PS: Shqiptarët konsumuan më pak e paguan më shtrenjtë në 2008
Nënsekretari për programin, Ervin Bushati, duke bërë bilancin deklaroi dje se qytetarët gjatë vitit 2008 konsumuan më pak dhe paguan më shtrenjtë se në 2005. “Qytetarët gjatë vitit 2008 konsumuan më pak dhe paguan më shtrenjtë se në 2005. Sasia e ushqimeve dhe mallrave të ardhura nga jashtë për vitin që lamë pas ishte më e ulët, por çmimet e tyre ishin 75% më shumë se në vitin 2005”, - tha ai. Bushati nënvizoi se çmimet e mallrave të konsumit janë rritur mesatarisht me 25% në vit nga 2005, sipas të dhënave të fundit për importet nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. “Qeverisja e mangët dhe prania e monopoleve në treg, të bekuara nga qeveria, kanë bërë që gjithçka që blihet të jetë tepër e shtrenjtë. Rënia e fuqisë blerëse në treg është një problem që rëndon jetesën e familjeve shqiptare sot dhe këto vitet e fundit”, - shtoi ai. “Qeveria bën shurdhin përballë rënies së fuqisë blerëse, duke vazhduar të shpërdorojë para publike në propagandën e kotë, pasi çdo shqiptar e di mirë sa para ka tashmë në xhepin e tij. Qëndrimi i qeverisë përballë rënies së fuqisë blerëse na shqetëson, jo vetëm për seriozitetin e kësaj mazhorance, por mbi të gjitha për jetesën e familjeve shqiptare”, - tha Bushati.
Milo: Mazhoranca po vonon ngritjen e KQZ-së
Kreu i PDS-së, Paskal Milo, akuzoi dje mazhorancën se është fajtore për vonesën e ngritjes së KQZ-së së re dhe problemet me kartat e identitetit, të cilat, sipas tij, janë shqetësuese për standardet e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. "Ne mbështesim propozimin e PS-së për ngritjen sa më shpejtë të komisionit të monitorimit të këtij procesi të rëndësishëm, me qëllim që ai të mos zhvendoset dhe të mos përfundojë siç mund të kenë përfunduar dhe herë të tjera iniciativa të kësaj natyre nga PD dhe mazhoranca", - tha ai. Njëkohësisht, kreu PDS-së, Paskal Milo, doli në mbrojtje të Presidentit Bamir Topi, duke i quajtur të turpshme sulmet që i vijnë nga partia që e votoi në krye të shtetit shqiptar. "Është bërë gati e turpshme. Janë sulmet e paprincipta kundër Presidentit të Republikës. Është e pafalshme, është e turpshme që të fyhet e të sulmohet në mënyrë agresive dhe në mënyrë të vazhdueshme Presidenti i Republikës, i cili ka integritetin e tij të plotë, që po sulmohet nga njerëzit e partisë së tij", - tha Paskal Milo, kryetar i PDS-së.
--------------------------
Drejtues të Lëvizjes Socialiste për Integrim pritën dje në një takim kryetarin e Partia Socialdemokrate të Kosovës, z. Agim Çeku. Të pranishëm në këtë takim ishte nënkryetari i LSI-së, z. Prof Sabit Brokaj, kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar, Edmond Haxhinasto dhe anëtari i Kryesisë, Ndre Legisi. Gjatë bashkëbisedimit, nënkryetari Sabit Brokaj ka vlerësuar kontributin e z. Çeku si ish-Kryeministër i Kosovës, që sipas tij, ishte një faktor shumë i rëndësishëm ai i drejtimit të Kosovës, në konsolidimin e institucioneve, të cilat nuk ishin as në embrion, në atë kohë. "Ju dhatë një kontribut të jashtëzakonshëm, bashkë me strukturat që drejtonit apo bashkëpunonit, në pavarësinë e Kosovës, e cila në bilancin që tashmë dihet, nga politika e Tiranës, është e pakthyeshme, por, natyrisht problematik, që u mbetet një angazhim i tërë forcave politike në Kosovë, në mënyrë të veçantë atyre që janë ekzekutive, por edhe gjithë forcave të tjera politike", - u shpreh z. Brokaj. Ndërsa kryetari i Partia Socialdemokrate të Kosovës, z. Agim Çeku, duke vlerësuar kontributin e LSI-së për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, shprehu gatishmërinë e forcës që ai drejton për vazhdueshmërinë e këtij komunikimi midis dy partive. Gjithashtu, z. Çeku ka shprehur edhe vlerësime për angazhimin personal të kryetarit të LSI-së, z. Ilir Meta, në lidhje forcimin e institucioneve të Kosovës. "Kam respekt për të gjithë ju, për z. Meta për përpjekjet e tij, për autonominë e tij të veprimit dhe të mendimit, dhe besoj që jeni një nga tri forcat e mëdha në Shqipëri", - u shpreh ai.