Presidenti i heq Medaljen ish-prokurorit Breca
BLEDAR HOTI
Ish-prokurori i dekoruar, Skënder Bre-ca, kthen mbrapsht mendaljen e akorduar nga Presidenti Bamir Topi. Pas shumë debateve dhe përplasjeve politike në adresë të Presidentit Topi, ka qenë Breca që ka dorëzuar dekoratën e akorduar nga Presidenti me "Medaljen e Mirënjohjes". Sipas burimeve pranë Presidencës, mësohet se Skënder Breca prej disa ditësh ka zhvilluar një takim në presidencë dhe ka bërë dorëzimin e medaljes së dhënë, dhe kjo pas sulmeve të kryera ndaj kreut të shtetit. Në takimin e djeshëm me ish-pronarët, kreu i shtetit Bamir Topi nuk ka lënë pa komentuar sulmet e kryera nga drejtuesit e lartë të maxhorancës, madje dhe ka vetë Kryeministri Sali Berisha. Topi në qëndrimin e tij la të nënkuptohet se këtij debat tashmë i ka ardhur fundi. "Gjashtë muaj është sulmuar Presidenti për çështjen e një dekorate, që s'kishte të bënte me vullnetin e Presidentit, një çështje totalisht sipërfaqësore, një dekorim totalisht i kthyer e i marrë në konsideratë për peshën e moralit kundrejt të përndjekurve politikë. Një procedurë e anuluar, e kthyer dhe sot farmirësisht, edhe karshi kësaj çështjeje, jemi totalisht të pastër", deklaori Topi përpara ish-pronarëve. Muajin e kaluar përpara se Kuvendi të votonte ligjin për hapjen e dosjeve, Kryeministri Sali Berisha sulmoi hapur Presidentin për dekretimin e kryer. "Ne përjetuam këtë vit (2008) dekorimin e prokurorit që kërkoi dënimin kapital të Xhelal Koprenckës në vitin 1979, sepse ky pinjoll i një familje të shkëlqyer, atdhetar i flaktë, kur dy bashkëvuajtësit i bënin letër diktatorit të hapemi drejt Rusisë, ky tha -jo- duhet të hapemi drejt Amerikës, ai është vendi i lirisë. Për këtë dhe vetëm për këtë, mori dënimin kapital dhe sot në mënyrën më të papranueshme Koprencka u dekorua vite më parë për meritën e tij, xhelati i tij u dekorua këtë vit për faqen e zezë të tij, për të përdhosur ndërgjegjen e kombit", deklaronte Berisha në mbledhjen e grupit të PD-së. Ndërsa Topi, në një intervistë dhënë medias për këtë çështje, theksoi se "kjo ka ndodhur pasi stafi është bazuar vetëm në referenca sipërfaqësore dhe se kjo nuk mund të ndodhë më".