E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Brenda pranverës tjetër, të barabartë me çdo qytetar të Evropës



Ministri ka ritheksuar premtimin për heqjen e vizave

Sipas tij, pasaportat biometrike do jenë vendimtare

Pranvera e vitit tjetër do i gjejë shqiptarët më pak të stresuar për të marrë një vizë, që të vizitojnë njerëzit e tyre jashtë vendit, apo të provojnë ndonjë punë të re në një shtet tjetër. Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, ka garantuar se brenda pranverës tjetër kjo gjë do të jetë e mundur, ndërkohë që viti 2009 do të jetë vendimtar për përmbushjen e anës teknike të liberalizimit të vizave. Ashtu siç kanë pranuar dhe autoritetet e Brukselit, vetëm në vitin 2010 do të hyjë në fuqi një gjë e tillë, duke bërë të mundur lëvizje të lirë të njerëzve brenda vendeve “Shengen”. Në takimin e zhvilluar me banorë të Komunës Shezë të Peqinit, ministri Basha ka dhënë garanci se katër vitet e mandatit të dytë qeverisës të mazhorancës së djathtë do t’i bëjnë shqiptarët dëshmitarë të një mirëqenieje, që asnjëherë Shqipëria nuk e ka pasur, themelet e së cilës tashmë janë hedhur. Edhe në këtë takim, ministri Basha ka premtuar se brenda pranverës së ardhshme, qytetarët shqiptarë do të jenë të lirë e të barabartë me çdo qytetar të Evropës. “Në katër vitet e ardhshme, ne do të bëjmë një progres galopant drejt ëndrrës tjetër të shqiptarëve, anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Brenda prillit të vitit që vjen, mazhoranca e rivotuar e Sali Berishës nga qytetarët shqiptarë do të bëjë të mundur që çdo qytetar shqiptar që posedon pasaportën biometrike të Republikës së Shqipërisë, pa asnjë vizë në të, të lëvizë në çdo vend të hapësirës “Shengen” si një qytetar i lirë dhe kurrë më, as pasaporta, as nderi e as dinjiteti juaj nuk do të nëpërkëmben”, - është shprehur Basha. Duke cilësuar si shumë të rëndësishme pajisjen me letërnjoftimet elektronike, ministri Basha dënoi ashpër qëndrimet bojkotuese dhe bllokuese të Edi Ramës ndaj këtij procesi. Basha u shpreh se kreu socialist po përbalt procesin jetik të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti dhe pasaporta biometrike, vendimtare për përmbylljen e lëvizjes së qytetarëve pa viza në Evropën e Bashkuar, për qëllime të ngushta politike. Ndërkaq ministri Basha ka premtuar se në katër vitet që vijnë, pensionet e dyfishuara dhe infrastruktura moderne do të jenë një realitet i prekshëm për çdo shqiptar. “Në emër të Kryeministrit Berisha, ju siguroj se në 4 vitet e ardhshme do të dyfishohen pensionet në fshat. Ju siguroj se në 4 vitet e ardhshme nuk do të ketë rrugë rurale që lidh fshatrat me qendrat e komunave që nuk do të jetë plotësisht e asfaltuar. Sot, ne kemi 400 milionë euro në bankat tona nga qeveria japoneze, amerikane dhe qeveri të tjera mike, për të nisur projektet në mbarë Shqipërinë”, - ka theksuar ai. Por ai ka sulmuar dje kreun e opozitës, duke e akuzuar se po përdor çështjen e kartave për të tërhequr vëmendjen nga skandali i KRRT-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›