E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha ngushëllon familjarët e katër dëshmorëve

Kryeministri Sali Berisha vizitoi dje familjarët e katër dëshmorëve që humbën jetën të premten e 7 gushtit gjatë kapjes së bandës kriminale të Dritan Dajtit. Kryeministri ishte dje në familjet e katër oficerëve të Policisë së Shtetit, drejtuesit Fatos Xhani dhe kryeinspektorëve Saimir Duçkollari, Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, duke u shprehur ngushëllimet e tij për humbjen e njerëzve të tyre më të dashur. Kreu i qeverisë premtoi rishikimin e statusit të policëve dhe dënimin maksimal të autorit të krimit dhe bandës së tij. "Të katërt ranë vetëm e vetëm se donin të zbatonin ligjin. Me një heroizëm të pashembullt është integriteti i tyre, që të lë përshtypjen më të jashtëzakonshme. Kanë rënë në mënyrë heroike, kanë rënë vetëm e vetëm për t‘u sjellë si shërbëtorë të një populli të lirë", u shpreh Kryeministri. Duke e cilësuar aktin e tyre heroik, Kryeministri Berisha u shpreh se kjo është një dhimbje që, po aq sa familjarët, e kanë ndjerë të gjithë shqiptarët, sepse ata dhanë jetën për atë që është më e shtrenjtë për të gjithë shqiptarët, për sigurinë, qetësinë, rendin dhe ligjin. "Dhimbja është e madhe, por banda u eliminua dhe kjo është ngushëllim për jetën e tyre", tha Berisha. Sipas tij, beteja kundër krimit është një betejë jetike për shqiptarët dhe sakrifica e efektivëve të policisë ka qenë, është dhe do të jetë përcaktuese për të ardhmen e vendit tonë. "Ata ishin më të mirët e më të mirëve, kishin një karrierë të shkëlqyer dhe ranë vetëm sepse donin të zbatonin ligjin. Ata nuk donin të qëllonin, por të zbatonin ligjin. Mes të qenit gjallë dhe zbatimit të ligjit, ata zgjodhën ligjin, sepse ata janë heronj dhe faktuan se ky është morali dhe shpirti i policisë. Ata ranë për t‘u sjellë si shërbëtorë të një vendi të lirë", tha ai. Gjithashtu, kreu i qeverisë premtoi se krimineli dhe banda e tij do të marrë ndëshkimin e merituar. "Ai meriton dënimin më të madh që mund të marrë dhe unë kam besim që do ta marrë. I vrau bisha e tërbuar, sepse ata nuk e vranë, mund ta vrisnin 100 herë, por iu përmbajtën ligjit", vijoi Berisha. Kryeministri Berisha siguroi se lufta pa kompromis kundër krimit të organizuar është dhe do të jetë në qendër të përpjekjeve të qeverisë dhe të të gjitha strukturave të rendit në vend. "Nuk ka gjë më të rëndësishme për ne se lufta kundër krimit të organizuar dhe ky ishte një rast që na nxit të rishikojmë çështjen e ligjeve të luftës ndaj krimit", tha ai. Duke shprehur jo vetëm dhimbjen e thellë, por edhe solidaritetin me fëmijët, bashkëshortet dhe familjarët, Kryeministri Berisha i siguroi se qeveria do të qëndrojë në mbështetje të plotë të tyre dhe do të ndërmarrë vendime të tjera që rishikojnë statusin e të rënit në krye të detyrës. "Të jeni të sigurt, u shpreh Kryeministri, se përveç të dashurve tuaj, asgjë nuk do t‘u mungojë fëmijëve dhe familjarëve të të rënëve, pasi sakrifica e tyre meriton çdo mbështetje ndaj jush", tha Berisha. Fatos Xhani, Saimir Duçkollari, Kastriot Feskaj dhe Altin Dizdari humbën jetën gjatë operacionit policor të premten e shkuar për arrestimin e të shumëkërkuarit Dritan Dajti.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›