E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi maxhorancës:Dosjet? Njerëz të lidhur me regjimin tani bëjnë akuzuesin

 

Aristir Lumezi

Presidenti i Republikës ende nuk ka marrë një vendim për ligjin e dosjeve. Burime nga Presidenca pohojnë se qëndrimi i kreut të shtetit në lidhje me këtë ligj do të jetë ose mosdekretim i ligjit, ose refuzim i firmës së tij. Presidenti i Republikës është shprehur se do t'i përmbahet përcaktimeve kushtetuese në lidhje me këtë ligj, ndërkohë që presioni i ndërkombëtarëve për mosmiratimin e këtij ligji në Kuvend, është zëvendësuar me presionin e ish të përndjekurve dhe kategorive të tjera ndaj Presidentit për dekretimin e tij. Gjatë takimit dje me shoqatat e pronarëve, Presidenti iu referua edhe ligjit të dosjeve. Duke iu referuar debatit të ditëve të fundit, që pas miratimit të tij në Kuvend nga shumica qeverisëse, Topi u shpreh dje se "çështja e pronave është shumë e ngjashme me çështjen e dosjeve të lustracionit". Duke ju referuar zhvillimeve të fundit dhe presionit nda presidencës për miratimin e ligjit të "Dosjeve", Topi gjeti një përgjigje në formë akuze. Në fjalimin e tij thumbues për maxhorancës ai theksoi se, "njerëz, që mund të kenë qenë të lidhur në një mijë mënyra me regjimin, ngrihen dhe akuzojnë të tjerë që s'kanë pasur asnjë lloj lidhje me regjimin. Pra, kësaj shoqërie duhet t'i kthehet morali!", tha Presidenti i Republikës. Në limitet e afatit të tij kushtetues për të dhënë qëndrimin ndaj ligjit "Për pastërtinë e figurave", Presidenti Topi priti dje në një takim në Presidencë përfaqësues të dy shoqatave të ish të përndjekurve për të marrë edhe një mendim të tyre rreth këtij ligji. Ligji, i cili u miratua vetëm me votat e maxhorancës mori kontestime të mëdha nga opozita, por dhe nga faktori ndërkombëtar. Ishin ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Britanisë së Madhe, të OSBE-së që e kundërshtuan miratimin e tij, duke e cilësuar atë të nxituar. Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësim për miratimin e ligjit për "Pastërtinë e Figurave" të zyrtarëve nga Parlamenti i Shqipërisë. Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Shon Mekormek, tha se këto shqetësime ia ka ngritur qeverisë shqiptare ndihmës sekretari i shtetit, Daniel Frid. "Shqipëria është duke u ballafaquar me historinë e saj, tha ai, por ajo duhet të sigurojë që në këtë proces të mos i përjashtojë njerëzit nga jeta e përditshme në vend". Ndërsa në një deklaratë për shtyp, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Teri Dejvis, u shpreh se ligji për "Pastërtinë e Figurave", "u miratua me nxitim… dhe vetëm faktori kohë krijon terren për shqetësim se ligji do të shkaktojë më shumë padrejtësi se sa do të rregullojë". Më 22 dhjetor 2008, Parlamenti i Shqipërisë miratoi një ligj të debatueshëm, i cili nuk lejon të mbajnë poste publike njerëz të lidhur me policinë brutale sekrete të periudhës së komunizmit.  Ligji për "Pastërtinë e Figurës" u miratua me gjithë bojkotimin e votimit nga pothuajse gjysma e anëtarëve të Parlamentit, shumica e tyre të Partisë Socialiste.

Ambasada USA
Edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë reagoi ndaj ligjit për "Pastërtinë e Figurave". Në një deklaratë të saj menjëherë pas miratimit të këtij ligji në Kuvend, thuhet se "ky ligj ngre pikëpyetje serioze ligjore, qeverisëse dhe kushtetuese tek partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara". Shtetet e Bashkuara dhe OSBE-ja i bënë thirrje Parlamentit të Shqipërisë ta shtynte votimin.

Socialistët
Kryetari socialist Edi Rama i kërkoi maxhorancës parlamentare të mos e miratonte ligjin. Rama e cilësoi projektin si fund e krye një mekanizëm klanor dhe korruptiv, që synon të shkelë çdo parim kushtetues dhe se ndan maxhorancën nga opozita, si dhe thellon hendekun mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor. "Mos votoni sot me ngut atë që keni gatuar pa asnjë debat. Kthehuni në tryezën e mirëkuptimit për të gjetur një pikë të përbashkët", tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›