Rama shtron darkë për trupin diplomatik
Në prag të miratimit të një rezolute nga Kuvendi i Shqipërisë që lidhet më hedhjen e hapave të mëtejshëm të integrimit të vendit, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mbledh në një darkë pune përfaqësitë diplomatike në vend. Darka është zhvilluar në një prej ambienteve me luksoze të kryeqytetit dhe është treguar kujdes që të jetë larg syrit të mediave. Megjithatë, takimi është kryer pak orë pasi Kuvendi shtyu me kërkesë të socialistëve, miratimin e rezolutës ku Shqipëria do t’i kërkojë BE-së që të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Nën shoqërinë e sekretares për marrëdhëniet me jashtë në selinë rozë, mësohet se objekt i darkës me përfaqësitë diplomatike në vend kanë qenë zhvillimet politike të muajve të fundit e kryesisht edhe sfidat që e presin vendin në muajt në vijim, siç janë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Burime nga takimi saktësuan se Rama u ka bërë të ditur diplomatëve, nga mendimi i të cilëve varet integrimi i mëtejshëm i vendit, qëndrimet e selisë rozë për zgjedhjet, për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore, por edhe çështje të tjera, si ligji i dosjeve, reforma në drejtësi etj. Pak muaj më parë, Rama zhvilloi një tjetër takim me përfaqësitë diplomatike në vend, por duket se me zhvillimet e reja politike, hyrjen në vitin zgjedhor, Rama ka dashur të sqarojë edhe një herë pozicionin e partisë që drejton përpara përfaqësive që mbi të gjitha, na vëzhgojnë.