Pjesë e këtij pizeveng panairi
Nga t’ia mbash? Si të shpëtosh? Si ta edukosh këtë turmë lara-lara, e cila me piskama gjelash katundi mëton se bën artin modern? Ndërkohë që gjithë kësaj biçim estetike, me të cilën mballosin “veprën” e tyre, i vjen një erë e mendermethanshme me ta plasë rrashtën e kresë. Si t’ia bësh të mos e dëgjosh panegjirizmin e tyre të neveritshëm? Ku të fshihesh? Nga t’ia mbash? Tërë kjo turmë, sa primitive aq dhe parazitare, prej njerëzish të vetëquajtur shkrimtarë, poetë, artistë, duke gjykuar mbi karakteristikat e estetikës letrare që shpërfaq, mund të cilësohet fare mirë si një socreal i vonë, i panevojshëm po aq, sa ç’qe edhe i pari. Petrit NIKA 1. Kanë kaluar thuajse tetëmbëdhjetë vjet qëkurse cenzura zyrtare iu hoq kësaj letërsie. Gjatë këtyre viteve kanë ndodhur ndryshime të mëdha në sferat e shoqërisë e të artit, megjithatë, edhe shëmtimi vende-vende nëpër lamiet e kësaj panorame është i madh. Njëra nga pamjet tepër të shëmtuara (e kritikuar herë pas here nga këndvështrime të caktuara), është masiviteti si qëllim në vetvete. Njerëz që shkruajn gjithandej, njerëz që botojnë gjithandej, shtypshkronja plot e përplot, libra nga më të çuditshmit. Këngë partizane, vargje veteranësh të thurura për vetveten e për miqtë e idealeve, ditirambe ish-brigadieresh frutikulture thurur për patlixhanët e kastravecat, poema traktoristësh, të cilëve “damari” poetik na u erdhi pasi i rrumbullakosën fiks të gjashtëdhjetë e pesat. Mandej romane e tregime taze, që t’i servirin turlilloj autorësh “të rinj”, gjashtëdhjetë e shtatëdhjetë vjeçar, të cilët dikur s’i botonte as gazeta e përmuajshme lokale, ndonëse qanin me lot e çirreshin në kupë të qiellit kundër armikut të klasës. Estetë e etnologë që s’përtojnë të ta paraqesin në njëmijë e pesëqind ekzemplarë libër, me nga dyqind e kusur faqe, historikun e një fshati, ta zëmë vetë Firifistunit, - or lum miku, - ku shpallin botërisht se atij s’i gjendet shoku në botë; mihës arkivash, dyshues emblemash e deri te të vetëquajturit Bonapartë të krahinës, - pamje kjo që të zë sytë, zhurmë kjo që të trullos e të bën të ndjesh ndot nga vetvetja, kur mendon se dikush, pa e vrarë mendjen, teksa ti kalon rrugës për në bibliotekë, mund t’i pëshpërisë shokut përbri se je edhe ti pjesë e këtij pizeveng panairi, ku ka më shumë shkrues sesa lexues, ku bjerret çdo ditë vlera e fjalës, ku shëmtia të shfaqet me tërë ndotin e saj. Nga t’ia mbash? Si të shpëtosh? Si ta edukosh këtë turmë lara-lara, e cila me piskama gjelash katundi mëton se bën artin modern? Ndërkohë që gjithë kësaj biçim estetike, me të cilën mballosin “veprën” e tyre, i vjen një erë e mendermethanshme me ta plasë rrashtën e kresë. Si t’ia bësh të mos e dëgjosh panegjirizmin e tyre të neveritshëm? Ku të fshihesh? Nga t’ia mbash? Tërë kjo turmë, sa primitive aq dhe parazitare, prej njerëzish të vetëquajtur shkrimtarë, poetë, artistë, duke gjykuar mbi karakteristikat e estetikës letrare që shpërfaq, mund të cilësohet fare mirë si një socreal i vonë, i panevojshëm po aq, sa ç’qe edhe i pari. Ka të paktën tetëmbëdhjetë vjet që autorët baballarë të realsocit shqiptar kanë reshtur së respektuari (të paktën formalisht) atë estetikën e tyre karakteristike të idealeve zhgënjyese. Ndërkohë që gjatë kësaj kohe, në mënyrë disi të fshehtë, këtij byku i fryjnë disa degëzime institucionesh kulturore të financuara nga shteti, në çdo cep të Shqipërisë: shumica e qendrave kulturore të bashkive, duke krijuar një klimë të favorshme për gjithë këtë buisje e harlisje pseudoartistike, ku mungon tëharrja, ku çështja më e rëndësishmja është të themi diçka, më pak e rëndësishme çfarë do të themi dhe fare pak ose aspak e rëndësishme është mënyra sesi do ta themi. Lexuesit që i ndjek me vëmendje zhvillimet letrare (ndoshta gabohem, por unë llogaris pak veta në këtë kategori), është e tepërt t’i themi se krijues me vlera e talent patjetër ka në trevat shqiptare, por mungojnë politikat kulturore për afirmimin e tyre. Injoranca, provincialiteti i ideve, anakronia, varfëria gjuhësore e skajshme, nervozizmi apo panegjirizmi estetiko-letrar, shpërfaqin me koketëri fizionominë solide të një pseudoletërsie triviale, e cila më së forti i ngjan një invazioni tumoral, krijuar enkas për t’i disekuilibruar marrëdhëniet normale të komponentëve autor-vepër-lexues, deri në likujdimin total të tyre, si proçes i komunikimit letrar. 