Apo nuk vazhdojnë të ikin?!..
Çdo njeri është lindur me instinktin që e shtyn drejt pasurisë, pronës, pushtetit, për të fituar a për të dalë mbi të tjerët. Kjo sjell rivalitetin, por në një plan të gjerë edhe pabarazinë e thellë, e cila po nuk hasi në kundërshtim, vjen duke u zmadhuar, siç ndodhi në Shqipëria e dikurëshme, ku një shtetas nuk lejohej të ikte nga vendi i lindjes. Ligji nuk e shpjegonte përse, por shumë njerëz e kuptonin se vendi ishte tepër i varfër dhe qeverisej aq keq, sa sundimtarët ndalonin çdo individ të ikte, sepse në mos të gjithë, përndryshe shumica do t’ia mbathte… Apo nuk vazhdojnë të ikin?!
Thellë në vetvete, pavarësisht nga shkalla a pozita shoqërore, çdo njeri ka të drejtë të mendojë se është i barabartë me të tjerët. Kështu, kamarieri nuk i kërkon klientit, cilido qoftë ai, që ky t’i shërbejë në të njëjtën mënyrë; por kjo çështje është zgjidhur nepërmjet bakshishit. Por kur një person pret me orë në radhë para një zyre, ku kërkon të qajë një hall ose të marrë një dokument legal, dhe kur zyrtari tregohet arrogant e mendjemadh, ndonëse nuk ka mend më shumë se ai, apo kur i kërkon edhe ryshfet megjithëse merr një pagë më të lartë se ai, atëherë personi preket nga kjo pabarazi e panatyrshme dhe nuk i mbetet rrugë tjetër, veçse të ikë nga vendi… Apo nuk vazhdojnë të ikin?!
Astrit LULUSHI (SHBA)
Është natyra e njeriut e mirë, e keqe, apo të dyja bashkë? Përgjigjet janë të ndryshme e të numërta, sa edhe rrymat filozofike. Xhon Locke (1632 – 1704) thotë se njeriu në gjendje natyrale eshtë plotësisht i lirë për të lëvizur e vepruar, pa patur nevojë të marrë leje nga person tjetër. Në këto kushte, njerëzit kanë të njëjtën vlerë dhe e trajtojnë njëri-tjetrin ashtu siç dëshirojnë të trajtohen vetë. Kjo gjendje natyrale braktiset vetëm kur ata bien në një mendje të jetojnë në bashkësi, me qëllim për t’u mbrojtur.
Sipas Rusoit (1712 – 1778), njerëzit nga natyra janë të mirë dhe zakonet e këqia janë prodhim i qytetërimit te korruptuar. Deri diku ai sikur pajtohet me Lokun. Ndërsa Pelagius (354 – 420) thotë se në gjendje natyrale njerëzit janë të paprekur nga mëkati origjinal, por ata janë plotësisht të aftë të zgjedhin të mirën ose të keqen. Kështu, sjellja njerëzore përcaktohet nga faktorë shoqërorë e biologjikë, dhe instinktet e trashëguara nuk mund të fajësohen për veprimet e këqia, ashtu si nuk mund të lavdërohen për veprimet apo sjelljet e mira. Hobes (1588 – 1679) thotë se, në gjendje natyrale, njerëzit janë vazhdimisht në luftë, “të gjithë kundër të gjithëve”, dhe jeta në ketë gjendje eshtë e rëndë, e keqe dhe e shkurtër.
* * *
Sipas Russell (1914 – 1970), e keqja morale rrjedh nga instinkti i trashëguar prej kohëve më të herëshme, kur njeriu nuk ishte njeri. Këto instinkte lindën kur kafshë të veçanta (pararadhësit e njeriut të sotëm) u bënë të vetëdijshme dhe filluan të merreshin me vrasje, mashtrime, rrëmbime, grabitje e vjedhje, për të siguruar mish e sende të tjera ushqimore për plotësimin e nevojave metabolike. Në këto përpjekje, ata ishin në garë a konkurencë edhe me kafshët e tjera.
Pra, fakti i thjeshtë se njeriut i duhet të marrë jetën e një tjetri ose ta skllavërojë atë, si kusht për të mbijetuar, është ndoshta zanafillë e të këqijave morale si gënjeshtra, mashtrimi, përbuzja, fyerja, vjedhja, përndjekja, burgosja dhe vrasja. Me këtë, Russell duket se pajtohet me Volterin (1694 – 1778), i cili thotë se, nëse bota do të ishte ajo që duhej të ishte, e përsosur, ku njeriu të jetonte lehtësisht në çdo pjesë të globit, me siguri të gjithë do të ishin të barabartë dhe askush nuk do të ishte i detyruar t’i shërbente tjetrit, ose të kërkonte me forcë që të tjerët t’i shërbenin atij. Në një botë të tillë ideale, njerëzit do të ishin të barabartë, sepse nevojat e tyre do të plotësoheshin nga natyra, prandaj nuk do të kishin nevojë për njëri-tjetrin.
Kur njeriu apo një grup sundon tjetrin, nuk është vetëm pabarazia që ai mbjell, por edhe varësia që krijon. Të gjithë të varfërit e të shtypurit, pa dyshim, përfaqësojnë mjerimin. Shumë prej tyre kanë lindur në kushte të tilla dhe, duke jetuar vazhdimisht kështu, duket se mjerimi nuk bën përshtypje dhe ata mbeten të varur te sunduesi. Por kur varfëria e shtypja ndjehen dhe kuptohen jo si kushte të natyrëshme apo të lindura, atëherë vjen lufta.
* * *
Çdo njeri është lindur me instinktin që e shtyn drejt pasurisë, pronës, pushtetit, për të fituar a për të dalë mbi të tjerët. Kjo sjell rivalitetin, por në një plan të gjerë edhe pabarazinë e thellë, e cila po nuk hasi në kundërshtim, vjen duke u zmadhuar, siç ndodhi në Shqipëria e dikurëshme, ku një shtetas nuk lejohej të ikte nga vendi i lindjes. Ligji nuk e shpjegonte përse, por shumë njerëz e kuptonin se vendi ishte tepër i varfër dhe qeverisej aq keq, sa sundimtarët ndalonin çdo individ të ikte, sepse në mos të gjithë, përndryshe shumica do t’ia mbathte… Apo nuk vazhdojnë të ikin?!
Thellë në vetvete, pavarësisht nga shkalla a pozita shoqërore, çdo njeri ka të drejtë të mendojë se është i barabartë me të tjerët. Kështu, kamarieri nuk i kërkon klientit, cilido qoftë ai, që ky t’i shërbejë në të njëjtën mënyrë; por kjo çështje është zgjidhur nepërmjet bakshishit. Por kur një person pret me orë në radhë para një zyre, ku kërkon të qajë një hall ose të marrë një dokument legal, dhe kur zyrtari tregohet arrogant e mendjemadh, ndonëse nuk ka mend më shumë se ai, apo kur i kërkon edhe ryshfet megjithëse merr një pagë më të lartë se ai, atëherë personi preket nga kjo pabarazi e panatyrshme dhe nuk i mbetet rrugë tjetër, veçse të ikë nga vendi… Apo nuk vazhdojnë të ikin?!
a
28 Korrik 2008