E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ: Numërimi i votave edhe me dy anëtarë

Autori i Lajmit: Suela Topi
Udhëzimi

Numërimi i votave do të vazhdojë edhe kur janë vetëm dy anëtarë, por me kusht që të jetë në funksion sistemi i monitorimit me kamera. Ky është konsensusi i arritur mes përfaqësuesve të partive politike dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pas disa mbledhjesh të shtyra pikërisht për këtë pikë. Propozimi i bërë që paraditen e djeshme nga përfaqësuesi i selisë rozë, Genci Gjonçaj, në një farë mënyrë është tërheqje e PS-së, e cila fillimisht kërkoi që procesi i numërimit të votave të mos vazhdojë, nëse mungon numëruesi apo sekretari dhe GNV-ja mbetet me dy anëtarë. Por pas kontestimeve të vazhdueshme të përfaqësuesit demokrat në KQZ, Njazi Kosovrasti, si dhe të anëtarëve të Komisionit, duket se është gjetur gjuha e përbashkët. Po dje është miratuar dhe një propozim i bërë nga përfaqësuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilirian Muho, i cili u jep të drejtë vëzhguesve të koalicioneve që nuk janë pjesë e GNV-të të afrohen në tavolinën e numërimit në momentin që nuk funksionon sistemi i monitorimit të kamerave.
Konsensusi
“Në rastin kur grupi i numërimit të votave funksionon me dy anëtarë, sipas përcaktimit të nenin 95 pika 3 e Kodit Zgjedhor, KZAZ organizon punën që ky proces të jetë detyrimisht i monitoruar dhe i regjistruar nga kamerat e teknologjisë mbështetëse të instaluara në ambientet e VNV-së. Në rast se për çdo arsye nuk bëhet i mundur monitorimi dhe regjistrimi i procesit të numërimit sipas paragrafit të mësipërm, atëherë procesi detyrimisht ndërpritet deri sa të sigurohet monitorimi dhe regjistrimi nga kamerat ose të jetë plotësuar numri i anëtarëve të GNV me më shumë se dy anëtarë. Në rastin kur teknologjia nuk funksionon dhe numërimi i kutisë përkatëse nuk ka përfunduar, atëherë numëruesit të përfundojnë numërimin e kësaj qendre votimi dhe procesi ndërpritet deri në monitorimin ose plotësimin e GNV. Koha e ndërprerjes së regjistrimit dhe rifillimi i procesit të regjistrimit nga kamerat shënohet në librin e protokollit të KZAZ-së”. Me këtë formulim është gjetur konsensusi për pikën e shumëdebatuar të numërimit të votave. Me propozimin e bërë nga përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj,i jepet rrugë vazhdimit normal të punës së grupeve të numërimit të votave,edhe kur ai mbetet me dy anëtarë nga 4 që duhet të ketë normalisht. Ky propozim mundi të miratohej vetëm pasditen e djeshme për shkak të disa kontestimeve të përfaqësuesit demokrat në KQZ, Njazi Kosovrasti, i cili kërkoi kohë të njihej me propozimin, por dha edhe një alternativë të vetën për të zgjidhur këtë problem. Pas shqyrtimit të propozimit, ai pranoi sugjerimin e socialistëve. Më tej me konsensus është pranuar dhe propozimi i bërë nga përfaqësuesi i LSI-së, i cili synon që në mungesë të kamerave, monitorimi të bëhet nga vëzhguesit e koalicioneve që nuk kanë anëtarë në GNV, të cilët fitojnë të drejtën të afrohen në tavolinën e numërimit. “Në rastin kur nuk funksionojnë kamerat, KZAZ fton vëzhguesit e koalicionit, i cili nuk ka anëtarë në GNV për të ndjekur nga afër procesin e numërimit të votave”, - thuhet në propozimin e Muhos, i cili me 6 vota pro u shtua si pika 5 e nenit 3 të udhëzimit për grupet e numërimit të votave. Ndërkohë që propozimi i socialistëve u shtua si pikë 6 e po këtij neni dhe neni 2 kaloi me tri pika. Pas konsensusit për këto dy nene u miratua me 6 vota pro dhe udhëzimi në tërësi.

Ky lajm është publikuar: 04/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›