E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Zgjedhjet, në qorrsokak

 

Aristir Lumezi

Kryetari socialist Edi Rama tha dje se qeveria po e fut procesin zgjedhor në qorrsokak. Menjëherë pas takimit që zhvilloi në selinë rozë me përfaqësuesit e ODIHR, kreu socialist përcolli për mediat shqetësimet që i kishte paraqitur atyre në lidhje me përgatitjet zgjedhore në Shqipëri.  “Qeveria po e fut procesin e zgjedhjeve në qorrsokak. Të gjitha afatet janë shkelur, të gjitha kushtet janë shkelur, i gjithë procesi zhvillohet në shkelje të vazhdueshme të të gjitha atyre pikave që do të mund ta garantonin atë. Sot praktikisht, jemi në prag të një situate dramatike, e cila rrezikon të kthehet në një situatë pa rrugëdalje”, tha Rama.
Përfaqësuesit e ODIHR janë informuar nga kryetari socialist mbi përmbushjen e detyrimeve të qeverisë për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore, listat e zgjedhësve, kartat e identitetit dhe kanë kërkuar prej tij mendime se si mund të dilet nga kjo situatë e vonuar në pajisjen e votuesve me karta identiteti. Një nga problemet themelore, sipas kreut socialist për zgjedhjet e 28 qershorit, janë kartat e identitetit. “Ne e shohim me një shqetësim në rritje procesin e pajisjes së qytetarëve e qytetareve me karta identiteti. Të gjitha të dhënat janë shkurajuese dhe po bëhen dëshpëruese dhe për fat të keq qeveria vazhdon të tregojë paaftësi dhe mbi të gjitha papërgjegjshmëri për këtë proces, ku ka mbetur shumë pak kohë, ndërkohë që janë miliona ata që sot e gjithë ditën nuk e kanë kartën e identitetit dhe as nuk kanë aplikuar për këtë”, tha Rama. Sipas tij “më shqetësues është kontigjenti i qytetarëve dhe qytetareve që nuk kanë as pasaportë dhe që përbëjnë në pjesën dërrmuese shtresën më të varfër të popullsisë, që e ka të pamundur të përballojë koston e kartës së identitetit dhe që ndërkohë sot e gjithë ditën është tërësisht jashtë procesit”. Kreu socialist i konsideroi të cenuara standardet e zgjedhjeve nëse mijëra qytetarë që nuk kanë pasaportë dhe as kartë nuk do të mundin të votojnë në zgjedhjet e qershorit. “Ju jeni të vetëdijshëm, për faktin se ne deri sot kemi bërë ç’është e mundur për ta ndihmuar procesin, ne kemi bërë ç’është e mundur për të nxitur pjesëmarrjen në këtë proces, kemi bërë ç’është e mundur që ky proces të na nxjerrë të gjithëve faqebardhë, sepse në qoftë se ata qindra mijëra qytetarë e qytetare që nuk kanë pasaportë dhe nesër nuk do të kenë as kartën e identitetit, këto nuk mund të quhen më zgjedhje të lira e të ndershme që zhvillohen në Evropë”, tha Rama. Por sipas tij, me gjithë përpjekjet e bëra nga Partia Socialiste në normalizimin e këtij procesi, “ne kemi hasur në mënyrë të vazhdueshme në të dhëna mjaft kuptimplota të paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë, që po krijojnë një terren, që po përhapet me shpejtësi një hapësirë për spekulime dhe manipulime të mundshme”. Rama u shpreh se situata po bëhet pa rrugëdalje, gjë që rrit mundësinë e manipulimit të zgjedhjeve nga ana e qeverisë. “Sot, të gjitha të dhënat na tregojnë se mundësitë e qytetarëve po shkojnë duke u kufizuar dhe mundësitë për abuzime, spekulime dhe manipulime me këtë proces po shkojnë duke u zgjeruar. Por ne nuk do të lejojmë të ndodhë asgjë e tillë, sepse do të bëjmë të pamundurën, që në Shqipëri të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, u shpreh Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›