E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ivanovi dhe loja me zjarrin

Autori i Lajmit: Xhavit Shala
Akoma pa mbushur muajin në postin e Presidentit të Maqedonisë, George Ivanovi provokoi hapur shqiptarët në rajon, duke shpërfillur dy herë shtetin e ri të Kosovës dhe kryetarin e saj, Fatmir Sejdiu. Veprimet e tij janë në vazhdën e papërgjegjshmërisë së politikës zyrtare maqedonase në raport me shqiptarët. Me veprime e qëndrime të tilla, ata po ndikojnë në përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike të brishta në Maqedoni dhe po luajnë me zjarrin, duke shpërfillur e injoruar bashkështetasit e tyre, shqiptarët në Maqedoni. Ivanovi e ka të vështirë të pranojë realitetin e ri në Kosovë. Ai po tregon vendosmëri për të ndjekur hapur një politikë proserbe në raport me Kosovën, pa menduar për pasojat që kjo politikë mund t i sjellë vendit të tij dhe rajonit. Shqiptarët në Maqedoni përbëjnë rreth një të tretën e popullsisë dhe vetë Maqedonia tashmë kufizohet me dy shtete shqiptare, Shqipërinë dhe Kosovën. Megjithatë, maqedonasit vazhdojë të shpërfillin shqiptarët dhe kanë zgjedhur Serbisë si aleatin kryesor në rajon, me të cilën e lidhin vetëm të qenit fqinjë dhe një minoritet i vogël serb prej 1,78% të popullsisë së Maqedonisë.
Duket se është antishqiptarizmi filli që lidh segmente të fuqishme të politikës maqedonase me ato serbe, ndonëse politika zyrtare, si në Shqipëri, ashtu dhe Kosovë, në vazhdimësi e ka mbështetur stabilitetin e shtetit maqedonas.Në të vërtetë, pozicioni i Ivanovit në raport me shqiptarët nuk është se ka ndonjë ndryshim të madh nga ai i promovuesit të tij, Kryeministrit Nikolla Gruevski, dhe se pozicioni i të dy liderëve është mishërim i qëndrimit që ka mbajtur dhe mban ndaj shqiptarëve partia e tyre nacionaliste, VMRO-DPMNE. Si subjekt politik, VMRO-DPMNE, ndonëse është nënshkruese e Marrëveshjes së Ohrit, shpesh e ka shtuar pasigurinë mbi të ardhmen e Maqedonisë, duke dhënë herë pas here shenja se është gati të heqë dorë nga zbatimi i saj. Ky subjekt ka përkrahur edhe një projekt të Akademisë së Shkencave të Shkupit për ndarjen e Maqedonisë. Vetë kjo parti ka pasur dhe ka politikanë, që akoma nuk po pajtohen me mendimin se shtetin e Maqedonisë e kanë bashkë me shqiptarët, si grupi më i madh etnik pas sllavo-maqedonasve, e se Maqedonia nuk do të mund të ekzistoje si shtet me përmasat e sotme, nëse nuk respekton shqiptarët. Ishte kjo forcë politike në pushtet, në vitin 2001, ajo që nuk la asnjë mundësi për përmbushjen, në rrugë paqësore të të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni dhe i detyroi ata të fillonin lëvizjen e armatosur.
Pas aprovimit të Kushtetutës maqedonase të vitit 1991 dhe shpërfilljes së kërke- save të tyre, shqiptarëve në Maqedoni nuk u mbeti gjë tjetër, veçse të kërkonin rrugë të tjera për të realizuar të drejtat e tyre kombëtare. Një prej tyre ishte organizimi i një referendumi të veçantë, ku populli shqiptar i Maqedonisë të shprehte vullnetin e vet përmes deklarimit gjithëpopullor. Autonomia e shpallur me referendumin e mbajtur më 11 e 12 janar 1992, për shkak të veprimtarisë përçarëse që autoritetet maqedonase organizuan mes faktorit politik shqiptar të kohës, mbeti vetëm në letër.
Megjithatë, ky referendum ishte një paralajmërim dhe kundërpërgjigje ndaj të gjitha vendimeve të njëanshme të politikës maqedonase dhe injorimit prej tyre të interesave kombëtare të shqiptarëve.
