Pasaportat biometrike, zgjaten oraret e aplikimit
Fluksi në rritje i aplikimeve nga emigrantët për pasaportat biometrike detyron Ministrinë e Brendshme të tejkalojë orarin zyrtar të punës në zyrat e aplikimit të dokumenteve të identitetit. Ministria e Brendshme vendos të lërë të hapura për 11 orë në ditë zyrat për aplikimin e pasaportave elektronike. Shkak për këtë vendim në pikun e verës janë bërë radhët e gjata të krijuara në zyrat ku aplikohet për kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike nga emigrantët, të cilët e kanë të limituar qëndrimin në Shqipëri. Duke filluar që nga data 12 gusht deri në fund të muajit, zyrat e aplikimit të pasaportave biometrike dhe kartave të identitetit do të qëndrojnë të hapura me orë të tejzgjatura. Vendimi është vetëm për disa qytete dhe jo për të gjitha zonat e vendit. Ministria e Brendshme vendosi dje të publikojë zgjatjen e orarit të aplikimit për pasaporta dhe letërnjoftime elektronike. Zyrat e aplikimit do të hapen në orën 08.00 dhe do të mbyllen në orën 19.30. Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja. "Duke filluar nga datë 12 gusht, deri në fund të muajit, do të punohet nga ora 08.00 e mëngjesit deri në orën 19.30 të mbrëmjes, në zyrat e aplikimit për letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike në: Tiranë, Kamzë, Bathore, Elbasan, Durrës, Fier, Patos, Lushnjë, Shkodër, Lezhë, Vlorë, Berat, Korçë dhe Gjirokastër", tha Konja. Me këtë zgjatje të orarit synohet të përballohet pa problem fluksi i kërkesave të qytetarëve gjatë këtij muaji për pajisjen me dokumentet e reja të identitetit. Ministria e Brendshme u bën thirrje në mënyrë të përsëritur të gjithë qytetarëve që të vijojnë aplikimin për letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat e reja biometrike, duke i garantuar se do të krijojë të gjitha lehtësitë e duhura, kurdo që të jetë e nevojshme. Pajisja e shtetasve me pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit janë kushti kryesor që duhet të plotësojë Shqipëria për të përfituar nga liberalizimi i vizave. Dokumentet e vjetra të identitetit do të dalin nga qarkullimi në janar të vitit 2011, ndërsa certifikatat do të jetë të vlefshme deri më 31 dhjetor 2009 dhe më pas asnjë institucion shtetëror nuk do t‘i quajë ato të vlefshme. Zëdhënësi Konja bëri të ditur se në këto zona orari i punës do të jetë mbi tetë orë për të plotësuar çdo kërkesë të qytetarëve shqiptarë. Deri tani, sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme, brenda një dite aplikohet për mbi 2500 pasaporta biometrike dhe deri tani numri total i kërkesave i ka kaluar 80 mijë aplikime.