E Diel, 1 Nëntor 2026

Printeri nuk punon, nuk ka as certifikata

Fluks aplikimesh për pasaportat biometrike edhe në Durrës. Prishja e një printeri bllokon dhënien e certifikatave dhe procesin e aplikimit. Ardhja e emigrantëve në atdhe për pushime dhe nevojat e tyre për pajisjen me dokumentacion të rregullt ka shtuar ndjeshëm numrin e aplikimeve për karta identiteti dhe pasaporta biometrike në të gjitha rajonet administrative të Bashkisë së Durrësit. Qytetarë të moshave të ndryshme, që nga foshnjat dhe deri te moshat e treta, qëndrojnë me orë të tëra në radhë, ndërsa nuk mungojnë as problemet që shkaktojnë vonesa të theksuara. Kështu, në rajonin nr. 4 të qytetit bregdetar, prishja prej 4 ditësh e printerit ka bllokuar dhënien e certifikatave, dokument bazë që kërkohet për të kryer aplikimet për kartë dhe pasaportën biometrike, përpos nevojave të tjera. Të irrituar, qytetarët durrsakë shprehen për këtë situatë dhe mungesën e informacionit se kur do të mund të kenë shërbimin që kërkojnë e të mos sorollaten kot zyrave, të cilat ofrojnë zhurmë, temperatura të larta dhe kërkojnë nerva të çelikta. Në zyrat e rajonit nr. 4, afër Drejtorisë së Policisë së Qarkut, dëgjon njerëz teksa largohen duke sharë për situatën e krijuar dhe kohën e humbur kot. "Nuk e kuptojmë këtë papërgjegjshmëri. Është dita e katërt që vij. Rri nga mëngjesi deri pasdite kur mbyllet, me shpresë se printeri do të rregullohet, dhe asgjë nuk ndodh. Askush nuk e di kur do ta rregullojnë", thotë një burrë i moshuar. Një tjetër qytetare që pret për certifikatë thotë se është emigrante dhe me këtë ritëm rrezikon të ngelë pa pasaportë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›