Bllokohet aplikimi për dokumente të reja
Bllokohet procesi i pajisjes me karta identiteti dhe pasaporta biometrike në zyrën e aplikimit pranë Bashkisë së Korçës. Ata që e vuajnë më shumë këtë anomali janë emigrantët. Qindra të mërguar nga Korça, që kanë ardhur me pushime në këtë sezon vere, duan të shfrytëzojnë qëndrimin e tyre edhe për t‘u pajisur me dokumente të reja identifikimi, kryesisht pasaporta biometrike, por ata nuk arrijnë t‘i këto kryejnë procedura. Prej disa ditësh, emigrantët e interesuar qëndrojnë në radhë para dyerve të zyrës së aplikimit dhe nuk arrijnë të mbarojnë punë. Kjo situatë e rënduar prej të paktën 4 ditësh me bllokimin e procesit ka sjellë sërish radhë për emigrantët, këtë herë jo në doganë, por në zyrën e aplikimit. Nënkryetari i Bashkisë së Korçës, Arjan Bejko, ka dalë në një konferencë për shtyp për të sqaruar këtë gjendje që, sipas tij, nuk është aspak përgjegjësi e institucionit të pushtetit lokal. Ai ka fajësuar për këtë kompaninë private të kontraktuar. Numri dy i Bashkisë së Korçës tha se "nga ana e bashkisë nuk ka asnjë detyrim në këtë proces, pasi janë afruar vetëm ambientet për kryerjen e këtij procesi, pa ndonjë detyrim tjetër. Përgjegjësia i takon kompanisë private, që duhet të sigurojë operatorët e nevojshëm në punë dhe mbarëvajtjen e logjistikës", tha Bejko. Ai kërkoi nga kompania private që të rivihen në punë operatorët e nevojshëm për të përballuar këtë fluks njerëzish, të cilët kërkojnë të pajisen me pasaporta biometrike, si edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile që të normalizojë sinjalin e internetit.