E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Aplikimi, po vihet në rrezik vota e qytetarëve”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Probleme të infrastrukturës

Ndërprerje të energjisë elektrike

Ndërprerje të internetit dhe defekte në sistemin kompjuterik

Probleme me të dhënat personale (vendlindja, mbiemri, emri, datëlindja)

Vonesa në shpërndarjen e letërnjoftimeve elektronike për një pjesë të aplikimeve të realizuara në periudhën janar – shkurt

Procesi i pajisjes së shqiptarëve me karta identiteti është një proces që ka nisur me vonesë dhe ka një sërë problemesh, çka vë në rrezik votën e shqiptarëve. Ky është konkluzioni i nxjerrë në raportin e Lëvizjes Evropiane të Shqipërisë me mbështetjen financiare të ambasadës amerikane. Ky raport sjell një pasqyrë të përmbledhur të monitorimit të këtij procesi në terren nga 23 prilli deri më 23 maj në tri qytete kryesore të vendit: Tiranë, Durrës dhe Shkodër. Në raport nënvizohen disa mangësi të dukshme të këtij procesi, duke nisur që nga fillimi me mjaft vonesë, madje vetëm në Tiranë, në janar dhe më vonë gradualisht ne qytetet kryesore, në qytetet e vogla dhe në komuna ku ka mjaft zyra ende të pahapura.
Problemet
Fluksi i akteve ligjore dhe nënligjore për 5 muaj me radhë, të nxjerra nga Qeveria dhe Ministria e Brendshme, konsiderohen në raport si një aspekt negativ i këtij procesi për shkak të konfuzionit që krijojnë. Raporti nënvizon gjithashtu se rreth 90 për qind e të intervistuarve nuk kanë informacion lidhur me mënyrën dhe masën e rimbursimit, si dhe mungesën totale të transparencës ndaj publikut për evidentimin e personave të komunitetit rom dhe egjiptian, duke lënë mundësi për abuzime për pajisjen falas me letërnjoftim. Një tjetër element që raporti e nënvizon problematik, është kohëzgjatja e qëndrimit në radhë për aplikim dhe për marrjen e letërnjoftimit elektronik ku janë vërejtur vonesa të shumta për një pjesë të aplikimeve të realizuara në periudhën janar-shkurt. Sipas EMA-s, radhët e gjata dhe vonesat janë problematike gjatë ditëve të javës, ndërkohë që në fundjavë aplikimet bien ndjeshëm. “Duke llogaritur datën që jemi sot dhe afrimin e zgjedhjeve, ka rrezik që një pjesë e personave që kanë aplikuar të mos kenë mundësi të pajisjen me kartën e identitetit”, - u shpreh Gledis Gjipali, drejtues i Lëvizjes Evropiane. Raporti nënvizon edhe disa mangësi të tjera të këtij procesi, që lidhen me infrastrukturën si ndërprerja e energjisë elektrike, ku me problematike rezulton Tirana, ndërprerje të internetit dhe defekte në sistemin kompjuterik, probleme me të dhënat personale (vendlindja, mbiemri, emri, datëlindja) etj. Raporti vëren gjithashtu se situata lidhur me infrastrukturën lehtësuese, që mundëson procesin e aplikimit për të gjithë individët, pavarësisht kushteve të tyre fizike, paraqitet problematike. Për qytetin e Tiranës rezulton se të moshuarit, personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë nuk kanë mundësi për të shkuar në zyrat e aplikimit dhe të shpërndarjes së letërnjoftimeve elektronike, të cilat ndodhen në katet e larta të godinave. “Përmendim këtu Njësinë nr. 10, e cila ndodhej në katin e tretë, Njësinë nr. 7 në katin e 4-t, Njësinë 8 në katin e 2-të, Njësinë nr. 11 në katin e 2-të dhe Njësinë 9 në katin e 3-të. Praktikisht, kuptohet qartë se nga 11 njësi, 6 prej tyre nuk ofrojnë aspak mundësi aksesimi për personat e sëmurë dhe të moshuarit. Punonjësit e këtyre qendrave shprehen se janë në pritje të udhëzimeve nga lart në lidhje me këto raste, por për momentin asgjë nuk është realizuar konkretisht”, - thuhet më tej në raport. Ndërsa sipas këtij dokumenti, një problem veçanërisht shqetësues për qytetin e Durrësit dhe të Shkodrës janë radhët e gjata që krijohen në zyra për shkak se shërbimi i aplikimit dhe i shpërndarjes së letërnjoftimeve elektronike ofrohen në të njëjtën zyrë. Me problematike paraqitet situata në Njësinë nr. 5 në Durrës dhe në të gjitha njësitë në Shkodër. Nga intervistat e kryera, qytetarët dëshmojnë se ka persona, të cilët paguajnë nën dorë një shumë prej 200 lekësh për t u favorizuar dhe për pasojë, radha nuk respektohet.

Tirana
Aplikim Shpërndarje
Mesatarja në ditë jave 139 153
Mesatarja në fundjavë 70 57

Durrësi
Aplikim Shpërndarje
Mesatarja në ditë jave 70 49
Mesatarja në fundjavë 60 63

Shkodra
Aplikimi Shpërndarja
Mesatarja në ditë jave 139 114
Mesatarja në fundjavë 88 83

Vonesat

Qyteti Kohëzgjatja në radhë për aplikim
(minuta) Kohëzgjatja në radhë për të tërhequr (minuta)
Tiranë 15 13
Durrës 48 37
Shkodër 48 80

Ky lajm është publikuar: 04/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›