U shkëputëm përfundimisht nga e kaluara e Jaltës dhe Potsdamit
Jam shumë i nderuar që ndodhem sot në Bukuresht për të përfaqësuar vendin tim në këtë ngjarje të madhe. Dëshiroj t’ju sjell mirënjohjen dhe falënderimin më të thellë të popullit shqiptar për vendimin që mori sot Aleanca e Vendeve të Atlantikut të Veriut. Sot, vendi im nënshkruan aktin më të rëndësishëm në historinë e tij; sot populli shqiptar shkëputet përfundimisht nga e kaluara e Jaltës dhe Potsdamit; Shqipëria denjësisht dëshmon se liria dhe demokracia kthehen në virtyte edhe në vendin ku, jo më shumë se dy dekada më parë, diktatura më e egër në historinë e pas Luftës së Dytë Botërore e kishte kthyer në institucion dhunën ndaj lirisë dhe të drejtës. Si President i Shqipërisë, dëshiroj të falënderoj të gjitha ato vende mike, të cilët besuan në kërkesën dhe dëshirën e sinqertë euroatlantike të popullit shqiptar dhe e mbështetën atë. Kjo ëndërr, e cila lindi natyrshëm qysh në ditët e para të çlirimit të shoqërisë shqiptare nga komunizmi, u realizua sot në Bukuresht. E gjithë shoqëria shqiptare, e gjithë politika shqiptare, mediat dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në Shqipëri, janë të vendosur dhe të përgjegjshëm për të mbështetur anëtarësimin e vendit të tyre në NATO. Shqipëria ndodhet tashmë në rrugën e saj të pakthyeshme për të ndërtuar një shtet demokratik dhe të së drejtës. Ne jemi të vendosur të mos ndalemi përpara kësaj sfide, në emër të një të ardhmeje më të mirë, më të sigurtë dhe më të begatë për fëmijët tanë, ku çdo sakrificë është e përligjur. Reformat e rëndësishme politike dhe ekonomike në Shqipëri, reformat në sistemin e drejtësisë, në sistemin zgjedhor, në sistemin e sigurisë, në Forcat e Armatosura, në modernizimin e institucioneve, reformat për çrrënjosjen e korrupsionit dhe luftën kundër krimit të organizuar, të cilat janë kontribut i të gjitha forcave politike, pozitës dhe opozitës, i të gjitha qeverive të mbas vitit 1992, por sidomos i vetë popullit shqiptar, janë procese të pandalshme, të qenësishme dhe të domosdoshme edhe për një vend anëtar të Aleancës. E konsideroj vendimin që Aleanca mori sot për Shqipërinë si një vlerësim dhe besim ndaj të gjithë angazhimit të deritanishëm, serioz dhe shumëplanësh të vendit tim dhe si një angazhim madhor që ne kemi si ndaj vendeve të Aleancës, ashtu dhe ndaj popullit shqiptar. Shqipëria është e gatshme të bëhet pjesë e rëndësishme e politikave të sigurisë dhe demokracisë së Aleancës si në planin rajonal dhe në atë global. Shtrirja e NATO-s në rajonin ballkanik tkurr ndjeshëm hapësirën e pasigurisë brenda kontinetit evropian.Ajo jep garancinë për siguri afatgjatë, për zhvillim e mirëqenie si dhe ndihmon në demokratizimin e vendeve ballkanike, duke u treguar të vetmen rrugë të drejtë për t’u shkëputur nga e kaluara e tyre e armiqësisë ndëretnike. Shqipëria, nëpërmjet politikës së saj euroatlantike rajonale, do të mbështesë integrimin e Republikës së Kosovës në hapësirat e sigurisë dhe të zhvillimit, si dhe do të jetë e gatshme të ofrojë kontributet e saj individuale brenda politikave të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian për integrimin e Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Serbisë. Të nderuar miq, Shqipëria sot ndodhet në krah të vendeve të cilët vlerat e demokracisë dhe të lirisë i kanë busulla të strategjive të tyre të zhvillimit kombëtar, për të ndërtuar një të ardhme të ndritur jo vetëm për shoqëritë e tyre, por për të gjitha shoqëritë dhe kombet e botës. Ne jemi sa krenarë, aq edhe të përgjegjshëm për këtë akt.
Fjala e presidentit të republikës në seancën e djeshme të samitit të Bukureshtit
Nga Bamir Topi
Fjala e presidentit të republikës në seancën e djeshme të samitit të Bukureshtit
Nga Bamir Topi