E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, biznesi: Banka të ulë interesat

 

Fabiola Çela

Për biznesin shqiptar, efektet e krizës do të sjellin detyrimisht ndryshimin e politikës fiskale. Në një intervistë të dhënë për gazetën, kreu i Dhomës së Tregtisë, Gjok Uldedaj, tani edhe me mandat deputeti në Parlamentin e ardhshëm, rendit një sërë kërkesash për qeverinë e re. Nga përshkallëzimi i TVSH-së deri te heqja e saj për makineritë dhe pajisjet. Por më imediate për biznesin është lehtësimi i kostos së kredisë. “Lehtësimi i politikës monetare mendoj se është një masë në kahun e duhur, e cila do të lehtësonte qarkullimin e kapitaleve në tregun ndërbankar, duke bërë kështu presion pozitiv për çlirimin e kredisë, por edhe uljen e kostos së saj”. Sidoqoftë, ideja e vjetër e Uldedaj për amnisti fiskale, në kushtet e krizës ekonomike, bëhet edhe më imediate për t’u zbatuar. “Ajo që biznesi ka kërkuar është gjetja e një formule për të legalizuar këto asete që të rritet sipërfaqja e kontaktit me sistemin bankar, që kompanitë të kreditohen dhe të ruajnë asetet dhe kapitalet e veta” 
Si kreu i Dhomës së Tregtisë, ju keni kërkuar disa herë amnisti fiskale. Sa asete mendohet të çlirohen nga ky lloj “legalizimi”?
Formalizimi i biznesit e rrit më tej vlerën e tij në treg, duke e bërë atë më të besueshëm. Kohë më parë ne jemi shprehur qartë, madje kemi qenë të parët që kemi kërkuar legalizimin e aseteve, duke dashur kësisoj të jemi të barabartë në vlerë dhe në punë me biznese të vendeve të tjera të zhvilluara. Në momentet që ne flasim qeveria shqiptare ka marrë hapat e saj në këtë drejtim, por që kërkon kohën e vet për t’u formalizuar. Kjo do të thotë se pa përfunduar një proces i tillë, nuk mund të flasim për shifra konkrete se sa asete çlirohen. Ka ardhur momenti që të saktësojmë kapitalet dhe vlerësimin e kompanive. Megjithëse ligji i ri i procedurave tatimore dhe futja e taksës së sheshtë apo ulja e tatimit mbi fitimin në nivelin 10 për qind, kanë krijuar hapësira që të ketë përmirësime në këtë drejtim. Ajo që biznesi ka kërkuar është gjetja e një formule për të legalizuar këto asete që të rritet sipërfaqja e kontaktit me sistemin bankar, që kompanitë të kreditohen dhe të ruajnë asetet dhe kapitalet e veta. Në vitet e para të konsolidimit të shtetit, por edhe si rezultat i taksave të larta, bizneset nuk kanë deklaruar saktë asetet e tyre, si synim për të mos paguar detyrime të larta për tatimorët. Tashmë ne mendojmë se ky veprim nuk mund të vazhdojë më, por për t‘i dhënë zgjidhje duhet një konsensus i gjerë mes biznesit dhe qeverisë, që besoj do të realizohet në një kohë të shkurtër dhe optimale.
Qeveria ka vendosur, nga mosrealizimi i të ardhurave si shkak i krizës ekonomike, të pezullojë investimet publike nga 3 gushti i këtij viti. Mendoni se ky hap do ta penalizojë biznesin?
Ky nuk mendoj se është një vendim për të penguar investimet publike, por për t’u treguar të kujdesshëm me to gjatë periudhës së dytë të vitit. Nga ana tjetër biznesi e ka gamën e veprimtarisë së tij shumë më të gjerë sesa ajo e investimeve me fondet publike, dhe nuk mund të jetë peng i tyre.
