Aplikimi, mungesa e kuponëve bllokon procesin
Në Qarkun e Beratit, procesi i pajisjes së qytetarëve me karta identiteti dhe pasaporta biometrike po ecën me ritme jo normale, ndërkohë që fluksi i aplikuesve ka pësuar një rritje të shpejtë ditët e fundit. Sipas operatorëve të qendrave të aplikimit, procesi i aplikimeve është shoqëruar me ndërprerje të vazhdueshme dhe për arsye të ndryshme. Vetë qytetarët, që u drejtohen përditë qendrave të aplikimit dhe mbajnë radhët e gjata për orë të tëra pa kryer punë, përmendin ndërprerjen e sinjalit të internetit, ndërprerjen e energjisë elektrike, mungesën e kuponëve të aplikimit në sportelet e Albapostës, ngadalësinë e kryerjes së aplikimeve nga operatorët, mbylljen e disa qendrave të aplikimit etj. Por vetë operatorët ankohen vetëm për ndërprerjen e sinjalit të internetit, e ndoshta edhe për mungesën e kuponëve të aplikimit në tri-katër ditët e fundit, ndërkohë që kthimi i emigrantëve për pushime është shoqëruar me rritjen e kërkesave për pajisjen me dokumentet e reja të identifikimit. Problemi më i fundit, siç mësohet, është ai i mungesës së kuponëve për letërnjoftim në sportelet e shitjes, gjë e cila ka bllokuar thuajse totalisht edhe aplikimet për pasaporta biometrike. Por, prefekti i Qarkut të Beratit, Kostandin Lefta, tha se funksionojnë 21 qendra aplikimi, ndërkohë që ditët e fundit janë mbyllur tri qendra aplikimi nga firma "Sagem", në komunat: Tërpan, Gjerbës dhe Çepan. Lefta sqaroi se institucioni që ai drejton është duke e ndjekur procesin dhe duke informuar rregullisht instancat e larta të shtetit.