“Aplikimi në BE në Presidencën çeke”
Shqipëria dhe Presidenca çeke do të bashkëpunojnë për koordinimin e hapave për aplikimin e Shqipërisë në BE. Kjo u bë e ditur dje gjatë takimit mes Ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha dhe zv.ministrit të Jashtëm çek, Tomas Pojar. “Duke e konsideruar gjashtëmujorin e Presidencës çeke të BE-së si periudhën më të përshtatshme për Shqipërinë, për të aplikuar për vend anëtar të BE-së, Ministri Basha dhe Zv.ministri Pojar vlerësuan se është mjaft i rëndësishëm koordinimi i hapave të mëtejshëm diplomatikë për të realizuar aplikimin për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme. Aplikimi për vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe liberalizimi i plotë i vizave për qytetarët shqiptarë janë prioritete absolute të qeverisë shqiptare dhe të politikës së jashtme, theksoi Basha në këtë takim.