“Kamberi të kthejë 1.2 mld lekë”
Fatos Mahmutaj
Ferdinand Kamberi, ish-bosi i piramidës "Kamberi Co", duhet t'iu kthejë kreditorëve të tij 1.2 miliardë lekë, të cilat i ka tërhequr nga arka e kompanisë së vet pak ditë para falimentimit. Gjykata e Tiranës ka vendosur katër ditë më parë të pranonte urdhrin e ekzekutimit të kërkuar nga administratorët e fajdeve, të cilët në vitin 1999 e kishin shpallur borxhli, vlonjatin Kamberi, ish-bosin e njërës prej firmave piramidale. Në vendimin që ka nxjerrë gjyqtarja kryeqytetase Alkelina Gazidede ka argumentuar se nga kërkuesi, administratori i pavarur i shoqërisë "Kamberi" sh.p.k në administrim, ka depozituar më datë 10 korrik pranë sekretarisë së kësaj gjykate kërkesën për shpalljen debitor të ish-bosit të kësaj kompanie, Ferdinand Kamberi. Sipas gjykatës, administratoret e përbashkët të shoqërisë "Kamberi" sh.p.k në administrim, pas studimit të dokumentacionit në lidhje me Ferdinand Kamberin, në zbatim të neneve 2, 5 dhe 8 të Ligjit 8471, datë 8 prill 1999 "Për nxjerrjen e detyrimeve debitore dhe rikthimin e vlerave pasurore në llogaritë e personave juridik jo bankar që kanë marrë hua nga publiku i gjerë", e kanë shpallur debitor Ferdinand Kamberin në shumën 117.145.916 lekë të reja. "Në nenin 5 të këtij ligji përcaktohet se vendimet e administratorëve janë tituj ekzekutivë. Sa më sipër, gjykata konkludoi se kërkesa e bërë është e bazuar në ligj e në prova dhe si e tillë duhet pranuar", argumenton gjykata. Shoqëria "Kamberi" në pronësi të 45-vjeçarit vlonjat Ferdinand Kamberi, në korrik 1995 ka filluar aktivitetin e huamarrjes nga publiku i gjerë, duke hapur arka të posaçme për grumbullimin e lekëve, aktivitet të cilin e ka vazhduar deri në daljen e ligjit 8188, datë 23 janar 1997 për ndalimin e skemave piramidale mashtruese të huamarrjes. Në procesin e zhvilluar në kryeqytet në nëntor të vitit 2002, u vërtetua se numri i kreditorëve të shoqërisë "Kamberi" ditën e mbylljes së huamarrjes ka qenë 14.955, të cilët janë banorë të qyteteve të ndryshme. Ndërsa borxhi që shoqëria u detyrohej kreditorëve të saj ishte në vlerën 6.373.166.862 lekë të reja, ose e konvertuar në valutë me kursin e kohës, llogaritet në vlerën 64.610.369 USD. Kurse vlera kontabël e aseteve të shoqërisë ishte 686.965.561 lekë të reja. Duke u nisur nga shifrat e kësaj situate financiare, është ndërprerë aktiviteti tregtar i shoqërisë "Kamberi", duke u vënë në administrimin e grupit të mbikëqyrjes. Po gjatë kësaj kohe, Ferdinand Kamberi ishte zhdukur duke tërhequr nga pas rreth 1.2 miliardë lekë të vjetra, të cilat ende nuk i ka kthyer. Emri i tij, aktualisht ndodhet në listën e personave në kërkim, por ende nuk është bërë e mundur arrestimi i tij. Aktualisht vendimi i shpallur nga gjykata pak ditë më parë është dërguar në zyrën e përmbarimit, ku pritet të ekzekutohet.
Vendimet e administratorëve
Sipas ligjeve në fuqi, vendimet e administratorëve të fajdeve konsiderohen tituj ekzekutivë dhe si të tillë dërgohen në gjykatë, ku lëshohet urdhri i ekzekutimit. Në rastin konkret, administratorët kanë shpallur debitor ish-bosin e firmës piramidale, për shumën rreth 1.2 miliardë lekë që ky i kishte tërhequr pak ditë para se organet shtetërore të ndërhynin për të bllokuar aktivitetin e kompanisë rentiere.