E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në Kombinat: Berisha e ka marrë tre herë përgjigjen e kryeqytetasve

Autori i Lajmit: red.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama prezantoi dje në një prej lagjeve të Tiranës, në Kombinat, ekipin prej 32 kandidatësh të kësaj partie për qarkun e Tiranës. Gjatë këtij takimi, Rama bëri thirrje për tu bashkuar si një rrugë për të ndryshuar Shqipërinë pas 28 qershorit. “Unë jam sot këtu si kandidati për të qenë në 28 qershor Kryeministri i ndryshimit dhe i shpresës. Unë dua që bashkë me ju të sfidoj historinë e vjetër, që një grusht politikanësh e shkruajnë prej 18 vjetësh sipas interesave të tyre dhe të hap një faqe të re, ku së bashku të shkruajmë një histori të re”, - tha dje Rama në kryeqytet. Ai theksoi se Berisha e ka marrë tre herë përgjigjen nga populli i kryeqytetit për prapambetjen e tij dhe nuk ka mësuar asgjë. “Sali Berisha shpif dhe harron përgjigjen e parë, sepse nuk ka respekt për kujtesën e Tiranës. Akuzon dhe harron përgjigjen e dytë, sepse nuk ka respekt për inteligjencën e Tiranës. Fyen dhe harron përgjigjen e tretë, sepse nuk ka respekt për durimin e Tiranës. Kjo është një arsye më shumë që në 28 qershor Tirana do të votojë fundin e së vjetrës në pushtet dhe me votën e saj do t i japë jetë një pushteti të ri të së resë”, - tha ai. Kryesocialisti ka zhvilluar dy ditë më parë takime dhe në qytetin e Beratit për të prezantuar kandidatët e PS-së në këtë qark. Rama tha se sfida kryesore është ngritja e Shqipërisë që kemi ëndërruar dhe jo mundja e kundërshtarit. “Unë kam ardhur këtu me një program që e kemi shkruar së bashku. Me një skuadër që do të angazhohet dhe do të realizojë këtë program të shkruar së bashku. Nuk vij në këtë garë nga urrejtja e instikti luftarak për ta gjunjëzuar kundërshtarin, as nga nevoja për të ushtruar pushtet mbi të tjerët apo nga synimi për tu zgjatur më shumë duke hipur në një karrige më të lartë, por vij në këtë garë nga dashuria për vendin tim”- tha Rama në fjalën e tij. Më tej kreu socialist shtoi se është koha që të gjithë të besojmë te forca e votës për të ndryshuar të ardhmen. “Besojini forcës së madhe të një bashkimi qytetarësh përballë një pazari të vjetër kryetarësh. Mjaft me 18 vjet me ndryshimin e qeverive që ndryshojnë vetëm qimen, por jo zakonet e këqija të pushtetit që në 18 vjet u kanë dhënë shqiptarëve vetëm shfaqjen bajate të pazarit të vogël politik të interesave të vogla”- vazhdoi më tej Rama. Pas Beratit ndalesa e radhës e kryesocialistit ishte Kuçova nga e cila bëri thirrje për tu ndarë nga e shkuara.
Ky lajm është publikuar: 04/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›