E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aplikimet për kartat shtyhen edhe 3 ditë

16/06/2009  Ministri i Brendshëm nxit qytetarët të vazhdojnë aplikimet edhe këto ditë

Bujar Nishani rezervohet për hetimet e vrasjes së deputetit Xhindi

TIRANE- Ministria e Brendshme ka vendosur të shtyjë edhe me 3 ditë të tjera afatin për aplikimet për kartat e identitetit. Në një dalje publike vetë drejtuesi i këtij dikasteri Bujar Nishani bëri publik dje vendimin në një komunikim për median. Gjatë deklaratës së tij ministri Nishani informoi se zyrat e gjendjes civile do të qëndrojnë të hapur deri më datën 18 qershor dhe orari i punës së tyre do të jetë nga ora 08:00 e mëngjesit në 22:00 të mbrëmjes. Ministri i Brendshëm përsëriti apelin për të gjithë qytetarët që të tërheqin kartat ndërsa informoi se deri tani kanë aplikuar mbi 1 milion e 360 mijë qytetarë. Sipas ministrit të Brendshëm, çdo ditë mund të shpërndahen deri në 40 mijë karta identiteti në ditë, duke vlerësuar kështu se ende ka kohë për të vazhduar ky proces, mjaft i debatuar deri tani në politikën shqiptare. Gjithashtu Nishani bëri të ditur se policia ka marrë të gjitha masat për të ruajtur rendin dhe qetësinë në këto ditë të mbetura të fushatës elektorale si dhe gjatë procesit zgjedhor. “Është një fakt i qartë që në listat e votuesve në Shqipëri janë 3.084 000 qytetarë, nga të cilët deri në 1.4 milionë prej tyre shkojnë në zgjedhje, ndërkohë që ne do të shpërndajmë rreth 1.4 milionë letërnjoftime elektronike, pa llogaritur se shumë prej tyre kanë pasaportë për jashtë shtetit. Në Shqipëri nuk marrin pjesë 100% e zgjedhësve, duke përjashtuar shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, pra, po ta krahasojmë me listën e votuesve, jo më shumë se 50% e tyre shkojnë për votim”, pohoi Nishani. Sipas tij, të gjithë qytetarët, të cilët nuk e kanë pasur një pasaportë, i kanë pasur të gjitha mundësitë dhe lehtësirat maksimale që nga dita e fillimit të procesit, që të aplikonin për letërnjoftimin elektronik, duke përjashtuar mundësinë e pengimit qoftë edhe të një individi për të aplikuar. Nishani theksoi se në një vend demokratik është në dëshirën e gjithsecilit të marrë apo jo pjesë në zgjedhje, çka nuk varet në dëshirën e qeverisë apo opozitës. Ndërkohë për sa i përket interesimit të mediave lidhur me hetimet që po zhvillohen ndaj vrasjes së deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi, ministri Nishani shprehet tepër i rezervuar për të dhënë informacion mbi ekzekutimin e të ndjerit. Deputeti Xhindi u vra më 2 maj të 2009-s afër banesës së tij në Roskovec të Fierit. Ndonëse kanë kaluar mbi një muaj policia ende nuk ka zbardhur motivin apo autorët e dyshuar për këtë vrasje. Familjarët disa herë kanë kërkuar nga shteti zbardhjen e ngjarjes si dhe arrestimin e autorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›