E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vermoshi pa ambulancë, mjekë nga Mali i Zi

16/06/2009  Një vizitë kushton 80 euro

SHKODER- Banorët e fshatit Vermosh, më të skajshmit verior të vendit, kërkojnë ndërhyrjen emergjente të qeverisë për rikonstruksionin e plotë të qendrës së tyre shëndetësore dhe njëkohësisht marrjen e masave për dërgimin e një personeli të kualifikuar mjekësor, i cili mungon prej vitesh. Kërkesë emergjente e banorëve të Vermoshit është dhe furnizimi me medikamente, pasi aty nuk ka asnjë farmaci. Sipas banorëve të Vermoshit, qendra shëndetësore e tyre u ndërtua e re para dhjetë vitesh, por cilësia e dobët e punimeve solli shkatërrimin e saj vetëm një vit më pas, si pasojë e reshjeve të shumta të dëborës dhe stuhive. Tashmë kjo qendër shëndetësore ka dalë krejtësisht jashtë përdorimit ndaj duket një rikonstruksion i plotë i saj. Nga ana tjetër rreth 1500 banorë të këtij fshati të thellë malor nuk kanë mundësi të vizitohen, apo mjekohen në fshatin e tyre, pasi mungon si mjeku ashtu dhe infermieri. Vermoshasit janë të detyruar të gjejnë zgjidhje tek mjekët e Malit të Zi, meqë kufiri është afër tyre. Në rastet e vizitave të ndryshme banorët shkojnë vetë në Mal të Zi, por në sëmundje të rënda janë të detyruar të thërrasin mjekun malazez, i cili shkon në Vermosh kundrejt një pagesë tepër të rëndë për xhepat e banorëve të zonës në fjalë. Sipas tyre, mjeku malazez duhet të paguhet me 50 euro për vizitën dhe 25 euro për rrugën nga Mali i Zi në Vermosh. Kjo është një shumë e konsiderueshme, por fatmirësisht shumica e familjeve kanë fëmijë në emigracion që u paguan para.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›