Raportet e Bankës së Shqipërisë flasin për tkurrje të kredisë dhe rritje të kostos së saj. A mendoni se një vendim i BSH-së për uljen e normës se interesit do t’i “detyronte” bankat të ulnin koston e kredisë?
Duhet të kemi parasysh që kjo krizë lindi fillimisht si një krizë financiare, pra e mungesës së likuiditetit në tregjet e kapitalit, çka solli tkurrjen e fortë të kredisë për ekonominë dhe biznesin si dhe rritjen e kostos së parasë. Ndaj jo më kot  lehtësimi i politikës monetare ka qenë një nga dy instrumentet kryesore që qeveritë dhe autoritetet bankare kanë përdorur dhe po vazhdojnë të përdorin për të zbutur pasojat e krizës. Në shtetet e Bashkuara të Amerikës, FED e ka ulur normën bazë të interesit si asnjëherë tjetër në gati 0 për qind, dhe të njëjtën politikë ka ndjekur dhe Banka Qendrore europiane. Në këtë kuadër sot ekonomia botërore dhe ajo shqiptare nuk po rrezikohen nga ndonjë krizë çmimesh, por po përballen me vështirësi në sigurimin e burimeve të financimit dhe me kosto mjaft të lartë të tij. Bankat kanë shtrënguar kushtet për kreditimin e sipërmarrjes, dhe normat e kredisë kanë shënuar rritje të fortë, çka pranohet edhe nga vetë Banka e Shqipërisë. Ndaj në këtë pikë lehtësimi i politikës monetare mendoj se është një masë në kahun e duhur, e cila do të lehtësonte qarkullimin e kapitaleve në tregun ndërbankar, duke bërë kështu presion pozitiv për çlirimin e kredisë, por edhe uljen e kostos së saj.   
A ka një plan Dhoma e Tregtisë për t’i propozuar qeverisë në lidhje me krizën ekonomike?
Siç dihet, efektet e krizës ekonomike botërore filluan të ndjehen në Ballkanin Perëndimor në dy tremujorët e fundit të vitit 2008. Ky është edhe konstatimi i Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa të Komisionit Evropian. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, qysh në fillim të këtij viti, u prononcua në lidhje me efektet e mundshme të kësaj krize në vendin tonë. Ne ishim të mendimit se kriza në Shqipëri është më tepër e perceptuar se sa e jetuar realisht, megjithatë mbështetëm idenë që duhen marrë masat e duhura për nxitjen e sektorëve, që në mënyrë indirekte kishin filluar të prekeshin. Në median e shkruar dhe vizive u bënë të njohura menjëherë propozimet e Dhomës së Tregtisë e Industrisë në formën e një plani-antikrizë. Në të njëjtën kohë, Dhoma tregoi gatishmërinë për të qenë pjesë aktive e organizimeve në nivel teknik për të marrë masat e duhura. Për këtë qëllim, u ngrit edhe Bordi Konsultativ - me ekspertë të ndryshëm të fushës juridike dhe ekonomike - për të biseduar dhe negociuar me administratën për këtë qëllim madhor.
Mund të kujtojmë se në këtë kuadër, në mbledhjen e përgjithshme të Asamblesë së Dhomës së Tregtisë (më 19 mars 2009) u dol me një paketë anti-krizë, propozime këto për qeverinë e para 28 qershorit. Mund të themi se një pjesë e këtyre propozimeve u morën në konsideratë dhe janë gjetur të reflektuara në një sërë nismash qeveritare. Ndërkaq, ne edhe njëherë, në një deklaratë për mediat të para pak ditëve shpjegonim se, “gjithsesi, mbetemi vendi më pak i prekur nga kjo krizë...”. Por fjala është që vendi të ruajë ritmet e zhvillimit dhe sipërmarrja të ketë siguri në punën e saj. Në këtë kuadër, ne edhe njëherë kërkuam që të ketë “një përshkallëzim të TVSH-së, sipas produkteve dhe shërbimeve. Kjo kërkesë konsiston, së pari, në heqjen e TVSH-së për importin e makinerive prodhuese dhe atyre të mekanikës bujqësore, dhe të paguhet TVSH-ja vetëm në rastin e ri-eksportimit të këtyre makinerive dhe, së dyti, të ulet TVSH-ja për importin e makinerive për përdorim në industrinë e ndërtimit dhe vlera e kësaj TVSH-je të paguhet me këste të zgjatura”.
