E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, projektligj për karta identiteti falas për ata që aplikojnë para 28 qershorit

 

Aristir Lumezi

Partia Socialiste do të bëjë publik sot një projektligj për pajisjen falas me karta identiteti të shtetasve pa pasaportë. Nënsekretari i Çështjeve ligjore në Partinë Socialiste, Damian Gjiknuri tha dje për “Panorama” se “kemi gati projektligjin që do t’ia paraqesim Kuvendit, i cili sanksionon pajisjen falas me kartë identiteti të atyre shtetasve që nuk kanë pasaportë për jashtë shtetit dhe që do të aplikojnë para datës 28 qershor kur do të mbahen zgjedhjet”. Mësohet se kostoja e këtij propozimi do të duhet të përballohet nga qeveria. Në këtë mënyrë të gjithë votuesit do të kenë dokumentin e nevojshëm sipas Kodit të ri Zgjedhor për të votuar më 28 qershor, ose kartë identiteti, ose pasaportë për jashtë shtetit. Ky propozim bëhet kur kanë mbetur 107 ditë nga zgjedhjet parlamentare. Këtë propozim kryetari socialist ia bëri me dije dje edhe përfaqësuesve të ODIHR-it gjatë takimit të djeshëm. Mësohet se Partia Demokratike e ka pranuar një propozim të tillë, nisur dhe nga apeli i vazhdueshëm i ndërkombëtarëve për të plotësuar standardet e zgjedhjeve. Madje këto standarde pritet të ndikojnë dhe në paraqitjen e kërkesës së Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Këtë propozim socialistët ia kanë bërë qeverisë që me nisjen e procesit për pajisjen e shtetasve me karta identiteti, por në muajin janar, një gjë e tillë nuk u pranua. Sipas socialistëve, nëse ka vullnet ka ende kohë që pajisja e shtetasve pa pasaportë falas të kryhet para zgjedhjeve të 28 qershorit.
Procesi
Që prej 12 janarit, datë kur nisi zyrtarisht procesi për aplikim për karta identiteti, volumi i punës është përqendruar në Tiranë. Por që në ditët e para u vunë re vështirësi dhe pengesa, si në mungesën e kuponave në sportelet e Postës Shqiptare, ashtu dhe në zgjatjen në kohë të procedurave gjatë momentit të aplikimit, problemeve teknike por dhe vonesave në ngritjen e stacioneve të aplikimit në të gjithë Shqipërinë. Socialistët kanë akuzuar vazhdimisht qeverinë për mungesë vullneti në këtë proces. Madje janë shprehur se kjo zvarritje dhe vonesë në pajisjen e shtetasve me kartë identiteti synon manipulimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Deri tani janë bërë rreth 220 mijë aplikime për karta identiteti, ndërkohë që numri i përgjithshëm i shtetasve që duhet të pajisen me to është rreth 1 milion. Socialistët kërkuan një muaj më parë që qeveria t’i japë prioritet shtetasve pa pasaporta për jashtë, numri i të cilëve i kalonte 730 mijë. Kjo kërkesë e socialistëve u pranua nga qeveria, e cila hoqi dhe disa nga sanksionet që ishin vënë në nisje të këtij procesi, nëse nuk aplikoje për kartë identiteti. Selia rozë e cilëson procesin e pajisjes me kartë mjaft të ngadalshëm dhe jashtë premtimeve të dhënë në nisje të tij. Sipas sekretarit për çështjet ligjore Kastriot Islami, procesi po ecën me ritme të ngadalta. Sipas tij, që në nisje, procesi ishte i vonuar, vetëm 6 muaj kohë për mbi 1 milion aplikues dhe me një infrastrukturë të dobët. Ai u shpreh dje se ndryshe nga ç’ishte premtuar nga qeveria, sot aplikohen rreth 9-10 mijë kërkesa në ditë, ndërsa ishte premtuar për 15 mijë aplikime në ditë. Një situatë e tillë, sipas Islamit, në 65 ditë pune deri ditën e zgjedhjeve të gjendjes civile, mund të rikuperohet nëse ritmi i aplikimeve do të jetë më i madh, pengesat më të vogla dhe do të punohej edhe ditët e shtuna dhe të diela.      

Çmimi i kartave

Çmimi fillestar i kartës: 1200 lekë të reja

Çmimi i ri:
500 lekë për:
- Çdo anëtari të familjes, që trajtohet me ndihmë ekonomike dhe që është mbi 18 vjeç
- Personave me aftësi të kufizuar
- Personat, që përfitojnë pagesë papunësie
- Studentët
800 lekë për:
- Të gjithë personave që përfitojnë pension pleqërie
- Personave në ngarkim të pensionistëve, të cilët janë pa të ardhura
1000 lekë për:
- Punonjësve të institucioneve buxhetore, me pagë mujore bruto jo më të madhe se 35 000

LSI kërkoi komision hetimor

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi pak ditë më parë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të zbardhur e bërë publike gjendjen reale në të cilën ndodhet procesi i pajisjes me karta identiteti, si dhe përgjegjësitë konkrete të mosrealizimit të tij. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, tha dje gjatë një konference për shtyp se “LSI kërkon ngritjen e menjëhershme të një Komisioni hetimor Parlamentar, për të zbardhur e bërë publike gjendjen reale në të cilën ndodhet procesi i pajisjes me karta identiteti, si dhe përgjegjësitë konkrete të mosrealizimit të tij, për t’i dalë përpara një komprometimi të rëndë të standardeve të zgjedhjeve dhe të situatës politike, si pasojë e tyre”. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së dha alarmin për cenimin e standardeve të zgjedhjeve të qershorit me këtë ritëm që po ecën aplikimi dhe shpërndarja e kartave të identitetit.

150 mijë karta të prodhuara
Deri ditën e djeshme janë prodhuar nga kompania koncensionare rreth 150 mijë karta identiteti, të cilat janë gati për t’u marrë nga qytetarët në momentin që ata do të paraqiten pranë zyrës së ngritur enkas për këtë proces në gjendjet civile. Kompania koncensionare është në gjendje që të prodhojë deri në 12 mijë karta në ditë. Nga dita e djeshme në gjendjet civile janë gati kartat për ata që kanë aplikuar brenda shkurtit.

280 mijë qytetarë kanë aplikime
Burime pranë Ministrisë së Brendshme bëjnë të ditur për gazetën se deri ditën e djeshme janë paraqitur pranë zyrave në gjendje civile, për të aplikuar rreth 280 mijë qytetarë në të gjithë vendin. Deri më 10 mars kishin aplikuar rreth 221 mijë qytetarë, ndërkohë që ditët e fundit ka pasur një numër të madh aplikimesh, duke pasur parasysh se e diela dhe e hëna kanë qenë ditë pushimi zyrtare.

Qytetarët pa pasaportë
Sipas zv.ministrit Poni, “një komunë me 5 mijë banorë, ka rreth 3500 votues dhe që ka afërsisht 1 mijë shtetas pa pasaportë. Nëse do të ketë një stacion aplikimi, mesatarja është 40 aplikime në ditë, që do të thotë 25 ditë për të gjithë shtetasit pa pasaportë. Nëse jap një afat krejt real, që nëse të gjitha stacionet do të jenë operative brenda 27 marsit, sipas llogarive, të gjithë shtetasit pa pasaportë përfundojnë aplikimin brenda prillit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›