2. Nga kjo specie e çuditshme, që ta heq çdo dëshirë për librin dhe gjuhën e letërsisë artistike, e cila për të nënkupton fjalë për fjalë sall gjuhën zyrtare, idiotësisht dhe paradoksalisht ende vazhdon të shihet me mëdyshje vlera e veprës së Fishtës, sipas llojit të vet klasik, apo e Camajt, sipas llojit të vet modern, vetëm pse gjuha e ambël gege këtyre kreatyrave nuk u tingëllon shqip. Shkurt, vepra e tyre mëtohet se përbën vështirësi leximi në aspektin e kodifikimit gjuhësor. (Për fat, jetojmë në kohë pluralizmi dhe s’mund të shqiptojnë më se ata që i shkruan ishin antishqiptarë, siç e kanë thënë deri dje). Përveç këtyre, vazhdojnë të përçmohen dhe të vihen në diskutime dashakeqe format moderne të procedimit estetik të veprës letrare, gjykuar nga skrivania e kritikut të realsocit, i cili thyerjen e normave standarde dhe mosrespektimin e skemave romanore e gjykon gjithë hezitim, duke i hedhur konsideratat përmes ca gicilimeve prej akrepi, ndërkohë që s’i bie fare ndër mend këtij lloj kritiku se, për një letërsi moderne, parësore është paraqitja artistike e një realiteti apo e një ideje përmes konvencionesh ambige dhe jo argumentimi i saj, çka i përket fushës së gjykimit të vetë produktit letraro-artistik. 3. Ndoshta paraqet interes ta dinim se si procedohet sot për ta çuar nga autori gjer te lexuesi gjithë këtë amalgamë të socreali të vonë. Me thënë të drejtën, krejt pa teprime, lexuesin më rigoroz e më pasionant këto “vepra” kanë vetë autorin e tyre. Mandej, këta libra narcizësh shkepulë, me mënyra nga më të ndryshmet e më të paparashikuarat nga një mendje normale (e një njeriu që gëzon pak krenari), i imponohen lexuesit kryesisht me drejtim nga lart - poshtë, përmes shoqatash, organizatash a institucionesh, ku autori ka miqtë e tij të afereve dhe dallavereve, ose gëzon vetë një post me rëndësi në administratën civile. Pra, mbas vetë autorëve, lexuesit e këtyre botimeve me tirazhe të lakmueshme, ose më sak blerësit e tyre (sepse që dhe këto palavira lexohen, për këtë kam dyshime të forta), janë vartësit e tyre dhe vartësit e vartësve të tyre. E kështu me radhë vazhdon qarkullimi mizor i krijimtarisë, duke filluar që nga shkalla më e lartë hierarkike (parlament, ministri, prefekturë a bashki) e duke përfunduar tek ai nxënësi i shkollës fillore në majë të Vermoshit. Ky, në fakt, mendoj se është realiteti kulturor më i ri, por dhe më banali, prandaj kemi një arsye të dytë këtu që gjithë këtë letërsi masive ta etiketojmë triviale, sepse kërkon me të gjitha forcat e me të gjitha mënyrat të invadojë në çdo qelizë të kulturës shqiptare, duke përcjellë mesazhe obskurantiste, anakronike, antiestetike, shpeshherë të neveritshme. Bashkëkohës të këtyre, shkrimtarë dhe poetë me një zë modest, por që kërkojnë hapësirën e tyre të afirmohen, ose të tjerë me vlera tashmë të afirmuara, mezi botojnë librat e tyre përmes peripecish financiare dhe me tirazh të vogël, jo më tepër se dy-treqind kopje. Po t’i kërkosh librat e tyre në ndonjë bibliotekë, lodhesh kot, s’i gjen në asnjë bibliotekë qyteti të Shqipërisë, përveçëse në BKT, kurse libra ministrash, zv/ministrash e ish-ministrash, me përmbajtje patetiko-artistiko-etnologjike, zënë vend nëpër rafte bibliotekash e librarish gjithandej. Sipas të gjitha gjasave, në realitetin shqiptar mjafton të kesh para ose një post zyrtar, prej nga mund ta “komandosh” lexuesin dhe - prite, - bëhesh shkrimtar e poet kur të duash, pavarësisht nëse ke punuar për tridhjetë vjet me radhë, ta zëmë, naftëtar, agronom ose normist i NB - së, dhe libri i fundit që ke lexuar është ai me titull (përafërsisht si ky) “Qysh e theri ballisti pulën”. Kjo na kujton një fenomen tjetër kulturor shqiptar që, për nevoja kryesisht të karakterit jetik, ka sjellë në sfondin e shoqërisë bashkëkohore shqiptare njeriun pluridimensional, domethënë njeriun që mëton të jetë i kudogjendur dhe që mëton se di t’i bëjë të gjitha, por që tashmë them se është bash koha që ta quajmë pa mëdyshje si njeriun pa personalitet intelektual. 4. Prej gjithë kësaj sëre të llomtë letraro-masive, edhe një herë kuptohet se letërsia e vërtetë nuk bëhet me fushata, siç pandehin vetë këta protagonistë të përkohshëm. Letërsia i kërkon haraçe jetës, ajo është një pohim i pandërprerë dhe në rritje i unit, që domethënë se ose je shkrimtar në jetë të jetëve, ose nuk je kurrë (Francisko Umbral). Përveç kësaj, gjykoj se letërsia meriton të shihet më me respekt nga palët (shtet - botues - krijues - lexues), dhe sidomos theksoj se ka ardhur koha që ajo të trajtohet pak më me qytetari e drejtësi, në mënyrë që t’i rikthehet dinjiteti që e gëzon në çdo vend të botës së qytetëruar.
28 Korrik 2008