E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët: Topi të dekretojë ligjin e “Dosjeve”

 

Unioni i Pavarur Studentor i bën apel Presidentit Topi të firmosë pro ligjit për hapjen e dosjeve. Protesta të studentëve janë zhvilluar në Tiranë, në Shkodër dhe në Gjirokastër. Protesta e tyre është zhvilluar nën moton "President çlirohu" dhe i kanë bërë thirrje Topit që të firmosë ligjin "Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë". Protesta e tyre është zhvilluar 50 metra larg godinës së Presidencës, në sheshin "Nënë Tereza", përpara korpusit universitar. Studentët përmes një peticioni të firmosur prej tyre, i kërkuan Presidentit, që në këtë rast të jetë jo vetëm garant i Kushtetutës, por edhe dekretues i një ligji që i hap rrugën dekomunistizimit të shoqërisë shqiptare. "Duam të jetojmë të lirë, në një vend demokratik, pa reminishencat e krimeve të komunizmit, që ka ende varre të hapura dhe shpirtra në eter", ishte thirrja e studentëve që lëshuan në adresë të Presidentit. Peticioni i shkruar në adresë të Presidentit, brenda një kohe të shkurtër u firmos edhe nga studentë e pedagogë të universitetit "Luigj Gurakuqi" në Shkodër. "Duke sensibilizuar Kryetarin e Shtetit për dekretimin e këtij ligji, do të kontribuojmë sadopak për të qenë pjesë e shlyerjes morale që shoqëria shqiptare iu ka të përndjekurve politikë", tha kryetari i Unionit Studentor, Bardhyl Duraku. Janë 1.476 studentë, pjesëtarë të Unionit të pavarur të Universitetit "Luigj Gurakuqi" të Shkodrës që firmosën një peticion, që ia dërguan Presidentit të Republikës, Bamir Topi, përmes të cilit kërkojnë dekretimin sa më shpejt të ligjit për hapjen e dosjeve, miratuar ditë më parë nga Kuvendi. "E ndiejmë për detyrim moral dhe qytetar që të ngrejmë zërin në emër të atyre që nuk mund të flasin, eshtrat e të cilëve nuk dihet se ku janë", thuhet në peticionin drejtuar kreut të shtetit. Nënkryetari i Unionit, Halit Hasa tha se, "jemi ne studentët që kemi sjellë demokracinë në këtë vend dhe demokracinë do ta vendosim përsëri. Ky peticion nuk është partiak, por i pavarur dhe shpresojmë të gjejmë mbështetjen e duhur në këtë drejtim". Ndërsa dy ditë më parë kanë qenë shoqatat e ndryshme të ish të përndjekurve politikë që i kërkuan publikisht kreut të shtetit që të dekretojë një ligj të tillë. Ligji për hapjen e dosjeve është miratuar nga Kuvendi në datën 22 dhjetor. Në këtë votim nuk morën pjesë deputetët e opozitës, të cilët bënë të ditur se do ta ankimojnë atë në Gjykatën Kushtetuese. Ndërsa kreut të shtetit i skandon afati ligjor për dhënien e mendimit mbi këtë ligj të paraqitur në datën 15 janar. Pra ka edhe dy ditë afat ligjor për dhënien e mendimit.

Reagimi i partive politike

Kreu i shtetit, Bamir Topi, ndodhet përpara presionit të partive politike dhe shoqatave të ish të përndjekurve për të firmosur pro ligjit "Për hapjen e dosjeve". Ato i kërkojnë Presidentit të mos e kthejë atë për rishqyrtim në Parlament. Nënkryetari i Kuvendit, kreu i PAD-së, Neritan Ceka, në një prononcim për median i kërkoi Presidentit që ta firmosë një ligj të tillë, duke i dhënë fund një debati të gjatë, që ka ekzistuar në lidhje me këtë çështje. Për kreun e PAD-së "miratimi i këtij ligji i jep fund kësaj historie kaq të debatuar nga shoqëria dhe politika shqiptare". Të njëjtën thirrje bëri dje edhe kreu i PLL-së, Ekrem Spahiu, i cili e cilëson si jetike për shoqërinë shqiptare. Ai ndan besimin e plotë se Presidenti do ta dekretojë një ligj të tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›