E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për-kundra-zi, këpucët



Visar ZHITI

Përkundrazi, unë u binda, pavarësisht se komisioni mjekoligjor nuk prani, që ne të dy ishim këpucë ose kishim qenë këpucë dhe ishim bërë Ne-të-dy, por gjithsesi kishim fatin e këpucëve dhe mendonim si ato, te këmbët, se të jesh këpucë, pasi të heqin nga vitrinat apo magazinat, është një mallkim i vërtetë, edhe je vetë, edhe s’je, ndihesh i dyzuar, kurse lodhjen ose kotësinë, ose mërzinë e rrugës, nuk i përgjysmon, siç thuhet në një këngë, por për-ku?-ndraZi, ku dhe zi, të bëhen dyfish, se ne ngjajmë me vëllezërit siamezë, kur njëri vëlla kishte vdekur dhe tjetri duhej të mbartte kufomën e atij, po kush është i vdekuri nga ne të dy, cila këpucë, unë do të thoja se të dy i vdesim tjetrit kur na duhet, dhe i ngjallemi vetes për çdo gjë që duam, aq sa shpesh them, e kam thënë edhe në gjyq, se me siguri do të ishte më mirë të ishte këpucë invalide, një, për një këmbë, sepse vetëm edhe filozofon, kurse dy bisedojnë dhe s’dihet kush spiunon dhe, po e dëshirove një gjë, ajo bëhet, dhe unë, gjithë kohës që isha këpucë invalide, s’provova ndonjë kënaqësi të madhe, për-kundra-zi, kundra, u thoshte këpucëve gjyshi im, vjen nga të qenët kundra, lidhet me shkelmin që ha, ia shkrova dhe akademisë këtë zbulim etimologjik dhe ata ia dorëzuan letrën time policisë sekrete politike, nejse, ata më kapën, bënë detyrën, unë s’kam punë me ta, ata kanë me mua, po çfarë po thoja, hë, po, kur isha këpucë invalide, tek pullë, këpucë heroi ama, nga ata të luftës më të fundit botërore, gjithë pesha e tij binte vetëm mbi mua, peshë betejash, dhembjesh, që shndërrohej në torturë, aq sa po kujtoja se po vazhdonin torturat mbi mua, që të tregoja shokët, se do të kisha lehtësira, po asnjë lehtësi s’pata, për-Zi-kundra, vërtet, kështu u thoshte gjyshi im këpucëve, më sill pak kundrat këtu, dhe unë ia çoja shpesh e aty fillova të bëhesha nga pak këpucë, por kur gjyshi vdiq, isha unë këpuca e tij, që u bëra ky që jam, dhe e gjeta të ngjashmin tim në sallën tjetër, le të bërtasë sa të dojë infermieri, ai është i çmenduri e jo unë, përkundraZi, por s’ka gjë, unë e di që fati i këpucës është tejt fyes, s’e kam fjalën kur je në vitrinë që shkëlqen, ke pranë dhe këpucë me taka grash, elegante, të bardha si pulëbardha, fluturon me to, jo, jo, kur të blejnë, pasi të kanë blerë fillon kalvari, je në fund fare, poshtë, i shtypur nga një thembër vulgare, e shëmtuar, nga ca gishtërinj ulokë si kokë breshkash, mbështjellë me çorape që, kur janë të bardha, të kujtojnë fashot e pista të plagëve, kur janë të zeza, të kujtojnë çorapet që banditët ngjeshin në fytyrë kur duan të kryejnë ndonjë krim, pale kur janë dhe me ngjyra, tamam si bisedat e komisionit që s’merren vesh, çorap fare, nuk i thonë kot, po e di ç’kam menduar, më mirë kapelë, edhe ajo këpucë është, këpucë për kokën, që rri sipër, në krye dhe është bosh si vendi ku rri, e kuptuat për çfarë e kam fjalën, për shumicën e kokave, këpucë për kokën si të bëhesh, por s’të lënë, je caktuar për tjetër gjë, kur u ndanë, kështu na ranë, thonë, kurse ata të gjykatës së shkallës më të lartë përdorin terma shkencore gjoja, depresion strese, jo po luftë klasash e kamufluar, vijmë nga diktatura më e egër, ne s’vijmë, por ikim, ca janë kapele e ca janë këpucë, pra këpucë për kokat dhe kapele për këmbët, po ku e lamë ne, përkundraZi, te shtypja, kur je te këmbët, të shtypin dhe do të shtypësh, je i detyruar, do të shtypësh rrugën që s’ndien, por gjethet e rëna që rënkojnë i kam dëgjuar vetë, çdo gjë e rënë shtypet pastaj, por do të shtypësh edhe barin që s’ka faj, që rritet atje ku të tjerët bien, të gjithë, përkundrazi, për ku ndra zi, por ndodh të shtypësh herioglifet e gjata të mizave të dheut, mos na bëj poezi këtu, më bërtitën në hetuesi, kur u thashë që s’dua të jem këpucë, se i bëj apel atdheut të jetë zbathur, që të ndiejë më shumë çfarë shkel, të jetë i natyrshëm, jo atdhe me këpucë me gozhdë, këpucë ushtarake, as me atlete vrapuese, ndal, Zi-ku-ndra-për, si i thonë se m’u mor goja, këpucët janë dhunë, potkonj të vrazhdë, maska në fund të këmbëve, kapelat janë këpucë koke, edhe njerëzit janë këpucë që i vishni, që ju veshin, këpucët janë njerëz, që ndërrohen, që kur çahen a shqyhen a plagosen ose plaken i çojnë në spital dhe këpucarët me gjilpëra i bëjnë operacion, i ndreqin, por kur s’bëhen më, i flakin, i rroposin, i hedhin te plehrat, ecjet, ëndrrat, bisedat, bëmat, dashurinë, lavditë, kryeqytetin, atdheun, vuajtjet, pendimin, lutjet, kohën, idetë, luftërat, paqen, llamarinat, dekoratat me gjithë doktorët dhe demokracinë që duan të sjellin si autoambulancën, me bërtima, me ato diplomat që i kanë të mbështjella me lëkurë këpucësh dhe të mendosh që ne, këpucët, ishim bërë me lëkura jetësh të masakruara, kafshësh, po, po, por ç’superkafshë janë ata që bëjnë kështu me kafshët, përkundraZi.

28 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›