E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezultati përfundimtar në KQZ, Subashi: Do votojmë 7 me 0

 

Aristir Lumezi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mblidhet të hënën për të shpërndarë mandatet edhe për tre qarqet e fundit që kanë ngelur, Tiranën, Shkodrën dhe Fierin. Paralelisht me ndarjen e këtyre mandateve, KQZ-ja pritet të shpallë edhe rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 28 qershorit. Por, ndonëse shpallja e rezultateve në disa prej qarqeve është shoqëruar me debate dhe PS-ja ka kontestuar disa prej vendimeve të Kolegjit Zgjedhor, mbledhja e të hënës në KQZ pritet të kalojë pa debate. E kontaktuar në telefon nga gazeta “Panorama”, nënkryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Dëshira Subashi, tha se do të votojë pro ndarjes së mandateve në këto qarqe. “Vendimet e dhëna nga Kolegji Zgjedhor janë të formës së prerë. Unë do të votoj pro ndarjes së mandateve në këto qarqe dhe për shpalljen e rezultatit përfundimtar. Gjithsesi, ne kemi mjaft vërejtje për mënyrën se si u bë vendimmarrja nga shumica e anëtarëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”, tha Subashi për gazetën. Shpallja e rezultateve përfundimtare u shty për shkak të apelimit që i bënë disa prej forcave politike vendimeve të KQZ-së lidhur me shpalljen e rezultateve në disa qarqe. Kështu, Partia Socialiste paraqiti kontestimet e saj lidhur me rezultatin e Beratit, Tiranës, Shkodrës dhe Fierit, ku në tre qarqet e para pretendonte nga një mandat përmes rinumërimit dhe rivlerësimit të votave në disa qendra votimi. Nga ana tjetër, Partia Demokratike dhe Partia për Drejtësi dhe Integrim pretenduan një mandat në qarkun e Fierit, ku kërkuan shpalljen e pavlefshme të disa qendrave të votimit. Përveç tyre ishin edhe Partia Demokristiane, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar dhe Partia Konservatore shqiptare që paraqitën apelimet e tyre në Kolegjin Zgjedhor. Por në një kohë rekord Kolegji pranoi vetëm një kërkesë të PS-së për të shpallur të pavlefshme rreth 400 vota në komunën Ruzhdie në Fier, të cilat ishin me një vulë dhe rrëzoi të gjitha pretendimet e forcave të tjera politike, duke lënë atë rezultat të shpallur më parë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në përfundim të procesit elektoral të 28 qershorit, Partia Demokratike rezulton të ketë fituar 68 mandate në të gjithë vendin, tre më shumë se Partia Socialiste. Në vend të tretë ka dalë Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila ka fituar katër mandate, ndërkohë që me një mandat janë Partia Republikane, Partia për Drejtësi dhe Integrim dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›