E Diel, 1 Nëntor 2026

Godo, Berishës: Kujdes me republikanët

Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga publikimi i kabinetit të ri qeverisës, republikanët shtojnë presionin ndaj demokratëve. Duket qartë se deri më tani Kryeministri Sali Berisha nuk u ka premtuar asgjë aleatëve të tij republikanë, të cilët ende nuk e kanë të qartë nëse do të jenë të përfaqësuar në qeverinë e re dhe se me çfarë posti. Presidenti i Nderit të PR-së, Sabri Godo, i kujtoi dje Kryeministrit Sali Berisha se duhet të mendohet mirë para se të publikojë emrat e ministrave, duke vënë në peshore kontributin politik të secilit aleat. Sipas republikanit Godo, PR-ja ka një kontribut të madh në politikë kryesisht në spektrin e djathtë, ndaj meritojnë të jenë të përfaqësuar në kabinetin e ri qeverisës. Godo deklaroi dje për mediat se me hapjen e negociatave pas 20 gushtit ai do t‘i kërkojë Kryeministrit Berisha që PR-ja të vazhdojë të përfaqësohet me ministrinë aktuale e cila drejtohet nga Anila Godo. Por dihet tashmë se Ministria e Shëndetësisë që mbahet në drejtim për gati një vit nga republikanët është një ministri e lakmuar edhe nga LSI-ja. Duke pasur parasysh faktin se tashmë Ministria e Shëndetësisë që drejtohet nga PR-ja është në "shënjestrën" e LSI-së, Godo i ka kujtuar kreut të qeverisë se për këtë parti janë të pranueshme edhe Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Bujqësisë. Sipas republikanit Godo, Kryeministri Berisha duhet të krijojë një kabinet qeverisës sipas kontributit real të çdo aleati. Ndaj, theksoi ai më tej, pavarësisht se në zgjedhjet e 28 qershorit PR-ja arriti të marrë vetëm një deputet, ajo arriti t‘i japë PD-së katër deputetë të tjerë me votat e saj, duke i konfirmuar një rezultat më të lartë se socialistëve. Gjithashtu, Godo nuk bën shumë komente në lidhje me futjen në koalicionin e djathtë të LSI-së duke theksuar se kjo ishte një zgjidhje e detyruar dhe nëse përjashtohej, të djathtët humbnin shansin e krijimit të qeverisë. Por Godo nuk mund të vërë shenja barazie mes LSI-së dhe PDI-së apo të heqë paralele mes kësaj të fundit dhe PR-së, duke theksuar se "nuk duhet të spekulohet me këtë situatë, secili të përfaqësohet sipas kontributit". PDI-ja ishte surpriza e këtyre zgjedhjeve duke arritur të marrë një deputet, ndërkohë që parti të tjera, të cilat kishin nga 7 deputetë apo nga 5 deputetë në Parlamentin që sapo u mbyll nuk arritën të rifuteshin më jo me 7 apo 8 deputetë, por as me një të tillë. PR-ja në zgjedhjet e vitit 2005 arriti të marrë falë sistemit zgjedhor 11 deputetë, duke ua lehtësuar kështu punën negociatave me Kryeministrin Berisha për përfaqësimin e saj në qeveri. Kreu i qeverisë i besoi PR-së një nga ministritë më të rëndësishme, atë të Mbrojtjes, por tashmë pas katër vitesh gjërat kanë ndryshuar. PR-ja me sforco të madhe mezi arriti të merrte një mandat deputeti, pra të përfaqësonte kryetarin Mediu në Kuvend. Megjithëse me një mandat deputeti, republikanët mendojnë se peshën e kanë njëlloj ndaj i kërkojnë Kryeministrit Berisha që të jenë sërish në qeveri dhe t‘u besohet ashtu si katër vjet më parë një ministri e rëndësishme. Por sesa do të merret parasysh kërkesa e tyre dhe cili do të jetë niveli i përfaqësimit të PR-së në qeveri kjo mbetet për t‘u parë pas 20 gushtit. Datë kur është paralajmëruar të zhvillohet takimi midis Kryeministrit në detyrë, Sali Berisha, dhe kreut të LSI-së, Ilir Meta. Deri më tani nga burime brenda Kryeministrisë bëhet e ditur se PR-ja ka pak shanse të përfaqësohet në rang ministri në qeveri. Përfaqësimi i vetëm që republikanët pritet të kenë është ai në nivel zëvendësministrash dhe drejtorë drejtorish.

