Kartat e identitetit, Kuvendi thërret kreun e Gjendjes Civile
Konstituohet Komisioni Parlamentar ad-hoc për monitorimin e procesit të kartave të identitetit dhe të zgjedhjeve të 28 qershorit. Komisioni që drejtohet nga Ilir Rusmali dhe ka si nënkryetar Kastriot Islamin ka zhvilluar dje në drekë mbledhjen e parë, duke zgjedhur si sekretar republikanin Arjan Madhi. Komisioni ka miratuar edhe planin e veprimit, duke bërë që një strukturë e tillë parlamentare të jetë një vëzhguesve e plotë e çdo vendimi që do të marrë KQZ-ja, duke bërë që dy drejtuesit e këtij institucioni të raportojnë në Kuvend për çdo proces. Përfaqësues të partive politike, PS dhe PD thanë se në axhendën e punës së komisionit do të jetë marrja e informacioneve të vazhdueshme nga Komisioni i Zgjedhjeve dhe Ministria e Brendshme lidhur me administrimin e procesit zgjedhor dhe shpërndarjen e kartave të identitetit. Në datën 20 mars, sipas Rusmalit do të zhvillohet seanca dëgjimore me Drejtorin e Përgjithshëm të Gjendjes Civile, mbi procesin e pajisjes me kartat e identitetit.
“Instrumentet për monitorim të procesit nga ana e këtij komisioni, janë të përcaktuara dhe nuk janë shumë. Ne kemi praktikisht mundësinë t’i kërkojmë informacion periodik strukturave që menaxhojnë këto procese, duke i thirrur në seancë dëgjimore përfaqësuesit e tyre. Po ashtu, do të bëjmë dhe inspektime e verifikime në vend, si për shpërndarjen e kartave dhe për procese të tjera në kuadër të zgjedhjeve”, tha Kryetari i Komisionit, Rusmali. Nënkryetari socialist, Islami tha se “ne nuk jemi këtu për të marrë asnjë lloj përgjegjësie lidhur me procesin e infrastrukturës zgjedhore, pasi ajo është përgjegjësi e qeverisë shqiptare, në bashkëpunim me kompaninë e huaj koncensionare”. “Do të kërkojmë një informacion sistematik për sa i takon aplikimeve, prodhimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit, si dhe listës së votuesve. Gjithashtu, do të kërkojmë informacion nga zyrat e gjendjes civile dhe për aplikimin e votuesve pa pasaportë”, deklaroi Islami. Ndërsa në planin e veprimit të detajuar për punën e KQZ-së, parashikohet që nga 1 prilli deri më 30 maj të realizohet raportimi para komisionit për të gjithë procesin e administrimit zgjedhor. Kështu do të raportohet për listat zgjedhore, për procesin e vendosjes së kamerave, për auditimin e financave të partive politike, për monitorimin e fushatës zgjedhore. Ky komision drejtohet nga Ilir Rusmali i PD dhe Kastriot Islami i PS-së. Në përbërje të saj janë deputetët Arjan Madhi i PR-së, Fatos Hoxha i PD, Osman Metalla i PD, Blendi Klosi, Fatmir Xhafaj të PS-së, Tritan Shehu i PDR-së dhe Albert Divjaka i PSD-së.