Aplikimi në BE, Basha bisedë me Bildt e Fratinin
Në prag të mbledhjes së Ministrave të Jashtëm të BE-së që do të mbahet të hënën, ministri Lulzim Basha i ka telefonuar homologëve të tij, Karl Bild i Suedisë dhe Franko Fratini i Italisë. Përshpejtimi i shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe heqja e vizave për qytetarët shqiptarë kryesojnë axhendën e diplomacisë shqiptare. “Karl Bildt, një nga njohësit më të mirë të Ballkanit dhe mbështetës i procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, ka siguruar se Presidenca Suedeze mbështet shqyrtimin pa vonesa të kërkesës së Shqipërisë për statusin e kandidatit si dhe përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për shtetasit shqiptarë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme shqiptare. Shqyrtimi i shpejtë i kërkesës së Shqipërisë është kërkuar publikisht edhe nga Ministri i Jashtëm i Italisë dhe ish zv/President i Komisionit Evropian, Franko Fratini, në një deklaratë publike bërë në Trieste. Kreu i diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha ka biseduar të premten në telefon me homologun e tij italian, i cili “rikonfirmoi vullnetin dhe angazhimin e palëkundur të Italisë për përmbushjen, në kohë të shpejtë të liberalizimit të regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë si dhe të shqyrtimit të kërkesës, siç e vlerësoi ai, tashmë të avancuar të Shqipërisë për kandidim në Bashkimin Evropian”.