E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njerëzit e përulur



Kostas VARNALIS

Do të më mjaftonin vetëm tri fjalë, për të treguar se çfarë shërbimesh të mëdha i kam sjellë unë atdheut në ndarjen e qytetarëve, nga njëra anë - njerëz të ngopur me të mirat e jetës, nga tjetra - në rrënjëdalë. Po filloj. Unë kam provuar se shpirti i njeriut është i pavdekshëm. Pra, ekzistoka shpirti! Për hir të shpirtit ekzistojnë (domethënë, duhet të ekzistojnë) shteti (ligje e priftërinj) dhe perënditë. Frika e perëndive dhe e ligjeve na mban që të mos e ngarkojmë shpirtin me mëkate... e të mos futemi në burg.
Qytetarë të Athinës! Po të mos ekzistonte shpirti, nuk do të kishin ekzistuar as perënditë, as priftërinjtë, as edhe shpirti i pavdekshëm. Ne, të mjerët e rrënjëdalët, duhet të kemi besimin se do të gëzojmë të gjitha të mirat në jetën e përtejshme, e cila s’do të ketë kurrë mbarim, mjaft që të vdesim. Neve nuk na lejohet të marrim mbrapsht me duart tona ato, që na i marrin sunduesit me anë të forcës e të dinakërisë, me pak fjalë, ato që përfitojnë me gjakun tonë e me votën tonë. S’ka asnjë dyshim se ata do të dënohen nga Zoti në botën tjetër. Kemi për të parë me sytë tanë sesi, në skëterrë, ata do të futen në kazanë të mbushur me katran dhe do të vlojnë përditë e përgjithnjë. Se, po t’i dënojmë ne me duart tona, atëherë do të bëhemi ne të ligj, do të ngarkohemi ne me mëkate dhe do të na fusin ne në kazanët e xhehnemit. Kjo nuk ka qenë fjalë që e merr era, por guri themeltar i doktrinës sime. Për këtë i dhashë edhe një formë të prerë katrore, duke predikuar: “Më mirë ta pësoj në kurrizin tim çdo padrejtësi, sesa të bëj vetë padrejtësira!” Dhe një gur i tillë themeltar forcohet më tepër mbi rërën e ujit dhe në shpirtrat e dobët. Sa më tepër i përulur të jetë njeriu, aq më i pavendosur bëhet, sa më i lodhur të jetë nga jeta, aq më pak merr frymë lirisht, më pak mendon e më pak zemërohet. Që të rezistosh kundrejt padrejtësisë, duhet guxim e besim në vetvete, po aq më tepër duhet guxim që të bësh padrejtësira. Duke jetuar gjithnjë me frikën në bark, nuk dëshiron të kesh telashe të mëdha e të ndiesh vazhdimisht në shpirt një frikë të madhe. Prandaj e lë veten të tërhiqesh në rehatinë e mungesës së vullnetit dhe në egoizmin e dhembjes. Dhe jo vetëm që qëndron pasiv kur të grabisin ç’nuk ke, por nuk i prek me dorë as ato të pakta që ke, agjëron me dashje duke mos ngrënë, mos pirë e duke mos prekur femra, urren e përbuz diellin, detin, ajrin e pastër të malit e shëtitjet dhe kërkon të gjesh sëmundjet, vuajtjet, ndërsynë, heshtjen e vdekjes. Dhe ja parulla: “Dhembja forcon moralin!” Unë, pra, kam qenë ai që kam ngritur në qiell si flamur të Kopesë gëzimin e dhembjes. Sa për ata, që s’mund të durojnë dhembjen, janë menduar ligjet e Solonit, pse në bazë të këtyre ligjeve janë ngritur tempujt e dashurisë së lirë. Në të tillë tempuj-kuplara, cilido blen me çmim të ulët përsosmërinë, domethënë, harresën e vetvetes.
Po këtë mendim e kam shprehur edhe ndryshe me këto fjalë: “Asnjë nuk bëhet i lig me dashje.” Kjo do të thotë shkurt: mos dënoni ata që bëjnë padrejtësi, sepse do t’u bëni... padrejtësi. Ata janë të pafajshëm. Të shkretët, nuk dinë se bëjnë keq. Kini durim. Po t’i mësojmë se ç’është e mira dhe e keqja, do të zhduken nga kjo botë të gjitha të ligat e padrejtësitë dhe do të mbretërojë kudo shpirtmirësia... Për këtë na nevojiten shkolla. E këto shkolla, e dini se kush do t’i ngrejë? Ata që bëjnë padrejtësira. Dhe ja përse: Pasuria që kanë është edhe detyra, edhe shpejtësia, edhe e mira. E që të mo e bëjmë tërkuzë duke u zgjatur, ata vetë do të edukojnë djemtë e popullit që, kur të rriten, të mos rezistojnë kundër padrejtësisë.
Është e qartë tani se filozofia ime mbronte regjimin e pabarazisë, atë që kemi thënë e stërthënë: “interesin e më të fuqishmit”. Pa dyshim, për një arsye të tillë ju nuk duhej të më vrisnit! Shtetet, që do të vijnë më pas, do ta dinë më mirë punën e tyre. Kështu, shkolla, shtypi e kërbaçi nuk do të lënë gjë pa bërë për të pajtuar ata që s’mund të pajtohen me anën e parullës së “harmonisë së klasave”. Vetëkuptohet tani se unë kam qenë dirigjenti i parë i kësaj harmonie, megjithëse ju po më dënoni me vdekje si ateist. Nesër-pasnesër të krishterët do ta bazojnë fenë e tyre mbi këto mësime. Do të më nderojnë si një profet të perëndisë së tyre dhe surratin tim do ta pikturojnë nëpër kisha me një aureolë të gjerë e të artë rreth flokëve të tyre.

Përktheu Spiro Xhai

28 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›