Pasqyra magjike
Michel TOURNIER
Na ishte njëherë një kalif i Ispahanit që, mbas njëzet vjet lumturie bashkëshortore, po e bjerrte me trishtim dashurinë për mbretëreshën. Me zemër të pikëlluar, e shihte tek humbiste ditë për ditë hiret që i kishte ruajtur aq gjatë. Fytyra e mbretëreshës po bëhej e shpëlarë, dukej si gri, e zymtë dhe e hidhëruar. Çipat e buzëve tregonin një brazdë të hidhur e disa rrudha në ngjyrë vjollcë i rëndonin vështrimin e shuar. Dukej sidomos se kishte reshtur së joshuri dhe se me vendosmëri e linte pas dore detyrën për të qenë e bukur, detyrë që çdo grua, e mbi të gjitha një mbretëreshë, duhet ta kryejë. Kësisoj, Kalifi po largohej prej saj. Çdo shkas ishte i volitshëm për të shkuar në luftë, për gjah a në ndonjë mision diplomatik. Edhe interesi i tij ndaj zonjëzave të oborrit dukej përherë e më këmbëngulës.
Por një ditë, duke dalë nga dhomat e tij për të shkuar në sallën e Kuvendit, i ndodhi të kalonte prapa mbretëreshës që po ndreqte flokët në pasqyrë. Vështroi shkarazi pasqyrën dhe u ndal i shtangur. Fytyra, që sapo kishte shquar aty, shkëlqente me një bukuri rrezëllitëse. Ata sy ndrisnin nga hareja. Çipat e buzëve ngriheshin në një buzëqeshje plot ironi të hareshme. I befasuar, Kalifi ngriu në vend dhe, duke mbështetur duart te supet e mbretëreshës, e ktheu nga vetja. Çfarë misteri! Fytyra që po shihte tani, si zakonisht, ishte gri, e zymtë dhe e hidhëruar. Çipat e buzëve vareshin në një brazdë të hidhur. Disa rrudha në ngjyrë vjollcë ia rëndonin vështrimin e shuar. Kalifi ngriti supet përpjetë dhe shkoi në Kuvend.
Megjithatë, përndritja fluturake që kishte hasur në mëngjes, vazhdoi ta pushtonte mendjen e tij. E kështu, të nesërmen, e ujdisi punën që skena të përsëdytej. Teksa mbretëresha rrinte para pasqyrës, i kaloi nga pas duke vërejtur shembëlltyrën e saj. Mrekullia u përsërit: aty dukej një grua që përshkëndiste nga hareja. Kalifi sërish e ktheu kah vetja. Dhe fytyra që zbuloi, prapë ishte vetëm një maskë zie e trishtimi. Ai u largua më i trazuar se një ditë më parë.
Në mbrëmje shkoi tek i urti Ibn Al Houdaida. Ishte një plak i ngjizur me filozofi që, njëherë e një kohë, kishte qenë mësuesi i tij privat dhe të cilit kurrë nuk harronte t’i merrte ndonjë këshillë në raste andrallash. I tregoi për bjerrjen e dashurisë që po ndodhte mes tij dhe mbretëreshës, për vellon e trishtimit që asaj rëndom ia mbulonte fytyrën, por edhe për zbulimin e një gruaje të tjetërsuar në pasqyrën e vogël, çka e kishte vërejtur dy herë. Pastaj i tregoi për zhgënjimin e tij kur, duke e kthyer nga vetja, e kishte vështruar drejt në sy.
Ibn Al Houdaida meditoi gjatë pas këtij rrëfimi. Ai që rronte prej shumë kohësh pa grua e pa pasqyrë, ç’mund të kuptonte nga gjithë kjo mesele? Pyeti dishepullin e tij të dikurshëm:
“Çfarë shihje saktësisht në pasqyrën që kundroje përmbi supin e mbretëreshës?”
“Jua thashë, - u përgjigj Kalifi, - shikoja mbretëreshën që rrezëllinte nga bukuria.”
Plaku i urtë vijoi të përsiaste:
“Kujtohu mirë. Vërtet shikoje vetëm fytyrën e mbretreshës?”
“Po, pra, me një fjalë... besoj. Ndoshta shihja edhe murin e dhomës, a ndonjë pjesë të tavanit.”
“Nesër në mëngjes provoje përsëri dhe vështro më mirë”, e porositi Ibn Al Houdaida.
Të nesërmen mbrëma Kalifi u paraqit sërish në shtëpinë e tij.
“Atëherë? - e pyeti i urti. - Çfarë pe në pasqyrë, përveç mbretëreshës së tjetërsuar?”
“Zbulova kokën time në plan të dytë dhe disi të shfokusuar në errësirë”, ia ktheu Kalifi.
“E po, mirë pra, - tha i urti. - Ja çelësi i misterit! Kur ndeshesh me mbretëreshën përballë, me vrazhdësi, pa dashuri, si një gjykatës, kur e këqyr sikur të doje t’ia numëroje rrudhat a flokët e thinjur, atëherë e kredh në një vetmi që e dëshpëron dhe e shëmton. Ndërsa, kur fytyra jote është pranë të sajës, ajo rrezëllin nga bukuria e nga hareja. Të dashuron pra, ja pse përndritet vetëm kur dy kokat tuaja janë të bashkuara në të njëjtën kornizë, me vështrimin drejtuar nga e njëjta pamje, nga e njëjta e ardhme, tamam si një portret dasme.”
Përktheu Dritan Çela
28 Korrik 2008