Godo:

Qeveria të reagojë

për rastin e Matit

Sabri Godo ka komentuar dje edhe vizitën e hetuesve të Këshillit të Europës në fshatin Gurrë të rrethit të Matit, vend tek i cili bazohen akuzat e Karla Del Ponte se është bërë trafik organesh me ushtarët serbë. Sipas Godos, vizitat e hetuesve të KE-së janë me prapavijë politike. "Qëllimi i këtij hetimi është të hidhet hija e dyshimit mbi dy vendet, Shqipërinë e Kosovën", tha Godo. Gjithashtu, ai kritikoi heshtjen e qeverisë shqiptare duke thënë se po mban debatet e hapura në mënyrë artificiale, ndaj qeveria duhet të reagojë. "Mosreagimi i qeverisë mban debatin e ndezur, pasi me akte të tilla synohet ngadalësimi i njohjes së Kosovës", theksoi ai. Gjithashtu, ai ka theksuar se i mirëkuptonte banorët e Gurrës të cilët, sipas tij, reaguan sepse u akuzuan si bashkëpunëtorë në trafikimin e organeve. Hetimi i KE-së në fshatin Gurrë të Matit është bërë pas akuzave që ish-prokurorja e Hagës, Karla Del Ponte, ka bërë në librin e saj "Gjuetia".

PR:

Është e nevojshme

një reformë në bujqësi

Referuar vendimit të qeverisë për t‘ia marrë tokën e papunuar pronarit dhe për t‘ua dhënë atyre që e punojnë, republikani Godo vlerësoi se është e nevojshme një reformë bujqësore për të parë në çfarë gjendje është prona sot. Sipas tij, prona nuk mund t‘i merret kaq lehtë pronarit të vjetër, por duhen parë dhe shkaqet pse ai nuk arrin dot ta punojë atë. Pak ditë më parë, në mbledhjen e qeverisë, Berisha kërkoi që të hartohej një projektligj për të kufizuar të drejtën e përdorimit të tokës bujqësore kujtdo që nuk e punon atë. Sipas Kryeministrit, ky ligj i kalon tokat e papunuara në fondin e komunës, e cila është e detyruar ta japë atë me taksën e të 10-ës. Duke iu referuar nismës së lançuar nga Kryeministri, komuna ka të drejtë që tokën e papunuar t‘ia japë dikujt tjetër për shfrytëzim dhe pronarit legjitim t‘i paguajë 10%. Kryeministri e ka cilësuar fenomenin "tokë e papunuar" si një dëm të rëndë të interesit publik për vendin.

Kërkesa

"Parlamenti duhet të

ndryshojë Kodin Zgjedhor"

Pas LSI-së, PDK-së, PAD-së dhe partive të tjera të vogla, të cilat mbetën jashtë përfaqësimit në Kuvend në zgjedhjet e 28 qershorit, "pro" ndryshimit të Kodit Zgjedhor është shprehur dje edhe PR-ja. Nëpërmjet Presidentit të Nderit, Sabri Godo, kjo forcë politikë deklaroi se Kodi i ri Zgjedhor i miratuar gati një vit më parë nga PD-ja dhe PS-ja duhet të ndryshohet. Sipas Godos, ky ndryshim duhet të bëhet për faktin se partitë nuk vlerësohen në bazë të elektoratit që ata kanë. Kodi i ri Zgjedhor e ka ndëshkuar mjaft PR-në, e cila nga 11 deputetë që kishte për katër vjet me radhë në Kuvend duke shënuar një rritje të konsiderueshme si parti, në zgjedhjet e 28 qershorit me zor arriti të merrte një deputet. Sipas PR-së, ky ndëshkim ndaj tyre erdhi për shkak të sistemit zgjedhor. Ashtu si partitë e tjera të vogla dhe PR-ja kërkon që politika të ulet seriozisht për të diskutuar ndryshimin e kodit dhe gjetjen e një formule të pranueshme për të gjitha forcat politike.

Postet

Përfaqësimi i PR-së

në 4 vite në qeveri

Pozicioni i republikanëve gjatë katër viteve të qeverisjes së PD-së ka qenë mjaft i rëndësishëm. Me krijimin e qeverisë së re, Berisha u besoi aleatëve të tij më besnikë një nga ministritë më të rëndësishme, atë të Mbrojtjes. Ministri e cila u drejtua nga vetë kryetari i PR-së, Fatmir Mediu. Ky i fundit e drejtoi këtë institucion për gati tre vjet më radhë duke iu shpëtuar të gjitha ndryshimeve që Berisha ka bërë herë pas here i detyruar nga dorëheqjet apo marrëdhëniet e PD-së me aleatët e tjerë. Pozitat e PR-së u tronditën pas shpërthimit të Gërdecit ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën shumë të tjerë. Fajtore për këtë tragjedi u konsiderua Ministria e Mbrojtjes, pasi shpërthimi ndodhi në një depo të demontimit të armëve. Pas këtij shpërthimi, Mediu u detyrua të japë dorëheqjen nga posti i ministrit, duke u mjaftuar me Ministrinë e Shëndetësisë, e cila këtë herë nuk do të drejtohej më nga Mediu, por nga Anila Godo, vajza e Sabri Godos.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›