Të përndjekurit: Ligji, jo selektiv
Presidenti priti dje në Presidencë kryetarin e Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, Adem Allçi dhe sekretarin e Përgjithshëm të saj, Besim Ndregjoni dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shoqatës Antikomuniste të Shqipërisë, Tomor Aliko. Bashkëbiseduesit i paraqitën kryetarit të shtetit qëndrimin e dy shoqatave lidhur me ligjin për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve, që ka kaluar në Kuvendin e Shqipërisë. Ata shprehën rezervat e tyre lidhur me nenin 4 të ligjit, i cili sipas tyre ka përjashtuar nga papajtueshmëritë e funksioneve publike kategori të tjera funksionarësh të lartë si ministrat, drejtuesit e institucioneve të tjera të larta politike apo shtetërore, sekretarët e partisë dhe zyrtarët e lartë të aparatit të Komitetit Qendror. Drejtuesit e dy shoqatave u shprehën për nevojën e zgjerimit të hapësirës së ligjit për pastërtinë e figurës së funksionarëve të administratës publike edhe për bashkëpunëtorët e agjenturave të huaja.