E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, Berisha: Gati ftesa për ODIHR

 

Qeveria shqiptare do të nisë brenda javës tjetër ftesën zyrtare për vëzhgimin e zgjedhjeve nga OSBE/ODIHR. Këtë e bëri të ditur dje Kryeministri Sali Berisha, gjatë një takimi me delegacionin e Misionit të Vlerësimit të Nevojave të OSBE/ODIHR, i cili po viziton Shqipërinë për të vlerësuar kuadrin përgatitor të zgjedhjeve ne vend. Sipas një njoftimi të zyrës së shtypit të Këshillit të Ministrave, “Kryeministri Berisha vlerësoi se zgjedhjet e 28 qershorit 2009 janë shumë të rëndësishme në lidhje me arritjen plotësisht të standardeve ndërkombëtare për zgjedhje demokratike dhe çdo përpjekje do të bëhet në këtë drejtim. Në këtë kuadër, Kryeministri Berisha ftoi përfaqësuesit e ODIHR-it që të dërgojnë një mision vëzhgimi sa më të madh dhe siguroi se ftesa zyrtare për vëzhgim të zgjedhjeve nga OSBE/ODIHR do të prezantohet brenda javës së ardhshme”. Nga ana tjetër Shefi i Misionit të Vlerësimit të Nevojave, Gerald Mitchel vlerësoi qeverinë shqiptare për mbështetjen e marrë për këtë mision, dhe për rolin e ODIHR-it në përgjithësi në procesin zgjedhor. Gjatë takimit kryeministri Berisha vuri theksin te ndryshimet kushtetuese dhe Kodi i ri Zgjedhor, të cilat sipas tij eliminojnë përfundimisht fenomenin e Dushkut. Në të njëjtën kohë sipas tij ishte i rëndësishëm aprovimi konsensual i KQZ-së së re, me të cilën së shpejti do nënshkruhet një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi. “Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të përgatitjeve të infrastrukturës zgjedhore, duke u ndalur në pajisjen për herë të parë të shtetasve me letërnjoftime elektronike, modernizimin e shërbimit të gjendjes civile dhe sistemit të adresave, në bashkëpunim me projektin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, arritje të cilat përmirësojnë rrënjësisht standardet e zgjedhjeve”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp. Para takimit me Kryeministrin Berisha, Misioni i ODIHR u takua edhe me Ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›