E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënimi i gjyqtarit, dy persona nën hetim

Policia e Tiranës ka nisur një hetim të gjerë për zbardhjen e mënyrës së kërcënimit të gjyqtarit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, Gurali Brahimllari, i cili kryeson Kolegjin Penal ndaj bandave të Durrësit. Sipas informacioneve të para nga oficerët e policisë gjyqësore mësohet se dy persona janë të dyshuarit kryesorë. Krahas hetimit, masa të menjëhershme janë marrë edhe për mbrojtjen e familjes së gjyqtarit, ku janë shtuar forcat e policisë në gjykatë dhe banesë. Shkak për këtë shtim të forcave të sigurisë fizike ndaj tij dhe pjesëtarëve të familjes, është bërë kërcënimi i djalit të gjyqtarit Brahimllari nga persona ende të paidentifikuar. Mësohet se disa ditë më parë është realizuar shoqërimi i dy të rinjve në polici, pasi janë parë dhe ndaluar para Gjykatës së Krimeve të Rënda ku po lëviznin disa orë para saj në mënyrë të dyshimtë. Ata janë ndaluar nga forcat e "Briskut" që ruajnë gjyqtarët dhe më pas policia e kryeqytetit, pasi u ka marrë gjeneralitetet, i ka lënë të lirë. Nga të dhënat e para mësohet se dy të rinjtë janë me banim në qytetin e Durrësit. Sipas burimeve pranë Ministrisë së Brendshme, konfirmohet fakti se gjyqtari Gurali Brahimllari dhe pjesëtarët e ngushtë të familjes së tij janë marrë nën vëzhgim dhe ruajtje fizike, siç e parashikon ligji për gjyqtarët e Gjykatës së Krimeve të Rënda për shkak të detyrës së tyre të vështirë. Sipas tyre, shkak për vendosjen e forcave të sigurisë në ruajtje të gjyqtarit Gurali Brahimllari dhe familjes së tij, kanë qenë debatet e dy javëve më parë gjatë seancës gjyqësore ndaj 16 të pandehurve të "bandës" së Durrësit, ku në adresë të togave të zeza janë lëshuar një lumë presionesh e kërcënimesh nga të pandehurit për mënyrën e menaxhimit të këtij procesi gjyqësor. Ka të dhëna se djali i gjyqtarit është kërcënuar nga persona të panjohur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›