E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-PD, pakt kundër KSHC-së

 

BLEDAR HOTI

Debatet dhe konfliktet brenda anëtarëve të Komisionit të Shërbimit Civil mund të rrezikojnë shkrirjen e këtij institucioni. Paraqitja e raportit të Komisionit të Shërbimit Civil vetëm me firmën e Kryetares Mimoza Hysenaj, pa mendimin e anëtarëve të tjerë, ka qenë objekt i debatit mes deputetëve të Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Maxhoranca dhe opozita kësaj here në Komisionin e Ligjeve kanë qenë në unison në lidhje me mangësinë e vërejtur të paraqitjes së raportit vjetor të KSHC-së pa firmat e anëtarëve të tjerë. Kjo ka lënë shije të hidhur te deputetët, aq sa i kanë kërkuar anëtarëve të pranishëm të KSHC-së, që brenda 10 ditësh të paraqesin raportin sipas kërkesave ligjore. Komisioni i Ligjeve pret brenda datës 27 mars  që KSHC duhet të paraqesë raportimin me mendimin e të gjithë anëtarëve, në të kundërt mund të kërkohet edhe shkrirja e këtij institucioni. “I kërkoj KSHC-së brenda 10 ditëve nga sot të zhvillojë mbledhjen për miratimin e raportit të KSHC-së, do t’i kërkoj departamentit të monitorimit që të jetë prezent në këtë mbledhje. Në të kundërtën ne jemi të detyruar që të informojmë Kuvendin për mos funksionimin e KSHC-së dhe t’i bëjmë propozimet përkatëse pastaj”, deklaroi Rusmali. Në këtë mbledhje Shërbimi i Monitorimit të Institucioneve të Pavarura, strukturë e Kuvendit bëri prezent vërejtjet që ka ndaj KSHC-së për punën e kryer gjatë vitit 2008. “Raporti nuk ishte paraqitur nga një vendim përkatës. Duke u nisur edhe nga natyra e institucionit, si një organ kolegjial dhe në doktrinën e së drejtës administrative ai na përcaktohet si një organ i tillë, mendoj se raporti duhet të paraqitet me një vendim përkatës, sepse vota e kryetares është e barabartë me të gjithë anëtarët e komisionit”, deklaroi Juristi i Kuvendit, Artur Baku. Sipas tij, “në raport nuk ka një informacion se sa nga këto ankesa kanë dalë jashtë afateve procedurale të ankimimit 30 ditor, që ligji i jep KSHC-së”. Kryetarja e KSHC-së, Hysenaj ka deklaruar se anëtarët e kanë bllokuar në miratimin e këtij raporti, çka ka informuar më parë Kuvendin për një veprim të tillë. “Për arsye nga më të ndryshmet, anëtarët bllokonin mbledhjet dhe nuk hynin në diskutime. Nuk u arrit të diskutohej raporti për shkak të arsyeve banale. Vetëm vjet raporti është paraqitur me anëtarët e KSHC-së, herët e tjera është realizuar vetëm me firmën e kryetarit”, deklaroi Hysenaj. “S’jam i kënaqur nga përgjigjja, thelbi është ky kur ju nuk mblidheni për një raport, që në fund të fundit është reflektimi i punës tuaj për një vit të tërë, sa qëndrojnë vendimmarrjet në favor ose kundër nëpunësve civil që keni marrë ju? Kjo ju vë një pikëpyetje shumë të madhe zonja kryetare, pra si Komision dhe kjo ju bën me mjaft përgjegjësi jo para Kuvendit dhe përpara gjithë shtetit dhe ligjit që ju funksiononi”, deklaroi socialisti Dervishi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›