6 dhe 1 miliard lekë. Gjithashtu, kapitali i Grupit Union SHKK ka ardhur gjithmonë në rritje, dhe aktualisht ai mban vlerën e 1.2 miliard lekëve.
Rezultatet e deritanishme të Grupit Union SHKK bënë që për 2 vite radhazi (2007 & 2008), ai të renditet ndër 20 institucionet mikrofinanciare më të mira në botë, vlerësuar nga platforma botërore e mikrofinancës MIX.
Kredia, kërkesat në varësi të zonave
Interesi për të marrë kredi nga institucionet e mikrofinancës është gjithnjë në rritje, por arsyet pse fermerët apo individët e kërkojnë atë për të zhvilluar aktivitetin kanë një ndryshim në varësi në zonës ku jetojnë. Nëse në jug pranë SHKK-ve, merret kredi edhe për zhvillimin e aktiviteti të turizmit, në veri kredia më së shumti merret për bujqësi apo blegtori. Përfaqësuesi i shoqërive në qytetin e Vlorës, Fatosh Danaj, tregoi se
kërkesa për kredi në këtë qytet bëhet edhe për turizmin, por edhe vreshtari dhe pajisje tregtie. Sipas të dhënave në Vlorë, rreth 40 për qind e kredisë në 2008 është dhënë për sektorin e tregtisë, ndërsa 60 për qind është dhënë për sektorin e shërbimit dhe të bujqësisë. Ndërsa në qytetet e veriut, ky proces i përshtatet dhe riteve të zonave. Besueshmëria tek kredimarrësi krijohet bazohet edhe tek virtyti i tyre, tek besa. Një burrë i besës mban fjalën dhe pse jo, kjo mes tyre shërben si garanci për kthimin e kredisë. Përfaqësuesi i qytetit të Shkodrës për SHKK-të, tregon se ka ndodhur, që tre vëllezër kanë marrë kredi dhe karakteri burrëror i tyre, ka qenë “garanti” për të marrë financimin. “Ata paratë i kthyen, e morën kredi tjetër. Kjo dha impakt në zonë, u rrit kërkesa për kredi. Aty ku investohet, paraja e rrit vlerën e saj”, - tha Spahia, përfaqësues i Shkodrës. Sipas tij, kërkesat kryesisht në këtë zonë për kredi janë për bujqësi, sera, blegtori.