Në vazhdimësi, autoritetet maqedonase, me propagandën e tyre, janë përpjekur e janë treguar të suksesshëm që, në opinionin ndërkombëtar të krijonin mendimin e rrejshëm se marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni janë të mira. Aq u besua mashtrimi i tyre, saqë Maqedonia u bë vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me vendet e BE-së. Shpërthimi i luftës në Kosovë dhe programi i UÇK-së, duke kërkuar pavarësi për Kosovën, natyrshëm mund të tërhiqte edhe shqiptarët e Maqedonisë, për t u bashkuar të gjithë së bashku me Kosovën, nga e cila ishin ndarë administrativisht pas Luftës së Dytë Botërore, për të jetuar në një shtet të vetëm shqiptar. Por drejtuesit e UÇK-së nuk e lejuan përhapjen e konfliktit në Maqedoni, për të siguruar një mbështetje më të fuqishme ndërkombëtare për luftën e tyre në Kosovë, si dhe për t u dhënë një mundësi autoriteteve maqedonase që të zgjidhnin, pa humbur kohë e në rrugë paqësore, kërkesat e drejta të shqiptarëve atje. Por autoritetet maqedonase përsëri ndoqën modelin serb të "dialogut" me shqiptarët. Dhe kështu, në fillim të vitit 2001, në Maqedoni shpërtheu konflikti i armatosur. Shkaku kryesor pse shqiptarët e Maqedonisë iu drejtuan armëve për të fituar të drejtat e tyre kombëtare ishte konsumimi i plotë i rrugës paqësore, humbja e besimit nga ana e tyre se me mjete paqësore do të mund të korrigjonin pozitën e tyre juridiko-kushtetuese e të fitonin të drejtat e tyre kombëtare. Nëse lufta midis shqiptarëve dhe forcave maqedonase të sigurisë do të thellohej më tej, siguria e pesë vendeve kufitare me të; Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë do të cenohej drejtpërsëdrejti. Lufta në Maqedoni do të destabilizonte Ballkanin Jugor dhe do të rrezikonte të përhapte konfliktin jo vetëm përtej ish-Jugosllavisë, por edhe më gjerë. NATO, (sidomos SHBA-ja) me interesat e saj jetike në Mesdheun Lindor, nuk mund ta lejonte shtrirjen e konfliktit. Për këtë, komuniteti ndërkombëtar u angazhua fuqimisht në zgjidhjen e këtij konflikti, dhe nën trysninë e tyre u firmos Marrëveshja e Ohrit. Por, ndërsa shqiptarët u çarmatosën dhe iu kthyen dialogut, zbatimi i plotë i kësaj marrëveshjeje është vënë seriozisht në dyshim. Ndërkohë, që nuk duan t u japin shqiptarëve plotësisht ato të drejta të planifikuara në marrëveshjen kornizë të Ohrit, politika aktuale maqedonase po synon, ashtu si para konfliktit të vitit 2001, të mashtrojë përsëri faktorin ndërkombëtar për gjoja respektim të të drejtave të shqiptarëve. Dhe këtë po e bën me synimin që të mos të ketë pengesa në proceset integruese euroatlantike.
Duket se strategjia maqedonase është që, nëpërmjet mashtrimeve dhe lojërave gjeopolitike, të mund të arrijë integrimin e plotë të Maqedonisë në BE, pa zbatuar pikat më të rëndësishme të Marrëveshjes së Ohrit. Dhe më pas, shteti i tyre nuk do të marrë përsipër avancimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve atje. Ato do të trajtohen thjesht si përpjekje për "barazi ligjore dhe politike të të gjithë individëve". Njëlloj sikurse po vepron sot Greqia, anëtare e BE-se, duke i mohuar pakicat kombëtare e duke i trajtuar të drejtat e tyre në kuadrin e barazisë ligjore e politike të të gjithë individëve.
Politika e anashkalimit të të drejtave të shqiptarëve dhe e zvarritjes së zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit është pa të ardhme dhe e rrezikshme. Faktori politik shqiptar atje duhet të jetë i vendosur dhe i prerë në zbatimin e saj. Përndryshe, nëse ata heshtin nisur nga lakmia për pushtet, do të kujtohen në histori si tradhtarë të kombit shqiptar. Pa zbatimin e plotë dhe pa ekuivok të Marrëveshjes së Ohrit nuk mund të këtë Maqedoni me shqiptarë dhe në kufijtë e saj të sotëm. Nga ana tjetër, edhe faktori ndërkombëtar, si palë e tretë nënshkruese dhe garantuese e Marrëveshjes se Ohrit duhet të gjejë mekanizmat për të detyruar politikën maqedonase të respektojë plotësisht marrëveshjen.Përndryshe, zjarri në dukje i vogël, të cilin e ndezi Ivanovi me veprimet e tij provokuese ndaj shqiptarëve, mund të përhapet shpejt, pasi është ndezur në një vatër ku ka më shumë prush se sa hi nga kriza e pazgjidhure vitit 2001. Dhe ky zjarr i ndezur nga politika e papërgjegjshme maqedonase rrezikon paqen dhe stabilitetin e Evropës Juglindore.
Ky lajm është publikuar: 04/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›