E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lista e zgjedhësve, PS një tjetër letër Ministrisë së Brendshme

Autori i Lajmit: red.
Partia Socialiste i ka dërguar sërish letër Ministrisë së Brendshme, por këtë herë kërkon listën përfundimtare të zgjedhësve në shkallë vendi.“Me shkresën tonë Nr. 116, datë 28.05.2009 në respektim të pikës 2 të nenit 57 të Kodit Zgjedhor, i jemi drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe juve në vëmendje si ministër i Brendshëm duke ju kërkuar konform parashikimit të ligjit të vini në dispozicion të subjektit tonë zgjedhor, Partia Socialiste e Shqipërisë, një kopje elektronike të listave përfundimtare të zgjedhësve në shkallë vendi sipas qendrave përkatëse të votimit”, - thuhej në letrën e PS dërguar dje Ministrisë së Brendshme. Partia Socialiste citon ligjin, sipas të cilit Ministria e Brendshme e ka për detyrë të dorëzojë listën brenda 3 ditësh nga data e paraqitjes së kërkesës. Por kërkesa e PS-së s është kryer që prej gjashtë ditësh, duke akuzuar Ministrinë se ka shkelur ligjin. “Kjo sjellje e qëllimshme është në vazhdën e mungesës së plotë të transparencës dhe komunikimit normal institucional që ministria që ju drejtoni është duke treguar ndaj subjekteve zgjedhore. Ne i konsiderojmë këto veprime jo thjesht e vetëm shprehje të paaftësisë qeverisëse, por elementë të strategjisë së kësaj mazhorance për ta mbajtur procesin në mungesë transparence dhe për t i vënë kundërshtarët tuaj politikë në vështirësi organizimi elektoral dhe si një përpjekje për të mbuluar gjurmët e manipulimeve të mundshme të procesit, përpjekje me të cilat ne po përballemi përditë”, thuhej më tej në letër. Letra e dërguar Nishanit u është dërguar për dijeni dhe përfaqësuesve të OSBE-së dhe ODIHR-it në vendin tonë.
Ky lajm është publikuar: 04/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›