Ndër propozimet e tjera është apeli për të mbyllur sa më shpejt procesin e legalizimit, pasi kështu futen në treg më shumë asete që mund të lihen peng dhe, për rrjedhojë, të rrisin mundësinë e kreditimit të operatorëve ekonomikë. Kemi kërkuar gjithashtu të hiqet praktika e referencave doganore, sidomos për importet nga Bashkimi Evropian; ku siç dihet, kontratat nga këto vende janë të pamanipulueshme. Siç edhe e përcakton ligji, kontratat janë kriteri i parë i cili duhet ndjekur për zhdoganimin e një malli.
Cilët nga sektorët e ekonomisë janë më të prekur dhe sa mendoni ju do të vazhdojë kriza në Shqipëri?
Në prononcimet tona të hershme, ne kemi theksuar se të parat që filluan të ndjenin efektet e krizës, ishin sektorë të tillë si industria, ndërtimi, kompanitë që punojnë me material porositës. Aktualisht, efektet e krizës botërore po ndihen në disa sektorë të rëndësishëm të sipërmarrjes private, pjesërisht edhe tek turizmi. Megjithatë, të dhënat e gjysmës së parë të vitit bëjnë fjalë për një rritje ekonomike të qëndrueshme. Duhet të kemi parasysh se Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikonte që, “përkeqësimi i ekonomisë globale do të sjellë një ulje më të madhe të rritjes ekonomike të Shqipërisë”. Nga ana tjetër, edhe Raporti i Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa i Komisionit Evropian fliste për “ngadalësim të ashpër të rritjes, si pasojë nga kërkesa më e dobët dhe mungesa e burimeve për financim, posaçërisht investime të drejtpërdrejta të huaja dhe kredi”. Kështu thuhet shprehimisht në atë raport për vendet e Ballkanit Perëndimor. Por le të kthehemi në realitetin tonë. Fakti që ende kemi tregues pozitivë të rritjes ekonomike, pothuaj 6%, referuar këtu të dhënave zyrtare të INSTAT-it, do të thotë se Shqipëria po i përjeton më butë se vendet e tjera pasojat e kësaj krize. Kjo situatë u ndihmua edhe prej disa prurjeve pozitive, që kanë të bëjnë me ardhjen e emigrantëve, me rritjen e prodhimit vendas në këtë sezon etj. Në këtë linjë do të shtoja dhe faktin tjetër domethënës, që për vitin 2008 në Shqipëri janë hapur mbi 17 mijë biznese të reja, duke dëshmuar në këtë mënyrë që përtej faktorëve krizë, biznesi mbetet pika kyçe në ecurinë e ekonomisë shqiptare.
Çfarë pret sipërmarrja shqiptare nga qeveria e re?
Ne kemi patur një bashkëpunim permanent me qeverinë e para 28 qershorit në hartimin dhe miratimin e ligjeve, që kanë të bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë me biznesin. Por mendoj se jemi vendosur në kushte të reja, ku bashkëpunimi do të ketë dimensione të një forme më të konsoliduar, pasi tashmë në jetën parlamentare ka një përfaqësim të ri të biznesit në cilësi dhe në numër. Fakti që do të jemi pjesë e komisioneve parlamentare, e vendimmarrjes në Kuvend, duke krijuar kështu lobingje më të forta dhe solide, e duke qenë një zë i qenësishëm në bashkëpunimet e reja biznes-qeveri, jam i bindur që do e bëjë sipërmarrjen private të ndihet më e sigurt në nismat qeveritare të çdo lloji qofshin ato.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›