E Diel, 1 Nëntor 2026

Aplikimi për kartat,Tirana e nis në kaos e radhë

 

zirina llambro

Nis me kaos dita e parë e aplikimit për kartat e identitetit.  Zallamahia që u krijua për mënyrën si do të realizohej ky proces, nuk ka penguar aspak kryeqytetasit të drejtohen që në mëngjes herët në zyrat postare. Në orën 10:00 firuan të gjithë kuponët e pagesës për aplikim. Tarifa prej 12 mijë lekësh dhe marrja e mandatit janë vetëm hapi i parë për të tërhequr letërnjoftimin e ri. Të trembur nga afatet e vendosura, dhjetëra qytetarë prisnin në radhë për të përfunduar këtë hallkë. Por pjesës më të madhe të pensionistëve, nëpunësve dhe studentëve, të cilët kanë dashur të jenë korrektë, u ka shkuar rruga dëm. Në mungesë të kuponave, të cilat u mbaruan sa hap e mbyll sytë, ata duhet të paraqiten sërish në zyrat postare për të kryer pagesën. "Këta edhe kanë nja  një muaj që vetëm për kartat e identitetit flasin, këtej nuk arrijnë të sigurojnë as kuponët. Çfarë kusuri kemi të presim në radhë edhe për këtë punë, mirë për pensionet", ankohej një e moshuar në zyrën postare nr.1 pranë rrugës së Elbasanit. Lista e të pakënaqurve sa vinte e shtohej në çdo zyrë të postës. "Thamë ta hiqnim qafe që ditën e parë e ta mbaronim këtë punë po s'qenka e thënë, kam dy orë që pres e duhet të vij prapë nesër, se mbaruan mandatet", shprehej jo pak i irrituar një tjetër qytetar.  Krejt të hutuara ishin dhe vetë nëpunëset. Nuk dinin të të kthenin përgjigje, pasi askush nuk i kishte informuar nëse do të  vinte një tjetër furnizim me kuponë në mesditë. "Na kanë thënë që do të sjellin të tjerë, por nuk dimë ç'të themi. Këtu te ne mbaruan që në orën 9:00 të gjithë. Shumë fluks", sqaroi njëra prej nëpunësve te zyra postare nr.8.
Mungesa e kuponëve të aplikimit
Paskësaj problemi u pranua hapur edhe nga filiali qendror i shërbimit postar. Zyrtarisht drejtuesit e saj pranuan mangësinë, duke pohuar se firma përkatëse i kish dorëzuar postës vetëm 4000 kuponë pagese për të gjithë Tiranën. "Për 26 zyra postare, përfshi këtu dhe fshatrat, kemi çuar blloqet me kuponë sipas një grafiku të caktuar. Më shumë janë dorëzuar në zyrat brenda Tiranës e më tej periferia", pohuan burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Postar. Ata sqaruan se deri në mesditë firma që ka fituar tenderin e prodhimit të kartave të identitetit, nuk u kishte përcjellë asnjë informacion se kur do të riniste furnizimin. "Gjithë materiali që na ka sjellë firma është shpërndarë në mënyrën më të rregullt. Radhët janë krijuar pasi vërtet numri i kuponëve të pagesës për aplikim ka qenë i pamjaftueshëm, ndërsa fluksi më i madh nga sa pritej", njoftuan drejtuesit e postës për filialin e Tiranës. E ndërsa qytetarët shtypeshin në radhë e prisnin edhe jashtë zyrave për të paguar paratë e letërnjoftimit të ri, asnjë reagim nga kompania që ka marrë përsipër të përgjigjet për bazën materiale. Mungesë totale informacioni e përgjegjësie.
Radhët në minibashki
Që për të marrë një dokument në zyrat e gjendjes civile të duhen mesatarisht dy orë të mira, kjo nuk është më gjë e re. Kështu që të gjithë ata qytetarë që ishin me fat dhe kapërcyen fazën e parë të aplikimit, pra arritën të paguajnë paratë, në zyrat postare i priste një tjetër radhë e stërgjatë. Ndonëse një zyrë e posaçme e ngritur posaçërisht për të mos i sorollatur, asnjë ndryshim nuk u pa. Si për ditë të parë, procesi i dorëzimit të mandatit të pagesës, vendosjes së shenjave të gishtërinjve dhe plotësimit të formularit përkatës, eci me hapin e breshkës. "Kuponin e kam marrë që herët se e kisha zyrën e postës afër shtëpisë, po këtu u bë një orë që pres. Shumë ngadalë punojnë", u shpreh një qytetare në njësisë bashkiake nr.3. E njëjta situatë edhe tek të tjerat. Edhe njëherë qytetarët kanë dëshmuar për gatishmëri totale ndaj apelit për të aplikuar sa më shpjet për pasaportat e reja, por siç ndodh ngaherë, problemi nuk ka çaluar tek ata. Për të përfunduar sa më shpjet këtë punë u është dashur që dje të humbnin mesatarisht 3 orë kohë. Sakaq vetë procesin e aplikimit e  kanë cilësuar si të thjeshtë. "Kemi gjithë këto ditë që, jo duhen këto dokumente, jo është i vështirë, nuk mu duk ashtu. I thjeshtë goxha", pohoi një mesogrua që aplikoi për kartën e re të identitetit te njësia bashkiake nr. 4. Vetëm pas orës 13:00, në Zyrat e Gjendjes Civile të Tiranës u davarit fluksi. Dita e parë e aplikimit për kartat e identitetit, ishte fillim i mbarë për të dëshmuar përgjegjshmërinë e kryeqytetasve, por jo për strukturat shtetërore.

Berisha inspekton ndarjen e parë të kartave

Kryeministri ka ndjekur nga afër dje ecurinë e aplikimit me kartat e identitetit në dy njësi bashkiake në Tiranë, pikërisht në njësinë 3 dhe 4. Kreu i qeverisë ka vlerësuar pjesëmarrjen e madhe në ditën e parë, teksa ka pranuar se në vijim do eliminohen të gjitha problemet e evidentuara në ditën e parë. "Është vetëdije e lartë e qytetarëve për rëndësinë e këtyre dokumenteve. Me këto dokumente qytetari shqiptar barazon veten në aspektin e identifikimit me të gjithë qytetarët evropianë. E vërteta është se ne kemi përzgjedhur dokumentin ose teknologjinë më të avancuar që ekziston sot në Evropë", u shpreh Berisha. Theksoi se procesi po ecën tërësisht sipas programimit, ndërsa e vlerësoi atë si një mision tjetër shumë të rëndësishëm përsa i përket modernizimit të infrastrukturës zgjedhore. "Do ta quaja këtë proces mision për mundësimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare me infrastrukturën më moderne të identifikimit të zgjedhësve, listat elektronike, sistemin tërësor të ri të adresave dhe dokumentet elektronike. Këto janë detyrimet e qeverisë para vendit, para shoqërisë", vlerësoi Berisha. I pyetur se kur do të aplikojë vetë për marrjen e kartës së identitetit, kreu i ekzekutivit u shpreh se një gjë e tillë i ishte propozuar ta bënte dje, por meqë ndoqi nga afër së bashku me mediat ditën e parë të procesit, aplikimin do ta bëjë pa praninë e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›