E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aplikoi për letërnjoftim me identitet të rremë, arrestohet

Një person në Korçë ka aplikuar me identitet të rremë për kartë identiteti, por një ditë pas zbulimit të këtij rasti është vënë në pranga nga ana e policisë. Rasti është zbuluar, pasi me një certifikatë me identitet të një tjetër personi, Edmond Frashëri është paraqitur dhe ka realizuar procesin e aplikimit. Ai ka përdorur gjeneralitete të një tjetër personi, duke u paraqitur si Eduart Frashëri, të dhënat personale të të cilit dhe dita e lindjes nuk i përkasin aplikuesit. 49-vjeçari është zbuluar se ka një identitet të rremë vetëm pasi ka kryer aplikimin te zyra përkatëse. Sipas drejtorit të informacionit pranë bashkisë, vetë aplikuesi kishte deklaruar se kishte dorëzuar një fotografi pranë një zyre elektorale dhe më tej kishte marrë një certifikatë po në të njëjtin vend, ndërkohë që certifikata ka dalë nga zyrat e gjendjes civile. Ka qenë vetë Edmond Frashëri që ka treguar nw polici për këtë çështje dhe është vënë në dispozicion të uniformave blu, qw kanw nisur menjëherë hetimet. Por një ditë më pas është bërë edhe arrestimi i 49-vjeçarit për përdorim të dokumenteve të falsifikuara. Nga të dhënat ka rezultuar se pasi ka kryer procesin e aplikimit për kartë identiteti, Edmond Frashëri, i cili është paraqitur me identitetin e Eduart Frashërit, pretendon se në fakt është bërë një gabim gjatë nxjerrjes së certifikatës. Por edhe pse në fakt të dhënat në certifikatë nuk kanë qenë të tijat, ai ka aplikuar me identitetin e një tjetër personi. Edmond Frashëri ka kryer aplikimin më datë 9 qershor, ndërkohë që në cilësinë e provës është bllokuar edhe certifikata që mban fotografinë e tij dhe gjeneralitetet e Eduart Frashërit, një 32-vjeçari rom nga Lagjja Nr.16 e Korçës. Ky i fundit thotë se nuk ka shkuar ende të kryejë një aplikim për kartë identiteti, pasi disponon një pasaportë dhe se nuk është në dijeni të faktit që një tjetër person i ka përdorur identitetin. Burimet e policisë thonë se ky rast ka nisur të hetohet, ndërkohë që personi i cili ka aplikuar me identitet të rremë është marrë në pyetje për të sqaruar rrethanat në të cilat është marrë në dorëzim certifikata e gjendjes civile dhe në rast se ky dokument i paraqitur është i falsifikuar.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›