E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekskavatoristi me vëllezërit, terror në Shkozet

Vëllezërit shfrejnë mërinë me leva mbi një baba dhe të birin, shtypin dy punonjës policie të autopatrullës, si dhe përplasin një të mitur. Lidhur me ngjarjen, policia bëri të ditur se arrestoi rreth orës 23:45 të së enjtes në flagrancë njërin prej vëllezërve Luzi, Bujarin, 40 vjeç, me profesion ekskavatorist. Në bashkëpunim me dy vëllezërit e tij, Agron dhe Flamur Luzi, ai ka goditur me mjete të forta dhe të mprehta, si leva dhe shpata shtetasin Gëzim Nikoci dhe djalin e tij 17-vjeçar M. Nikoci, duke u shkaktuar dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit. Shtetasi Bujar Luzi me mjetin e tij "Mitsubishi", me targa DR9096E, ka tentuar ta shtypë Gëzim Nikocin dhe dy punonjësit e policisë së autopatrullës, të cilët kanë ndërhyrë për të parandaluar ngjarjen. Gjatë kryerjes së këtyre veprimeve, Bujar Luzi në largim e sipër me automjetin e tij ka goditur duke dëmtuar e rrëzuar për tokë shtetasen Anisa L., 10 vjeçe, me banim në lagjen 14, Shkozet. Si pasojë, së miturës i janë shkaktuar thyerje të këmbës dhe dëmtim të ligamenteve. Nga hetimet e para rezultoi se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta në karburantin e shtetasit Gëzim Nikoci në Shkozet, ku Bujar Luzi pretendon se ka kryer një volum pune me mjetet e tij në vlerën e 6 milionë lekëve të reja dhe nuk i janë paguar lekët nga pronari i saj, Gëzim Nikoci. Këtë situatë ai ka tentuar ta zgjidhë me vëllezërit me veprime të dhunshme. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale një shpatë metalike, një tub hekuri, mjeti fuoristradë "Mitsubishi". Ndaj të arrestuarit ka nisur hetimi për veprat penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentativë; prodhimit dhe mbajtjes pa leje e armëve të ftohta; shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe largimi nga vendi i aksidentit. Ndërkaq ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë edhe ndaj vëllait të tij 47-vjeçar Flamur Luzit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›